Para dy ditëve, faktorët kryesorë politikë në vend, pas diskutimesh e debatesh të shumta saqë u desh edhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve arritën marrëveshjen për Reformën Zgjedhore.
Analistët politikë e komentuan konsensusin më shumë si garanci e pjesëmarrjes së opozitës jashtë parlamentare në zgjedhjet e vitit 2021 sesa një Reformë të plotë. Opinioni publik nga ana tjetër ka ngritur si shqetësim kryesor mos-përfshirjen e tryezës së diskutimeve të drejtës së votës për emigrantët.
Mirëpo nëse i hedhim një sy me vëmendje pikave të marrëveshjes vëmë re se e vërteta e pretenduar prej opinionit publik, analistëve dhe një pjese të deputetëve të opozitës në Parlament, është krejt ndryshe.
Vota e emigrantëve, si premtim dhe kërkesë e kahershme e Partisë Socialiste, është diskutuar dhe sanksionuar në marrëveshjen e 5 qershorit. Mjafton ti hedhim një sy neneve 24 dhe 25 për të kuptuar qartë se kjo çështje është përfshirë në agjendën e punës së Reformës Zgjedhore.
Në fotot e mëposhtëme janë pasqyruar neni 24 dhe 25 në të cilat shkruhet qartësisht se i Këshilli Politik i ka ngarkuar si detyrë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si organi i posaçëm teknik që me Akt Normativ dhe rregulla të posaçme të mundësojë aplikimin e votës në distancë e cila do të shpërndahet sipas qarqeve përkatëse në llogaritjen përfundimtare të rezultatit zgjedhor në Shqipëri.
Neni 25 përcakton se KQZ-ja ka për të detyrë që të garantojë integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës. Po ashtu në po këtë nen (shih foton më poshtë) përcaktohen edhe mënyra e votimit, afatet, dhe oraret.
Lidhur me këtë çështje deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh bashkëkryetar i Tryezës së Reformës Zgjedhore u shpreh se qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për ti ofruar KQZ-së të gjithë bazën e të dhënave, njohuritë dhe mbështetjen e nevojshme financiare për ta kryer me sukses këtë detyrim ligjor. (Lexo.al)