Shtyrja e afatit deri më 31 korrik, u jep mundësinë familjeve bujqësore që të pajisen me titull pronësie për tokën që kanë në përdorim.
Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Irfan Tarelli, bën me dije procedurat që duhet të ndiqen nga fermerët. Sipas tij, janë vetëm 5 për qind e familjeve që s’kanë asnjë dokument pronësie, këtu përfshihen edhe 1600 kërkesa të depozituara, të cilat janë aktualisht në proces trajtimi pranë bashkive. Nga të dhënat zyrtare, gjithsej janë rreth 450 mijë familje që e kanë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, por jo të gjithë kanë mundur që të pajisen edhe me certifikatën e pronësisë nga Hipoteka. Në intervistën dhënë për gazetën panorama, Tarelli hedh dritë edhe mbi ndryshimet ligjore, të cilat do t’i propozohen qeverisë për miratim dhe që synojmë thjeshtim të procedurave për të bërë të mundur përmbylljen e këtij procesi. Zhvendosja e afatit deri më 31 korrik, u zgjat “mandatin” edhe Komisioneve të Verifikimit që veprojnë pranë çdo prefekture. Janë 1600 hektarë tokë e identifikuar si e përfituar abuzivisht, sipërfaqe kjo që do të shkojë në fondin e kompensimit të pronarëve.
Në seancën e fundit, Parlamenti kaloi për miratim me procedurë të përshpejtuar disa ndryshime në ligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, me anë të të cilit shtyhet deri më 31 korrik të vitit të ardhshëm afati për pajisjen e fermerëve me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi. Kush përfiton nga kjo nismë?
Qëllimi në vetvete i ligjit nr. 9948 është plotësimi me tituj pronësie i familjeve bujqësore që kanë qenë subjekt i ligjit, por për arsye të ndryshme nuk janë pajisur me dokumentacion pronësie. Një praktikë e tillë ka nisur që në vitin 2013 dhe afati ligjor i përfundimit të procesit ka qenë 31 dhjetori i 2017-s. Deri më tani janë 3200 aplikime pranë bashkive nga familjet bujqësore për t’u pajisur me dokumentacionin e pronësisë. Nga të dhënat që ne kemi, rezulton që bashkitë kanë përpunuar gjysmën e tyre, që do të thotë se 1600 prej tyre e kanë marrë titullin e pronë- sisë. Ndërkohë në disa bashki të vendit, kryesisht në zonën veriore të vendit, procesi ka ecur me ritme më të ngadalta dhe numri i kërkesave është i vogël në raport me numrin e fermerëve që aktualisht janë subjekt i këtij ligji dhe gëzojnë të drejtën të pajisen me dokument pronësie.
Kjo do të thotë se krahas 1600 kërkesave që janë aktualisht në bashki me statusin “të patrajtuara”, ka edhe të tjera familje që nuk kanë aplikuar dhe që nuk disponojnë asnjë lloj dokumentacioni?
Po, ka edhe familje që e kanë tokën në përdorim, por nuk kanë asnjë dokumentacion dhe për më tepër nuk kanë aplikuar ende. Nisur nga kjo situatë, zhvendosja e afatit krijon jo vetëm mundësinë që kërkesat e depozituara të shqyrtohen nga bashkitë dhe për ato që plotësojnë kriteret të pajisen me dokumentacionin e pronësisë, por është një oportunitet edhe për ato familje që s’kanë asnjë dokumentacion që të aplikojnë pranë bashkive. Pra, këto janë dy arsyet bazë. Ka bashki, të cilat kanë performuar shumë mirë, në kuptimin e trajtimit të kërkesave. Por ka edhe bashki, sidomos në veri të vendit, nga të cilat kërkohet impenjim më i madh nga ana e tyre për të kompletuar sa më shpejt të jetë e mundur këtë proces, i cili, në radhë të parë, është në dobi të vetë familjeve bujqësore. Dhënia e titullit të pronësisë është parakushti për të marrë certifikatën e pronësisë, që është dokumenti i fundit që lëshohet nga Hipoteka. Pas marrjes së certifikatës së pronësisë, të mundësohen transaksionet, pra ke të drejtë ta shesësh apo ta japësh me qira tokën. Avantazhi i dytë lidhet me faktin që dhënia e titullit të pronësisë të lejon që të përfitosh nga programet mbështetëse që ka Ministria e Bujqë- sisë, siç janë subvencionet në bujqësi etj.
Ky do të jetë afati i fundit, pra pas datës 31 korrik, nuk do të ketë më një shans të ri…
Kjo është hera e fundit që shtyhet ligji, nuk do të ketë më zhvendosje afatesh. Por nga ana tjetër, ligji në vetvete përmban edhe të drejtën që familja bujqësore pas këtij afati mund t’i drejtohet Gjykatës nëse plotëson kushtet ligjore. Por ky proces nuk është, në radhë të parë, në interes të familjeve bujqësore, sepse është më i kushtueshëm dhe kërkon më tepër kohë, ndërsa ligji synon që në mënyrë administrative të trajtojë dhe t’i japë zgjidhje këtij problemi të mbartur në vite.
Përmendët që krahas kërkesave që janë të depozituara në bashki, ka edhe familje të tjera që nuk posedojnë asnjë lloj dokumentacioni. Ka të dhëna Ministria e Bujqësisë se sa mund të jetë numri i tyre?
Në total, përqindja e familjeve bujqësore që kanë tokë, por që nuk kanë dokumentacion pronësie në raport me totalin e familjeve që kanë qenë objekt i ligjit është relativisht e vogël. Bëhet fjalë për 5 për qind e familjeve që nuk kanë dokumentacion pronësie.
Këtu përfshihen edhe kërkesat që janë aktualisht në bashki?
Po, përfshihen. Në total nuk është shifër e konsiderueshme, por për zona specifike, siç janë zona e Shkodrës, Malësisë së Madhe, Hasit dhe Kukësit, është shumë i rëndësishëm që të përmbyllet si fenomen. Në këto zona janë të përqendruara pjesa më e madhe e familjeve që s’kanë dokumentacion pronësie. Ndaj edhe kërkohet impenjim i veçantë i bashkive që të adresojnë këtë problem dhe pa diskutim interes nga vetë familjet bujqësore që sa më shpejt të jetë e mundur të paraqesin kërkesën për t’u trajtuar, pasi në të kundërt vetëpërjashtohen nga disa të drejta që lindin kur e ke titullin e pronësisë.
Gjithsej janë rreth 450 mijë AMTP të lëshuara deri më tani. Nuk është në tagrin tuaj procesi i regjistrimit në Hipotekë, por keni të dhëna sesa prej tyre e kanë përmbyllur të gjithë procesin dhe sot kanë në duar certifikatën e pronësisë?
Ky është një proces dinamik dhe vlerësohet pasuri më pasuri. Të dhënat e sakta duhet të merren nga Zyra e Regjistrimit. Informacioni që ne disponojmë është i pjesshëm. Ajo që mund të shtoj është se ne jemi shumë të interesuar që ato familje, të cilat e kanë titullin e pronësisë dhe ata që do ta marrin nëpërmjet këtij ligji, të përmbyllin sa më shpejt të jetë e mundur edhe marrjen e certifikatave të pronësisë. Për këtë ne jemi në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme në kuptimin e procedurave dhe për raste specifike edhe thjeshtimin e tyre. Ka një vendim të Këshillit të Ministrave se si bëhet regjistrimi i titujve të pronësisë dhe ne jemi duke e rishikuar për të adresuar disa probleme dhe vështirësi specifike që kanë dalë gjatë procesit dhe aty ku është e mundur ndonjë thjeshtëzim të procedurave. Në kuadrin e ndryshimit, një rol më të madh marrin bashkitë që duhet të shqyrtojnë rast pas rasti, aty ku ka pasaktësi në dokumentacion, mangësi apo gabime. Po shohim mundësinë të përcaktojmë vetëm procedura të domosdoshme, që nuk i kushtojnë shumë kohë dhe kosto qytetarit. Për më tepër, një pjesë të këtij angazhimi ta përballojnë bashkitë me administratt e tyre.
Ka qenë një proces i tejzgjatur ky i pajisjes së fermerëve me titull pronësie. Ka pasur ndryshime ligjore herë pas here, por pa rezultat. Në këndvështrimin tuaj, kujt i faturohet kjo vonesë, problematikave komplekse të procesit, mungesës së kapaciteteve apo neglizhencës, qoftë kjo institucionale, qoftë edhe nga ana e familje që posedojnë tokë?
Zgjatja e procesit nuk mund të shpjegohet me një faktor të vetëm. Vështirësitë janë të disa natyrave. E para, sepse procesi ka qenë masiv, d.m.th., kemi të bëjmë me një reformë, e cila nga përmasat është një nga reformat më të mëdha, më komplekse dhe më të thella në fushën e të drejtave të pronë- sisë. Numri i përfituesve është jashtëzakonisht i madh. Në disa raste ka pasur mungesë dokumentacioni, në disa raste ka pasur edhe neglizhencë të strukturave shtetërore që nuk kanë përmbushur detyrimin për t’u përgjigjur në kohë. Megjithatë, në zonat e Veriut të vendit ka pasur edhe një problematikë specifike. Familjet bujqësore kanë shkuar në kufijtë e vjetër. Ky ligj e pranon, çka do të thotë se pavarësisht se vendosja e tyre është në kufijtë e vjetër, zbatohen kriteret e ligjit 7501. Pra zgjidhja ligjore ekziston, tani mbetet vetëm një angazhim i përbashkët i familjeve bujqësore për të paraqitur kërkesën bashkë me dokumentacionin shoqërues pranë bashkive për t’i trajtuar ato.
Cila është praktika që duhet të ndiqet nga fermerët?
Praktika që duhet të ndiqet është relativisht e thjeshtë. Bashkitë kanë detyrimin që të bëjnë njoftimin publik, që të gjithë përfituesit të vihen në dijeni. Ato kanë informacionin e nevojshëm se cilat familje bujqësore nuk kanë dokument pronësie. Pas kësaj, familjet bëjnë një kërkesë në bashki, duke e shoqëruar me dokumentacionin që disponojnë. E rëndë- sishme është edhe përgatitja e planvendosjes. Kur familjet bujqësore e kanë mundësinë që ta përgatisin vet, mund ta bëjnë, në raste të tjera do të asistohen nga bashkitë. Pas kësaj, detyrimi i familjes bujqësore përfundon dhe çdo praktikë tjetër mbulohet nga bashkitë. Këto të fundit, sipas procedurave që parashikon ligji dhe vendimi përkatës i qeverisë, bëjnë verifikimet paraprake në terren, marrin konfirmimin e disa institucioneve shtetërore dhe, në qoftë se nuk rezulton asnjë problematikë tjetër, i paraqesin Këshillit Bashkiak listën e përfituesve. Më tej është kryetari i Bashkisë që procedon me plotë- simin e aktit të marrjes së tokës në pronësi. E gjithë procedura, nga kërkesa e familjes bujqësore deri te marrja e AMTP nuk zgjat më shumë se 90 ditë. Çka do të thotë se me zgjatjen e afatit kohor ne kemi të gjithë kohën e mjaftueshme që të trajtojmë edhe kërkesat e depozituara, edhe kërkesat e tjera që mund të paraqiten gjatë këtij procesi.
Çfarë do të ndodhë me ata të cilët e kanë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, do të kalojnë të gjithë në sitë? Çfarë parashikon ligji për këtë kategori?
Ligji parashikon dy qasje apo drejtime. Komisioni vepron dhe trajton kërkesat e familjeve bujqësore që mund të kenë një akt pronësie, por mund të ketë gabime, pretendime, konflikte dhe qytetari kërkon që këto të korrigjohen në përputhje me kriteret ligjore. E dyta, komisioni ka të drejtën që, nisur nga indiciet e institucioneve të tjera, të palëve të prekura, të shqyrtojë edhe rastet e deformimit të zbatimit të legjislacionit për tokën. Zgjatja e afatit për shkak të një numri kërkesash të depozituara dhe në rastet kur vendimet e komisionit kanë konkluduar me heqjen e tokës një subjekti që ka përfituar padrejtësisht, çështja dërgohet në gjykatë, sepse vetëm kjo e fundit ka autoritetin për heqjen e këtij titulli pronësie. Sa vendime janë marrë për heqjen e titullit të pronësisë? Janë rreth 1600 hektarë që është tokë e përfituar për interes publik dhe që shkon për fondin e kompensimit. Nga këto, 220 ha janë me vendime të formës së prerë, ndërsa 1600 ha është sipërfaqja e tokës me vendime komisionesh, që kthehet mbrapsht për shkak se është përfituar abuzivisht./Panorama/a.m.