Një ish-oficer zbulimit shqiptar e ka analizuar në një pikëvshtrim krejt të veçantë dështimin e takimit mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. I ftuar në emisonin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Hajro Limaj, sot drejtor i institutit për Politikat e Sigurisë Kombëtare, ka akuzuar rëndë liderët e politikës shqiptare që sipas tij janë vënë në shërbim të agjenturave të huaja.
“Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur sa herë që Shqipëria është në udhëkryq, sa herë që SHBA investohet vetë për të zgjidhur një çështje madhore në Shqipëri, liderët tanë politikë nuk merren vesh duke dëmtuar interesat e kombit.
Dhe sa herë që ka një situatë në Prishtinë, ajo transferohet në Tiranë apo Shkup.
Dhe sa herë që ka situatë në Tiranë ajo më pas transferohet në Shkup dhe më pas në Prishtinë.
Mua më lind e drejta të them se këta politikanë janë në shërbim të agjenturaës serbe, se ndryshe nuk ka asnjë shpjegim tjetër” tha Limaj.
Pyetjes së gazetarit Qafoku nëse kishte prova për këtë akuza kaq të rëndë Limaj iu përgjigj duke treguar dy histori. E para kur gjatë kohës që Limaj shërbente në Turqi, një oficer i zbulimit turk i kishte thënë se UDB hedh vallë në Tiranë.
Dhe e dyta lidhet me një histori të vitit 1997, kur Limaj tregon se një oficer i lartë i shërbimit sekret shqiptar pati një debat të ashpër me kreun e SHIK të asaj kohe, Bashkim Gazidede në orën 23.00 dhe fjalët e oficerit ishin: “Zoti kryetar, përse i keni lënë të livadhisin agjentët e UDB. Ata janë ulur këmbëkryq dhe po hedhin valle në Tiranë”, tha Limaj, duke shtuar se nga ajo ditë ai oficer nuk ishte më pjesë e shërbimit secret shqiptar dhe aktualisht jeton në SHBA.
Më tej Limaj shtoi:
“Mua më lind e drejta që të them se duke qenë se asnjëherë ky shtet nuk është marrë me veprimtarinë e agjenturave të huaja dhe kryesisht të UDB-së, duke bërë që ky shërbim të hedh valle në Shqipëri. Është antikombëtare – shtoi Limaj – që liderët tanë politikë nuk bien në një mendje për të vënë interesat e tyre në shërbim të kombit, por vënë interesat e kombit në vend të tyre dhe kjo i bënë ata që të jenë në qetë”.
“Si ka mundësi edhe pse ka tre vjet që është shtyrë një reformë me interes të madh kombëtar dhe liderët e politikës shqiptare janë në qetë? Si ka mundësi që diplomatët amerikanë dhe ata të BE-së shprehen se nëse kjo reformë nuk do të miratohet tani, negociatat me BE-në do shtyhen edhe tre vjet dhe liderët e politikës shqiptare janë të qetë? Si ka mundësi që gjendja e popullit është shumë e keqe dhe këta politikanë janë kaq të qetë? Ka vetëm një përgjigje sipas Limajt: Janë në shërbim kundër interesave kombëtare duke i shërbyer shërbimit sekret serb” – tha Limaj.
Prandaj sipas tij në mënyrë urgjente lidershipi politik, ai i përgjegjshëm duhet të marrë masa që të eliminojë këto lidhje dhe të vërë interesin e kombit si çështje parësore.
ma.me