Reforma në drejtësi, debate në komision për draftin e ekspertëve
Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi u mblodh pasditen e sotme për të diskutuar rreth draftit të paraqitur nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë për ndryshimet në sistemin e drejtësisë.
Mbledhja u shoqërua me debate mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës për shkak të draftit, për të cilin të djathtët thonë se nuk është marrë parasysh opinioni i tyre.
Në nisje të mbledhjes, deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, u shpreh se drafti i paraqitur është produkt i ekspertëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë.
Ndërsa deputeti demokrat, Eduard Halimi, tha se për hartimin e draftit nuk është marrë parasysh mendimi i ekspertëve të Partisë Demokratike. Ai tha se drafti është miratuar në parim dhe nuk i është lënë kohë opozitës. “Kush u dha urdhër ekspertëve të vijojnë me draftet? Këto janë hile të vogla. Drafti nxirret të premten duke mos i lënë kohë opozitës”, tha Halimi.
Ndërsa përfaqësuesi i OPDAT-it, Snajder, ka theksuar se “dokumenti është rishikuar nga ekspertë të EURALIUS-it dhe OPDAT0it. “Dokumenti është hartuar, nga puna e përbashkët mes ekspertëve vendas dhe të huaj”, theksoi ai.
Në emër të të majtëve, deputeti Pandeli Majko ka sqaruar se drafti i paraqitur nuk është i Partisë Socialiste, por është hartuar një një grup ekspertësh të nivelit të lartë, vendas dhe ndërkombëtarë. Majko tha se edhe materiali i PD-së duhet t’i shkojë Komisionit të Venecias. “Materiali i ardhur nga ekspertët e nivelit të lartë nuk është i PS-së. Të shkojmë te Komisioni i Venecias të dyja palët bashkë. Të tregojmë elementet ku nuk biem dakord”, theksoi Majko.









