Në 11 dhe 12 tetor, kur pritet të miratohet opinioni final, në Komisionin e Venecias nuk do të jetë vetëm presidenti Ilir Meta, por edhe kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Pas këtij momenti, pritet që parlamenti shqipatar të marrë vendim mbi fatin e Ilir Metës.
Për shkarkimin e tij duhen 94 vota, të cilat socialistët mund ti sigurojnë vetëm me konsensusin e opozitës së re.
Alban Zeneli, i cili është nënkryetar i Komisionit Hetimor dhe pjesë e grupit parlamentar demokrat, thotë se vendimi do të merret jo mbi deklarata politike, por vetëm pas analizimit të fakteve.
“Do t’ja lëmë gjithçka analizës profesionale që secili nga ne ka dhe pastaj do të marrim një vendim se cili është më i mirë dhe më afër me të vërtetën që ky komision të dalë me konkluzione përfundimtare me integritet”, deklaroi Zeneli.
Sa i përket reformës zgjedhore, Alban Zeneli, tha se opozita nuk do të votojë asnjë dokument që vjen si pazar mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
“Do të votojmë gjithçka që është në interes të qytetarëve shqiptarë, por absolutisht unë dhe deputetët e tjerë të opozitës në parlament nuk do të votojmë asnjë pazar, fejesë apo martesë, mes dy partive politike”, tha Zeneli.
Propozimin e demokratëve për një strukturë të posaçme e cilëson lajthitje.
g.kosovari