Nga Fatmir Merkoçi
Sikur të mos mjaftonte e gjithë zhurma për Reformën në Drejtësi, tashmë na del në dritë një fakt tjetër. Kërkohet “ Një paketë Kushtetuese”. Këtë ide e hedhin konstitucionalistët tanë, si znj Anastasi. Kuptohet që njerëzit bëhen servil të pushtetit, për përfitime personale, kjo dihet. Por që të bëhesh servil dhe kundrejt të huajve, kjo sikur mban pak erë. Kërkesa për këtë paketë, tregon haptazi se Kushtetuta jonë, jo është bërë letër bakalli, por është dhe jashtë çdo funksioni juridik.
Reforma
Fjala Reformë, po gjen hapësirë në të gjitha fjalimet apo diskutimet e politikave e shtetarëve. Kjo për të vetmen arsye. Ata tashmë janë të bindur në rrugën që do ecin. Për të mbuluar të gjitha lëvizjet e tyre, ata fshihen pas Reformës. Kështu ndodhi me arsimin, shëndetësinë, ekonominë, doganat etj., më e rëndësishmja është Reforma në Drejtësi. Kjo është reforma që lëviz shtyllën kryesore të vetë shtetit. Për këtë Reformë, e cila për hir të së vërtetës nuk ka as bosht, po e trumbetojnë si “levën e arkimedit” kjo reformë e cila ju duhet dhe pushtetarëve, është dhe Reforma më anti-kushtetuse..
Është anti-kushtetuese pasi, ajo nuk është e mbështetur në Ligj. Askush deri më sot nuk ka deklaruar se kush është baza ligjore e kësaj reforme. Të ngresh një strukturë pa ligj, do të thotë se që në hapin e parë ke shkelur vetë ligjin. Kur bëhet fjalë për Reformë, do të thotë se ke shkelur Kushtetutës. Për këto veprime anti-ligjore, askush nuk mban përgjegjësi, të paktën morale, se sa për ligjore, atë e ka marrë lumi me kohë.
Ashtu siç e kam deklaruar dhe në këto tre vitet e fundit. Shqipëria nuk ka nevojë për Reformë. Ajo ka nevojë për ndryshim. Pra janë dy gjëra komplet të kundërta. Këta kërkojnë reformë për të mbrojtur veten dhe për të realizuar qëllimet e tyre të mbrapshta, ndërkohë që situata dhe vendi ka nevojë për një ndryshim rrënjësor në sistem.
Në këtë vorbull. Në pamje të parë duket se janë futur dhe ndërkombëtarët. Ata i janë bashkangjitur idesë së Reformës, por herë pas here, kërkojnë dhe tejkalim të kësaj reforme. Ata gati sa nuk po bërtasin. “Nuk duhet Reformë por Ndryshim”, këtë po e bëjnë në një mënyrë diplomatike. Në të gjitha takimet. Ata po deklarojnë se duhen ndryshuar jo vetëm ligjet, por dhe të korruptuarit e të inkriminuarit. Si nga administrata ashtu dhe nga politika. Në momentet që kjo klasë politike bën sikur se kupton. Ata ngenë zërin duke kërkuar dhe largimin e të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve. Kërkojnë dhe ndryshimin e Kushtetutës. Mirëpo klasa jonë e korruptuar dhe inkriminuar nuk dëgjon nga ai vesh. Ata kërkojnë të nxjerrin disa ligj, të cilat i quajnë Reformë.
Sot dhe vetë EURALIUS, si organizatë ligjbërëse, duket se është kundra kësaj forme të Reformës. Vetë ky institucion, ka përgjegjësi për këto njëzet vjet pune në Shqipëri. Me sa duket, përvoja e deritanishme, e ka çuar deri sa ti heq dorezat e të flasë hapur. Por Komisioni i Reformës duket se nuk dëgjon nga ai vesh. Kjo mos dëgjesë, ka sjellë dhe reagimin e ashpër të vetë ambasadorit të OSBE-së duke përfshirë pa diskutim dhe ambasadorin Donald Lu. Tashmë të gjithë janë të bindur se kjo Reformë duhet konkrete. Duhen bërë ligje të cilat duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën.
Ligjet për Reformën.
Një punë e nisur mbrapsht, është më e mirë se ajo e pa nisur fare, thotë populli. Komisioni i vetë zgjedhur i reformës, po prodhon ligje për reformën. Kanë kohë që e bëjnë një gjë të tillë. Ky komision nuk është në gjendje të prodhojë ligje. Kjo për një fakt mjaft të thjeshtë. Këta nuk kanë ndryshuar akoma mentalitetin e tyre. Ndryshimi i mentalitetit do të thotë, se dhe ligjet do jenë ndryshe. Më të qarta e sakta. Por ajo që është më e keqja, të gjithë këta kanë qenë dhe drejtues të drejtësisë. Si të tillë mbajnë përgjegjësinë për gjendjen e drejtësisë. Mbajnë përgjegjësi si për dosjet që kanë zënë myk në prokurori, ashtu dhe për ato palo vendime që kanë dhënë gjykatat tona.
Në këto kushte. Komisioni ‘EKSELENT’ i reformës në drejtësi, nuk po bën asgjë më shumë, veçse po mundohet të “vjedhë“ disa ligje sa nga një shtet në një tjetër, ti përkthej me ‘translate’. Të mos i shqipërojë, pasi dhe gjuhën shqipe nuk e dinë mirë. Dhe së fundi t’i aprovojnë në atë Kuvend të korruptuar e të inkriminuar. Të gjitha këto ligje do kalohen pa u lexuar nga kuvendarët tanë. Ata do ti binden urdhrit të partisë dhe kaq. Kjo pasi, çdo buton votimi, komandohet nga partia.
Në të gjithë këtë, të ashtuquajtur Reformë në Drejtësi. Nuk ka debat profesional. Mungon katërciprisht oponenca profesionale. Të gjitha takimet janë të mbyllura brenda rrethit vicioz. Kjo ka bërë që për reformën në Drejtësi, të flitet shumë e të shihet pak. Vetë Kryetari i këtij Komisioni z. Fatmir Xhafa, nuk ka kurajo të përballet realisht në debat me oponencën reale. Në çdo dalje televizive, ose dilet vetëm ose me njerëz të komanduar. Kjo ka sjellë një mbyllje totale të punës së këtij komisioni.
Por dhe në se këto ligje i marrim si të mirëqena. Si ligje të bëra nga Prof. Dr. Akademikët tanë. A janë ligje që përputhen me legjislacionin shqiptar? Askush nga këta anëtar të këtij komisioni, nuk e jep këtë përgjigje. Sot po del qartazi se tashmë këto ligje nuk janë në përputhje dhe me vetë Kushtetutën. Prandaj sot, ngrihen “konstucionalistët” tanë dhe kërkojnë të bëhet dhe “Paketë Kushtetuese”. Por askush nuk tregon apo nuk e justifikon se përse duhet kjo paketë. Të vjen vërtet keq kur këto teori i dëgjon nga ata që japin të Drejtën Kushtetuese në Universitetet e Drejtësisë.
Kushtetuta.
Ligji më themeltar i Shtetit. Nga Kushtetuta burojnë të gjitha ligjet e Shtetit. Shqipëria e kaloi periudhën e tranzicionit kushtetues. Që më 1998 Shqipëria aprovoi Kushtetutën e saj me Referendum Popullor. Pra populli vendosi me votën e tij, formën e regjimit. Vendosi të gjitha ligjet bazë. Vendosi kompetencat e pushteteve, ndarjen e tyre, Kopetencat e Presidentit, të drejtat e njeriut, gjyqësorin, Qeverisë, Prokurorit etj. pra përfundimisht sovrani vendosi që Shqipëria të jetë Republikë Parlamentare.
Kjo Kushtetuutë pati mjaft debate. Realisht është një kushtetutë e cila ka defekte të mjaftueshme. Defekte që janë vënë në dukje qysh para aprovimit. Opozita e asaj kohe, e cila fatkeqësisht është po opozitë dhe sot, e që nuk bëri kur ishte në pushtet, kërkon ta bëj sot në opozitë duke bashkuar votat për ndryshimin e saj. Këtu ajo gabon. Gabon pasi nuk mundet që po të njëjtën Kushtetutë të vazhdojmë ta arnojmë. Arnimet e saja do sjellin pasoja të rënda.
Nëse do kërkohej ndryshimi i Kushtetutës, para fillimit të reformës, kjo do dukej normale. Ndryshimi i saj sot, kërkohet të bëhet për ti ardhur përshtat Reformës në Drejtësi. Në vija të trasha them se Reforma në Drejtësi, po kërkon ta sjell Kushtetutën në formën e saj. Pra sot, partitë politike po dalin haptas mbi vullnetin e sovranit. Ato nuk pyesin për votën e tij.
Kushtetuta, është vullnet i popullit dhe jo i partive apo Kuvendit. Kuvendarët nuk mundet të dalin mbi votën e popullit. Vota e kuvendarëve është një votë e cunguar. Ajo është një votë katër vjeçare. Vota e popullit është votë sa plebishitare aq dhe e përjetshme. Nuk mundet që një grusht njerëzish qofshin dhe të votuarit e popullit si përfaqësues të tij, të marrin kompetencat dhe të drejtat e një populli. Nëse kjo ndodh, ashtu siç ka ndodhur fatkeqësisht, nuk do ketë asnjë prodhim më shumë se sa një Diktaturë. Kjo do vij si pasojë e një mentaliteti të pa ndryshueshëm të klasës politike. Mentaliteti i Partisë – Shtet duket se është i pranishëm në çdo kuvendarë. Ata nuk shohin interesin kombëtarë, por atë personal, e servilizmin ndaj Kryetarit të tyre.
Për të qenë të besueshëm. Këta politikanë, ju drejtuan dhe Komisionit të Venecias. Këtij Komisioni ju drejtuam dhe më 1998-ën. Me bekimin e tij u bë Kushtetuta, dhe përfundimi tashmë dihet. Kërkohet të arnohet e riarnohet përsëri ajo.
Në të gjithë këtë amulli juridike, ajo që është kryesore, por që nuk pranohet nga kjo klasë politikë, është fakti se Sistemi ka rënë. Rënia e sistemit kërkon ndryshim e jo reformim. Nëse këta zotërinj, do ishin pak patriot e nacionalist për këtë vend, detyrimisht do pranonin dhe realitetin. Do pranonin se Shqipërisë i duhet një Kushtetutë e bërë nga shqiptarët. Një Kushtetutë që ti përmbahej dokeve,zakoneve, traditave dhe historisë së Kombit tonë. Çdo importim do ishte një zgjatje e agonisë të këtij sistemi. Nuk është aspak paradoksale që të pranosh rënien e një sistemi. Përkundrazi, tregon një pjekuri jo vetëm politike por dhe juridike. Kjo gjendje solli dhe reagimin e ndërkombëtareve si për dekriminalizimin, dekomunistizimin, ligjin e dosjeve etj. sot, ata po vënë dhe kushtin për futjen e Shqipërisë në BE Kusht i cili lidhet drejtpërsëdrejti me Reformat e ndryshimet. Pra, janë po këta ndërkombëtarë që kërkojnë dhe reformë dhe ndryshim. Përdorimi i dy termave tregon se zgjedhja është e vetë shqiptarve. Nëse do kemi reformë. (që ka gjasat më të mëdhaja për tu bërë). Do kemi një dështim total. Nuk do kemi asgjë më shumë se sa instalimin e një Diktaturës. Nëse do pranojmë ndryshimin (që ka gjasa të mos bëhet) do kishim një sistem të të ri. Një sistem që do kishte ndryshime të mëdha dhe që do bënte që vendi ynë të ndahej një herë e mirë, jo vetëm nga mentaliteti, por do kishim një drejtësi ndryshe, do kishim një ndarje pushtetesh, të cilat do ishin vërtetë të pa varura nga njëra tjetra. Kjo do bënte që do kishim dhe ndëshkueshmërinë e çdo politikani apo shtetari. Kam bindjen se ndryshimin do ta mirëpresin dhe ndërkombëtarët. Gjithashtu do tregonim se kemi kulturë politike e juridike.