Kryeministri Edi Rama ishte sot në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Arsimit “Reforma në tekstet shkollore: Tekste Evropiane për Gjeneratën e Re të Shqiptarëve”, ku ai foli për ato që i cilësoi si arritjet e revolucionit në tekstet arsimore.
Ky vit shkollor nis pa barrën e paperballueshme të qindra teksteve mizerabël, tha Rama duke iu referuar sistemit të altertekstit që nuk ekziston më.
Kryeministri Rama e cilësoi si një moment kthese historike për arsimin dhe sipas tij pjesë e kësaj kthese historike është edhe transformimi rënjësor i sisitemit të teksteve arsimore.
Sipas kreut të qeverisë , “pjesëmarrja e kësaj kthese historike është edhe ndarja me librat e skualifikuar dhe futja në sistemin tonë arsimor e tre burimeve të mirënjohura të cilësisë më të lartë europiane të dijes për fëmijët që hyjnë në shkollë”.
“Është mirëmenduar që këto tekste të fillojnë nga klasa e parë dhe e gjashtë, duke u dhënë atyre ajkën me të cilën ushqehen të gjithë fëmijët e Europës. Ajkën me të cilën ushqehen, shkollat, mësuesit dhe gjeneratat e reja të vendeve që i shohim me admirim dhe duam t’u ngjajmë”, tha Rama.
Duke folur për rritjen e buxhetit të arsimit, Kryeministri u shpreh se kjo nuk është githçka. “Historia na ka mësuar se shpenzimi i më shumë parave në arsim nuk garanton një cilësi më të mirë, nëse nuk bëhet një strategji e qartë me një vizion për të nesërmen e vendit”, tha Rama.
Prandaj, vijoi ai, “nuk dua të them sesa e kemi rritur ne buxhetin për arsimin. Kemi rritur dhe do të vazhdojmë ta rrisim. Flet më shumë ajo që ne po bëjmë për ta kthyer një sistem të rrënuar dhe korruptuar tërësisht, në një sistem funksional dhe transparent, ku cilësia vendos mbi gjithçka dhe për gjithçka”.
Duke folur për alterteksit, Rama tha se, “në vitn 2012 nxënësit kishin në total 1130 tekste, deri në 11 alternativa. Një nisëm që rezultoi një katastrofë me pasoja. Një kaos i jashtëzakoshëm, ku sigurisht përfitimet më të mëdha i nxorri korrupsioni dhe politika dritë-shkurtër”.
Më tej kreu i qeverisë foli për detyrimet që k kjo qeveri për të pastruar atë që ai e quajit “shtëpia jonë e përbashkët. “Ne në këtë qeveri jemi të detyruar t’i nxjerrim në pah të palarat e artikuluara për vite të tëra sepse kemi marrë vendim ta pastrojmë shtëpinë tonë në çdo nivel dhe çdo aspekt. Të palarat që dalin në shesh dhe skandalizojnë, sikur njerëzit s’ishin këtu më parë, apo shumëçka tjetër s’ishin këtu më parë, dhe kthehen në argument për të drejtuar akuzën ndaj nesh. Po s’ka problem, kjo është pjesë e përpjekjes. E thashë këtë për t’i kujtuar të gjithëve se gjithë përpjekjet për ta shndërruar një vend të katandisur në një rrëmujë totale, ku seicili përpiqet të kapë ç’të mund, është e pamundur të pastrohet në një kohë kaq të shkurtër”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, përveç cilësisë së teksteve është i nevojshëm edhe kualifikimi i mësuesve. “Synimi ynë është që çdo mësues të ketë kartën e vetë të krediteve, që do ta bëjë të paprekshëm”, tha Rama.
Qëllimi i aktivitetit të sotëm, ishte njohja e publikut të gjerë dhe grupeve të interesit me politikat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në drejtim të përmirësimit të cilësisë së teksteve shkollore për arsimin parauniversitar në Shqipëri.









