Gjermania kërkon nga Shqipëria që të mos humbet kohë për miratimin e reformës së re zgjedhore. Ambasadori i ri i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf ka zhvilluar një takim me bashkëkryetarin e reformës zgjedhore Damian Gjiknuri.
Teksa ka publikuar foton e takimit me ambasadorin gjerman, Gjiknuri thotë se ka rënë dakord me Rudina Hajdarin, që është bashkëkryetare e komisionit që këtë muaj të organizojnë një tryezë gjithëpërfshirëse mbi çështjet e sistemit zgjedhor.
“Me ambasadorin Peter Zingraf i cili ritheksoi interesimin maksimal të Gjermanisë për reformën zgjedhore. Diskutuam mbi ecurinë e deritanishme të këtij procesi, gatishmërinë e mazhorancës për të krijuar hapësirat e bashkëpunimit për opozitën parlamentare ashtu edhe atë joparlamentare.
Në kuadër të adresimit të kërkesave të opozitës parlamentare, me bashkëkryetaren e komisionit zj.Rudina Hajdari jemi dakordësuar të organizojmë brenda Shtatorit një tryezë gjithëpërfshirëse diskutimi mbi çështjet e sistemit zgjedhor“, shkruan Gjiknuri.
Duket se reforma zgjedhore do të jetë edhe pikënisja e dialogut mes shumicës dhe opozitës për kapërcimin e krizës politike në vend, pasi pak ditë më parë kryeministri Rama i shtriu dorën për dialog Lulzim Bashës, ndërsa kreu demokrat dha sinjale pozitive kur tha se kjo cështje është prioritet për PD-në.
Opozita jashtë parlamentare nuk ka anëtarë në komisionin e reformës zgjedhore, por kryeministri Rama i ka dhënë të drejtën e vetos për kodin e ri zgjedhor.
g.kosovari