Rafaela Prifti
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish- Sigurimit të Shtetit sapo i njoftoi familjarëve se dosjet do të jenë në disponim pasi të përmbushen kërkesat protokollare. Të dy vëllezërit ishin të survejuar dhe për të dy jeta mund të kishte shkuar në drejtim krejt tjetër për një veprim të vetëm, një shkrim, vepër apo edhe një fjalë goje. Në kujtimet që kanë lënë të dy evidentohet sesi pushteti i survejonte dhe njëherit tentonte të rekrutonte një vëlla për veprimtari agjenturore. Për ironi, të njëjtin pikësynim kishte edhe FBI.
Është një rast i rrallë në historinë memuaristike ku të dy vëllezërit kanë dhënë përshkrimet e tyre për përvojat që kanë pasur në këtë pikë: Peter Prifti, 1962-1966 FBI dhe Unë, Naum Prifti – Sigurimi Shqiptar Orvatet ta Rekrutojë Peter Priftin.
Shkrimin për përndjekjet e FBI-së Peteri iu lut Naumit të mos e botonte sa ishte gjallë dhe vëllai ia respektoi dëshirën duke e botuar pas vdekjes së vëllait në vitin 2010. Ja se ç’shkruan aty: FBI (Byroja Federale e Hetimeve) e kontaktoi Peterin për herë të parë në Boston në fund të vitit 1962, pak kohë pas vizitës së tij të parë si turist në Shqipëri. Në atë kohë ai ishte Asistent Shkencor në Qendrën e Studimeve Ndërkombëtare MIT – Massachusetts Institute of Technology
Naum Prifti e quante një nga paradokset e jetës faktin që ndërsa Peter përndiqej nga FBI nën dyshimin se ishte agjent komunist, regjimi komunist i Tiranës i refuzonte hyrjen -deri në prill 1985 – për arsye të dyshimeve se ishte “agjent i imperializmit amerikan” sikurse etiketoshehin shqiptarët që punonin në institucione amerikane. Natyrisht, nuk e përmendnin faktin se Peteri kishte refuzuar të rekrutohej nga Sigurimi Shqiptar. Gazeta Dielli e datës 17 tetor 2019 ka botuar shkrimin e editorit Dalip Greca, Dosja e Vatrës: Editorët e Diellit në Objektivin e Sigurimit.*
Vëllai i madh, Peter, i vetëdijshëm për pasojat që mund të kishte për familjarët puna e tij, kujdesej të publikonte në mënyrë anonime ose me pseudonim, siç është rasti i artikullit Albania in the Post-Hoxha Era – (Shqipëria në Kohën pas Enverit), shkruar nga PFR Artisien, studiues anglez dhe nga Peter Prifti, por e botuar vetëm me një autorësi. Ne librin “Remote Albania Politics of Isolation”, Onufri, 1999, Peter shkruan se ai vendosi të ishte anonim në këtë artikull për arsye personale meqë kishte 14 vjet që priste të merrte vizën për të ardhur në Shqipëri dhe nuk donte të jepte asnjë shkas që ta humbte shansin e vizitës në atdhe. Kjo fare mirë mund të ndodhte nëse nëpunësit shqiptarë do ta quanin “problematik” artikullin me bashkautorësinë e tij. Shkrimi është botuar në revistën “The World Today”, The Royal Institute of International Affairs, London, June 1985, pp. 107-111. (Si koment anësor mund të them se artikulli edhe sot të mahnit me parashikimin e të ardhmes politike të Shqipërisë pas vdekjes së Enverit, që autorët e shohin se “do kushtëzohet nga zhvillimet e kohës në arenën ndërkombëtare por më së shumti nga e kaluara e vendit.” Edhe pas 40 vjetëve analizës së shkrimit nuk i ka kaluar koha, sepse e ardhmja e Shqipërisë ka mbetur peng i të shkuarës!)
Ndërsa Peter ishte i kujdesshëm të ruante familjen në Shqipëri, nga ana e tij vëllai i vogël në Shqipëri, Naumi, kujdesej që të ndihmonte lejimin e ardhjes së tij në atdhe duke mbledhur shkrime ku Peter kritikohej për “qëndrime komuniste” në shtypin e diasporës shqiptare në Amerikë. “Peterit iu ndalua viza për të hyrë në Shqipëri, meqë ai refuzoi rekrutimin nga Sigurimi dhe meqë komunistët shqiptarë e kishin të tyren moton se “Kush nuk është me ne, është kundra nesh.” Ata e futën Peter Priftin në listën e zezë të atyre që u ndalohej hyrja në atdhe, njëlloj si emigrantëve politikë,-shkruan Naumi. Meqenëse viza iu refuzua disa herë, Naumi thotë në kujtimet e tij se “e ndihmoi fati të gjente disa kritika të hidhura kundra Peterit tek “shfletoja koleksionet e gazetës “Dielli” në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare.” Qëllimi ishte t’i mblidhte të gjitha së bashku për t’ia dërguar Ministrisë së Jashtme që nëpunësit të lexonin se Peter, i etiketuar prej tyre si “reaksionar” kritikohej prej anës tjetër se “herë pas here na çan kokën me politikën kundër Amerikës.”
Por. Naumi hoqi dorë nga ideja, ngaqë siç thotë, “e dija që ata besonin vetëm informatat që merrnin nga agjentët e tyre.” Më tej, Naum Prifti rendit disa fakte për Peter Priftin:
Më 1957 “Zëri i Amerikës” i propozon Peterit ta marrë në punë si redaktor të emisionit shqip. Peteri e refuzoi atë kërkesë. Në vitet 1959-1960, Peter shkon te “Dielli” si bashkë-editor me Qerim Panaritin. Pas një viti, jep dorëheqjen si bashkë-editor, boton një artikull për shkaqet e largimit por qëndron si Sekretar i Vatrës. Bashkë me Peter Vangel organizon një Seminar për Studime Shqiptare në Boston në gusht 1960, ku merr pjesë edhe Fan Noli. Më 1962, Peter Prifti vjen për vizitë si turist në Shqipëri. Pasi kthehet në Amerikë, boton një artikull rreth vlerave antike të Apollonisë.
Më 1963-1964 i dërgon Fakultetit të Gjuhës Angleze, Bibliotekës së Universitetit rreth 50 vëllime letrare të autorëve amerikanë edhe anglezë, të cilat ia kërkoi Profesor Skënder Luarasi për nevojat e Fakultetit. Peter i ofron një dhuratë modeste prej 5,000 dollarësh, duke ia besuar këtë detyrë vëllait të tij, Naumit. Gjatë një aktiviteti shkencor ai e paraqiti propozimin te rektori i asaj kohe Kahreman Ylli, i cili i thotë se do ta lajmëroj pasi të konsultohet, por nuk i dha përgjigje asnjëherë. Naumi i shkruan Peterit se “Universiteti ynë ka fondin e vet.”
Duke pasur në disponim së shpejti dosjet e krijuara nga Sigurimi do jetë me interes të shikohet pranëvëna e përmbajtjes së krijuar nga operatorët dhe institucionet e sistemit me përshkrimet që na kanë lënë vëllezërit Peter dhe Naum Prifti.
Peter Prifti, kush ishte personaliteti shqiptaro-amerikan
Peter Prifti ka qenë studiues dhe akademik shqiptar në Shtetet e Bashkuara, anëtar i departamentit të gjuhësisë në Universitetin e Kalifornisë, San Diego. Veprimtar i organizimeve dhe shtypit shqiptar në Amerikë, si editor i “Diellit” dhe sekretar i “Vatrës”. U lind në Rehovë më 24 nëntor 1924, shkollimin plotë e ndoqi dhe kreu në Ersekë. Më 1940 emigroi drejt Shteteve të Bashkuara ku kishte të atin dhe vëllanë e madh, në Filadelfia.
E filloi punën e tij akademike më 1969, me studimin monografik: “Kosovo in Ferment “, ndërsa punonte në Institutin Teknologjik të Masaçusets (MIT). Më pas ai do të radhitej krahas studiuesve anglisht-folës me libra të tjerë të shkencave politike si: Socialist Albania Since 1944, botuar më 1978, Confrontation in Kosova: The Albanian-Serb Struggle, 1969-1999, librin e vetëm në shqip; Mozaik shqiptar, botuar më 2003 dhe më 2005, monografinë nëm anglisht “Unfinished Portrait of a Country” një portret rreth të kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes së Shqipërisë. Prifti erdhi në Amerikë në vitin 1940, në moshën 15-vjeçare për të banuar me të atin dhe vëllain e madh, të cilët për arsye ekonomike kishin emigruar nga Shqipëria vite më parë.
Në vitin 1949, Peter Prifti diplomohet nga Universiteti i Pensilvanisë dhe vendoset në Boston. Aty njihet personalisht me Fan Nolin dhe fillon të punojë si sekretar i federatës pan shqiptare “Vatra”, dhe si redaktor i gazetës Dielli, së bashku me atdhetarin e njohur Qerim Panariti. Profesor Prifti ka shkruar e bashkëpunuar në fusha të ndryshme, si çështja e Kosovës, demokratizimi i Shqipërisë, dhe studime rreth historisë dhe letërsinë shqipe. Peter Prifti është vëllai i madh i shkrimtarit të njohur Naum Prifti. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.
Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të”. Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini : tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie.