Refugjatët, BE: Pesha më e madhe për Francën dhe Gjermaninë, nuk do të pranohen shqiptarët
Pavarësisht një situate gjithnjë e më alarmante, rruga që Europa duhet të ecë në ditët e ardhshme është ende e vështirë. Megjithatë dje ka ardhur një përgjigje pozitive, pasi krerët e unionit vunë në zbatim planin e Presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, për të strehuar 120 mijë refugjatë nëpërmjet kuotave. Pas shumë kontestimesh, Britania e Madhe do të hapë dyert e saj në katër vitet e ardhshme për 20 mijë refugjatë sirianë. Kryeministri David Cameron deklaroi se Qeveria britanike ka vendosur të ndihmojë ata refugjatë të cilët kanë më shumë nevojë. Cameron ka përzgjedhur të pranojë në Britani, refugjatët që ndodhen të strehuar nëpër kampe aty pranë, dhe jo ata që kanë kaluar Mesdheun për të arritur Europën. Ndërsa Franca dhe Gjermania do të mirëpresin 55 mijë refugjatë në vetëm 2 vitet e ardhshme, Qeveria e Parisit dhe Bundestagu gjerman kanë marrë edhe peshën më të madhe të këtij eksodi. Nga ana tjetër, Australia dhe Zelanda e Re, kanë ofruar ndihmën e tyre për të lehtësuar sadopak barrën e unionit për të strehuar refugjatë. Angela Merkel bëri thirrje të tjera qeverive që te bëhen pjesë e zgjidhjes, pasi rreth 45 mijë refugjatë kanë ngelur në pritje të një përgjigje se çdo të bëhet me fatin e tyre. Merkel tha se ndihej krenare për mënyrën sesi gjermanët mikpritën popullin sirian.
Ndërkohë në planin e BE-së përjashtohen vendet e Ballkanit, dhe mes tyre edhe refugjatët nga Shqipëria. Vendet edhe nga Ballkani do të futen në listën e të ashtuquajturve “vende të sigurta të origjinës”. Në këtë mënyrë personat, të cilëve u refuzohet kërkesa për azil, në të ardhmen do të dëbohen më shpejt drejt vendlindjes. “Kushdo që ka detyrim të largohet, duhet vërtetë edhe të largohet nga vendi ynë”, u shpreh kancelarja, e cila deklaroi gjithashtu, se do të pakësohet ndihma sociale për ata “që janë të detyruar të largohen” nga Gjermania. Por nga ana tjetër qeveria planifikon një lloj “mini ligj-emigracioni” për njerëzit nga shtetet e Ballkanit. “Kush mund të dëshmojë që ka një vend pune apo një vend për kualifikim profesional edhe nga këto vendet mundet të punojë tek ne”, tha kancelarja