Nga Mero Baze
Kuvendi i Shqipërisë sot u përfshi në një debat pasi shumica propozoi faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në fshat. Jam i paqartë pse PD ulërinte nga vendi dhe e vetmja fjalë që dëgjova ishte ajo shprehja e deputetes që tha “ju ha mut goja”.
Në fakt, opozita duhet të ulërasë jo pse u falën gjobat fshatarëve, por, bashkë me socialistët, duke qenë përgjegjës 34-vjeçarë të gjendjes në fshatin shqiptar, të ulin kokën dhe t’i hyjnë një reforme konsensuale derregullimi për fshatin.
Po ju sjell një fakt të javëve të fundit. Dy “inspektorë” kanë gjobitur T.K., një banor të një fshati në Jug, me 35 milionë lekë dhe kanë urdhëruar shembjen e një godine për një ndërtim në tokën e babait të tij, pavarësisht se ai kishte një kontratë me Bashkinë e Tepelenës për ta marrë tokën në përdorim dhe për të bërë një ndërtim të përkohshëm. Natyrisht, ai e ka tejkaluar dhe ka bërë një ndërtim më solid. Qëllimi i tij është të kthehet nga Tirana dhe të jetojë aty.
Gjoba tmerrësisht e jo proporcionale, prishja e ndërtimit dhe ndjekja penale janë sikur të dënosh me vdekje një 70-vjeçar që ka vendosur të kthehet në fshat e të jetojë në një shtëpi modeste që kushton 10 mijë euro.
Pse ky fshatar ka shkelur ligjin?
E ka shkelur sepse nuk mund të marrë dot një leje ndërtimi normale. Për këtë, i duhen aq shumë dokumente dhe pagesa sa me ato mund të ndërtojë shtëpinë. Për një shtëpi në fshat duhen po aq letra sa për një kullë në Tiranë, dhe meqë fshati quhet edhe “zonë e mbrojtur”, duhen edhe më shumë.
Nga ana tjetër tokën e fisit e ka marrë me qira, pasi nuk mund ta marrë dot me letra për shkak të reformave gjysmake që janë bërë për fshatin. Një banori i njihen vetëm 300 metra katrorë nga toka e vjetër, duke e diskriminuar në krahasim me qytetarët që përfitojnë nga ligji i oborreve.
Kjo ka bërë që fshati të boshatiset në mënyrë të frikshme, sepse xhungla ligjore ua bën të pamundur fshatarëve jetesën sipas rregullave. Fshati ka nevojë për një reformë të menjëhershme derregullimi.
Çfarë duhet të bëhet?
Së pari Plane urbanistike për fshatrat
Çdo bashki dhe qeveria shqiptare duhet të hartojnë plane urbanistike për çdo fshat, ose të lënë në fuqi planet rregulluese të kohës së komunizmit për shumicën e fshatrave ekzistues. Në bazë të planit rregullues, bashkitë duhet të nxjerrin një kod ndërtimi për shtëpitë në fshat me projekte tip nga bashkia. Secili që kërkon të ndërtojë një shtëpi duhet të marrë një projekt të gatshëm menjëherë, që të quhet leje ndërtimi.
Së dyti trajtim me të njëjtin standard të jetës në fshat dhe qytet
Në fshat, si në qytet, bashkitë duhet të merren me problematikat sociale dhe infrastrukturore. Në qytet ndëshkohet ai që zë rrugën apo shqetëson komunitetin, ndërsa në fshat këto probleme shpesh injorohen duke u quajtur “halle fshati.”
Kështu në fshatrat e quajtura turistikë të Shqipërisë, turistët përleshen me qentë e staneve apo qentë që rijnë rrugëve, bigëtit nuk kanë më rregulla se sa afër fshatit jetojnë e ku kalojnë, ndërsa çdo I çmendur mund të bëj ligjin në fshat.
Së treti duhet një paketë inkurajuese për kthimin në fshat
Qeveria duhet të ofrojë ndihma sociale dhe lehtësira për ata që duan të kthehen në fshat, sidomos për të moshuarit që vendosin të jetojnë aty. Greqia fqinje natyrisht ka shumë më tepër mundësi se ne, por ajo ka mundur ta ripopulloj pjesën veriore të saj fqinje me Shqipërisë përmes stimujve financiarë për ata të moshuar që kthehen të jetojnë në fshat apo që mbajnë hapur shtëpitë aty. Ne I presim me policë tek dera dhe gjobaxhinj që “zbatojnë ligjin”.
E katërta, dhe më e rëndësishmja, qeveria duhet të krijojë paketa ndihmash financiare për bujqit dhe blegtorët, që të mos jenë konkurruese, por detyruese. Për shembull, nëse një blegtor ka bagëti, ai duhet të pajiset me NIPT dhe të kompensohet për çdo litër qumështi që shet në baxho kundrejt faturës fiskale, por jo të mbetet kjo në dorë të institucioneve si AZHBR apo të tjerave të korruptuara, të cilat favorizojnë një grup në kurriz të të tjerëve. Subvencionet duhet të shpërndahen njësoj për të gjithë ata që prodhojnë, pa gara që krijojnë pabarazi dhe diskriminim në treg.
E njëjta gjë duhet të ndodhë me ndihmat financiare për bujqësinë. “Gara” për financime, përveçse është një procedurë e mbushur me korrupsion, krijon një treg të pabarabartë duke ndihmuar një pjesë dhe duke varrosur pjesën tjetër.
Nëse banorëve të fshatit nuk u lehtësojmë, të drejtën për të ndërtuar një shtëpi në tokën e tyre, të drejtën për të jetuar si njerëz në fshat, dhe të drejtën për t’u ndihmuar financiarisht për prodhimet bujqësore dhe blegtorale, atëherë fshati është i dënuar për t’u zhdukur.
Falja e gjobave për ndërtimet pa leje është një ndihmë e mirëpritur për momentin, por nuk e adreson problemin rrënjësor, që është mungesa e një strategjie serioze për fshatin shqiptar. Problemi i gjobave do të përsëritet vazhdimisht nëse nuk realizohet një reformë e thellë deregullimi për fshatin.
Thjeshtimi I ligjeve për fshatin dhe jetën në fshat është i domosdoshëm. Një banor i fshatit duhet të dijë saktësisht çfarë e pret nëse rikthehet të jetojë në fshat.
Fshati shqiptar praktikisht nuk ka më lidhje me shtetin shqiptar. Ai as taksohet as qeveriset dhe as merr ndonjë ndihmë nga qeveria. AI thjesht gjobitet ose falet sipas vullnetit të qeverisë, duke I shndërruar ata pak heronjë që mbajnë gjallë fshatin në skllevër të vërtet.
Turizmi I cili është potenciali më I madh I fshatrave të bukur të Shqipërisë është seriozisht I rrezikuar nga kjo mungesë e thellë e vëmendjes për legjislacionin në fshat.
Dhe kjo nuk dëmton vetëm turizmin e fshatrave, por dhe turizmin në bregdet pasi fshati duhet të jetë baza e prodhimit bujqësor për industrinë e turizmit. Në sot kemi miliona turistë dhe thjesht kemi shtuar miliardat e importit për produktet ushqimore dhe bujqësore, duke I nxjerr përsëri jashtë lekët që na sjellin turistët brenda.
Dhe kjo është pasoje e mentalitetit të qeveritarëve që mendojnë se “qumështin e bën dyqani” dhe ska rëndësi nëse ai është në Greqi, Serbi apo Shqipëri.
Mero, të lumtë.
Ke ngacmuar një plagë që është duke shpërthyer.
Fshati është atje ku therret qameti.
Nuk është fshat, ato lokalet ku venë e hanë dreka e darka, depuleshët e dy krahëve, por fshat është atje ku nuk vete makina e që,po braktisen çdo ditë.
Janë katandisur fshatrat me nga 5, 7 apo 10 banorë dhe të gnithë pleq. Bile, bile, edhe bagëtitë nuk u pjellin më, mbasi nuk ka kush merret me to.
Janë mbi 100 fshatra të boshatisur, nga jugu ne veri, dhe po degjojmë se do të na shkartisin popullsinë me arabë, tailandezë, koreano jugorë, vietnamezë e kush dreqi e i biri e merr vesh.
Duhet me urgjencë, parlamenti e qeveria, të ndermarrin nisma ligjore konkrete, për mos të degjeneruar akoma edhe më shumë, kjo situatë kancerogjene në fshatin shqiptar.
Eshte vertete interesante qe gjera kaq te thjeshta dhe te verteta qeverise ka nevoje t’ia kujtoj nje gazetar si M. Baze. Packa se kazani politik dhe mediatik merret vetem me krimin dhe cantat e shtrenjta te deputeteve. Ceshtja eshte aq e vertete sa , sipas meje, do ia vlente qe te kishim nje Ministri te Zhvillimit Rural, ne vend te pluriministrise se Gonxhes.