Në këtë kaos të arsimit shqiptar, ku faza e parë e reformës mbylli shumë universitete, dilema e një sërë aktorësh pro Reformës apo kundër konvergojnë në faktin nëse universiteti duhet të jetë publik apo privat; financimi i saj; llojet e programeve që afrojnë tregun e punës; profesoratin, financimet e pakta për kërkimin shkencor, autonominë dhe transparenca. Si sfinks qëndron buxheti i vogël, që e bën Reformën, një nga reformat më të vështira, e cila pa mungesën e vullnetit mund të shkojë drejt dështimit…
Nga BEN ANDONI*
Çerek shekulli pas rënies së Komunizmit në Shqipëri, sektori universitar dhe ai i kërkimit shkencor janë krejt jashtë reformimit. Jo vetëm të palidhura me sistemin e ri ekonomiko-shoqëror, por edhe jashtë bashkëkohësisë. Universitetet shqiptare janë bërë “fabrika diplomash”, mbajtësit e të cilave s’e gjejnë dot veten në tregun e punës.
Reforma e Lartë e Arsimit mendohet si shërimi i saj. “Emergjencë kombëtare ”, e quajti kryeministri Edi Rama në shkurt ‘014, nevojën e reformës. Ajo është shpallur, por me sa duket ka përballë një armik të madh, vetë komunitetin universitar, që paralajmëron protesta masive prej shtrenjtimit deri në 30% të studimeve.
Ndryshimi i fundit ligjor lidhet me vitin 2004, kur Shqipëria aplikoi një politikë agresive për liberalizimin e universitetit. Numri i regjistrimeve në universitetet publike dhe private u rrit ndjeshëm. Nga rreth 50 mijë arriti në 160 mijë në dy vitet e fundit. Por teksa të diplomuarit u trefishuan, ekonomia jo vetëm s’prodhoi vende pune për ta, por një pjesë e të laureuarve mbetën jashtë tregut, në pamundësi të rikuperonin investimin.
INSTAT raportoi më 2013 se gati 1 në 3 të rinj të papunë e kishin kryer universitetin. Kriza është komplekse dhe shpesh groteske. I biri i politikanit italian Umberto Bosi, “u regjistrua” në një nga universitetet pa diplomën e pjekurisë dhe mori pikë maksimale në degën e “menaxhim biznesit” pa ditur shqip dhe madje pa e shkelur fare vendin!!!
Aventura e tij të kujton faktin sesa realist është renditja e fundit ndërkombëtare e “News & World Report”, ku universitetet në Shqipëri nuk klasifikoheshin fare, njësoj me simotrat ballkanike, që s’kishin përfaqësues mes listës së 200 universiteteve elitare. Megjithatë një epokë e re premton të lindë me marrëveshjen shqiptare me Agjencinë Britanike të Akreditimit, ku Kryeministri shpalli nisjen e “fazës së dytë të reformës në IAL, akreditimin e tyre.”
Reforma
Në këtë kaos të arsimit shqiptar, ku faza e parë e reformës mbylli shumë universitete, dilema e një sërë aktorësh pro Reformës apo kundër konvergojnë në faktin nëse universiteti duhet të jetë publik apo privat; financimi i saj; llojet e programeve që afrojnë tregun e punës; profesoratin, financimet e pakta për kërkimin shkencor, autonominë dhe transparenca. Si sfinks qëndron buxheti i vogël, që e bën Reformën, një nga reformat më të vështira, e cila pa mungesën e vullnetit mund të shkojë drejt dështimit.
Detyrën e reformimit e pati Komisioni për Reformën në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, krijuar me urdhër të Kryeministrit, nën drejtimin e Prof. Arjan Gjonçaj. Në gjysmën e parë të 2014, komisioni duhet të plotësonte objektivat e qeverisë shqiptare. Kryesori ishte prodhimi i “Ëhite Paper”, një Raporti Shkencor për Politikën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimin Shkencor për të përballuar në tre faza situatat afatshkurtra- afatgjata të vendit.
Sfida
“Sipas parashikimit të fazave të vënies në jetë të reformës, mendoj se jemi ende brenda afateve të parapërcaktuara, por do duhej që Ligji i ri i Arsimit të Lartë të miratohej në parlament brenda janarit 2015, në mënyrë që mos krijoheshin vonesa, të cilat mund të ndikonin në ecurinë e reformës, sidomos të fazës së parë, parashikuar të përfundojë në qershorin e 2017”, tha i pyetur nga BIRN, atëkohë Prof. Dr. Aleksandër Xhuvani, anëtar i Komisionit për Arsimin e Lartë.
“Dokumenti për Arsimin e Lartë duhet të ishte një produkt kërkimi dhe analize shkencore por i tillë s’mund të quhet. Ligji që është në rrugë e sipër duhet të ishte produkt i një grupi shkencor nga jurisprudenca, akademizmi pedagogjik dhe teknika legjislative shqiptare”, u shpreh Majlinda Keta, lektore në Universitetin e Tiranës.
Çdo qeveri,e cila implementon një reformë duhet të sigurojë zbatimin me përpikmëri të ligjit. “Më vjen keq ta them, që siç treguan dhe masat e fundit të Ministrisë së Arsimit, ky zbatim ka munguar deri më sot. Është shumë e rëndësishme që zbatimi i reformës sonë duhet të monitorohet në mënyrë të pavarur dhe të vazhdueshme. Së dyti është ndërhyrja në vizionin e reformës/ligjit”, tha kryetari i komisionit Prof. Gjonça.
Kaosi ligjor i deritanishëm lidhet me ndërhyrjen në shumë nene, akte ligjore apo vendime qeverie. Kështuqë, ligji i vitit 2007 për Arsimin e Lartë ishte i mirë, por u implementua keq nga qeveria që e hartoi. Problemi mbetet te ndryshimi i mendësisë së individëve të përfshirë në reformë dhe mekanizmat e këtij ndryshimi.
Ankesat
Ndërkohë, Lëvizja “Për Universitetin” mëton se komuniteti universitar s’ndjehet i përfshirë. “Ne thjesht na u dha për herë të parë një draft amatoresk me 19 prill 2014, i shkruar nga një komision i ardhur nga jashtë universitetit, ilegjitim dhe i dyshimtë për konflikte interesi. Duke qenë të përjashtuar nga proçesi, rrjedhimisht edhe problemet që kemi realisht nuk marrin vëmendjen e duhur në draftet e reformës”, u citua Pavjo Gjini, një nga drejtuesit.
Sipas studentëve, aktorët që kanë marrë përsipër reformimin po dështojnë të ndjekin edhe vetë standartet e tyre. Reforma pritej të miratohej në korrik 2014, por nga rezistenca studentore dhe nga kritikat e mëdha që ngritën universitetet publike ndaj këtij raporti, reforma u shty nga Kryeministri për t’u miratuar në muajin tetor. Raporti Përfundimtar për Reformimin e Arsimit të Lartë nuk është diskutuar – ende publikisht.
Deni Sanxhaku, një prej aktivisteve të Lëvizjes shkon dhe më tej: ”Krijimi i lëvizjes përkon me propozimin e ngritjes së komisionit për hartimin e draft-reformës, një proces të cilin e konsideruam ilegjitim sa kohë përbëhej nga anëtarë në konflikt të dukshëm interesi, në një kohë ku shumë pak ishin në dijeni për proçesin vetë e akoma më pak ishin të përfshirë”.
Kundërshtimi mori hov, pasi Ministria rriti tarifat e studimit për vitet e para me 20-30% për qind krahasuar me një vit më parë. Open Data Albania, një strukturë e pavarur statistikore, referon se krahasuar me vitin akademik 2013/2014 tarifat vjetore të studimit në nivelin Bachelor pësuan rritje të konsiderueshme në nivelin 11.5% deri në 39.5%. Nga rritja e tarifave u prekën më shumë fakultetet në përbërje të Universitetit Politeknik të Tiranës.
Reforma-menaxhimi
Reforma parashikon rritjen e financimit shtetëror. Në raport cilësohet hapur se investimi aktual në Arsimin e Lartë është shumë i ulët në krahasim me vendet e zhvilluara por edhe fqinjët. “Nëse kjo qeveri do ulë financimin në arsimin e lartë atëherë s’do të ketë sukses në implementimin e reformës. Ajo parashikon diversifikimin e financimit që t’u japë mundësi IAL të rrisim autonominë financiare dhe t’i bëjë ato më të qëndrueshëm për zhvillimin e tyre në të ardhmen dhe të garantojë rritje cilësie”, shprehet z. Gjonçaj.
Krahasuar me shpenzimet buxhetore për vitin 2015, fondet për arsimin parashikohet të arrijnë në 11.1% dhe ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në 3.42%. Ndërkohë, mësohet se duke përfshirë edhe buxhetin për fondet rajonale, në tërësinë e tij buxheti për arsimin shkon 50.9 miliardë lekë, referuar Ministrisë së Arsimit. Por, analistët e llogarisin disi në rënie buxhetin universitar.
Komisioni për Arsimin e Lartë kërkon rritje të tarifave në mënyrë që universitetet të investojnë më shumë në përmirësimin e kushteve studimore dhe kuptohet edhe në cilësinë e universiteteve. Kësaj barre financiare iu shtua dhe një vendim i Këshillit të Ministrave më datë 15 Tetor, i cili vendoste tarifimin dyfish të provimeve të mbartura dhe parapagesën e 30% të tarifës së masterit si kusht regjistrimi.
Ndërkohë rritja e përvitshme e tarifave, privatizimi i konvikteve, mungesa e mensave publike dhe shumë vendime të marra nga Këshilli i Ministrave, si VKM e datës 15 tetor , e kanë bërë Universitetin ekonomikisht të papërballueshëm për studentët.
“Shteti duhet të rrisë financimin dhe së bashku me të përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien e institucioneve arsimore. Ka një moskuptim thelbësor mbi misionin e dyfishtë të IAL: prodhimi i elitave dhe ideologjive kombëtare si dhe plotësimi i nevojave të ekonomisë me specialistë. Misioni i parë është anashkaluar në frymë duke u konsideruar madje si pengesë zhvillimore. Më keq akoma, ka qarqe brenda dhe jashtë vendit, lobuese pranë politikës, që e kanë kthyer në mision të vetin shkatërrimin e arsimit kombëtar nën flamurin e ekonomisë së tregut”, akuzon Artan Boriçi, profesor në Universitetin e Tiranës.
“Ka një paradoks kjo reformë për sa i përket aspektit menaxherial dhe paradoksi qëndron në faktin se qeveria nga njëra anë do të pakësojë kontributin e vet buxhetor, e, nga ana tjetër do të shtojë kontrollin mbi menaxhimin e të ardhurave, që centralizohet në bordin e universitetit dhe në agjencitë shtetërore të krijuara sipas këtij ligji. Nëse shteti kërkon të ulë kontributin financiar duhet të rrisë autonominë financiare, gjë që nuk ndodh”, shprehet Mark Marku, pedagog dhe recenzent i këtij ligji.
Kurse prof. Xhuvani mendon se: financimi publik në lëmin e Arsimit të Lartë dhe Kërkim-Zhvillimit duhet të njohë rritje të konsiderueshme në krahasim me të tashmen dhe komisioni është në fazën e propozimit konkret të kësaj rritjeje buxhetore sipas fazave të përcaktuara.
Por afatet s’janë premtuese. “Reforma e propozuar, e cila, pas miratimit të ligjit të ri për Arsimin e Lartë shpresoj të fillojë të zbatohet menjëherë, është objektivisht një proces i gjatë. Si një projekt i rëndësishëm inxhinierie sociale, kjo reformë është një eksperiment makrosocial, që kërkon kohën e vet. Arsimi i lartë nuk jep rezultate në tremujorin e ardhshëm, as në dy ose në pesë vjet; ai ka të bëjë me inovacione dhe zbulime që mund të kërkojnë dekada të tëra. Por kjo nuk do të thotë që sistemi të mos reformohet”, shprehet sociologu dhe recenzenti i Ligjit, Fatos Tarifa.
Modeli
“Më vjen keq të konstatoj se ka një keqpërdorim të termit ‘Model’ dhe më tej edhe atij ‘anglo-sakson’, si në debatet gjatë hartimit të Raportit për Reformën, si edhe në konsultimet e bëra në çdo IAL. Në Arsimin e Lartë, flasim për sisteme të ndryshme të edukimit, jo modele.
Në reformën që rekomanduam në Shqipëri u mbështetëm kryesisht në sistemin britanik, duke pasur parasysh disa faktorë favorizues”, thotë z. Gjonçaj.
Modeli quhet i suksesshëm pasi vetë vendet evropiane po përpiqen të implimentojnë aspekte të tij. Vetë Bolonja ishte një lëvizje drejt këtij sistemi nga ana e vendeve europiane. Në fakt, sistemet nuk kopjohen por implementohen në përshtatje me kushtet specifike.
“Kur vjen puna për të ndjekur modelin më të mirë të universitetit, bota ka kohë që i ka kthyer sytë nga modeli amerikan dhe mëson prej tij. Shqipëria nuk mund të mbetet gjithmonë si ai “kau balash”, që dallon nga të tjerët dhe që ndjek një rrugë “të vetën” ikonoklastike”, citohet Tarifa.
Profesor Përparim Fuga qëndron më i tërhequr: “Mendoj se është herët për të dhënë gjykim për t’a klasifikuar modelin që është propozuar për reformën në arsimin e lartësi anglo-sakson,pasi duhet parë se si reforma e propozuar do të zbërthehet e transformohet në ligj, një version paraprak i të cilit ende s’është bërë publik as për grupet e interesit”.
Pavjo Gjini shprehet se: aktorët që morën përsipër reformimin e IAL-së po dështojnë të ndjekin edhe vetë standartet e tyre. Ky proces i ngjan i gjithë më shumë një farse se sa një tragjedie! Kurse kolegia e tij Sanxhaku aprovon se drafti i prodhuar ishte po aq joserioz. “Kushtet e jetesës dhe kushtet e studimeve të studentëve në Universitetet publike do duhej të ishin baza e shqetësimit të një reforme të thellë në arsimin e lartë”, shton ajo.
Publik po privat
Për z. Gjoncaj universitetet vendosen në kushte të njëjta në të gjitha aspektet e arsimit të lartë. Mbi të gjitha në aplikimin e të njëjtave standarte si në mësimdhënie edhe në kërkim shkencor, si në standardin e pedagogëve dhe në atë të infrastrukturës së arsimit të lartë.
“Qëllimi kryesor i reformës në këtë aspekt është ‘krijimi i një forme të re të universiteteve në Shqipëri’, një formë që synon përafrimin sa më të madh të universiteteve shtetërore dhe atyre private drejt një forme tjetër të cilësuar si ‘universitete publike’. Kjo nënkupton thellim shumë të madh të autonomisë dhe pavarësisë së universiteteve shtetërore, si dhe kalim të universiteteve private në fondacione apo institucione jofitimprurëse brenda kuadrit ligjor të domosdoshëm”, mendon Profesor Ardian Civici.
Sipas kësaj logjike brenda një fazë të parë 2-4 vjeçare, një fazë e ndërmjetme e aplikimit të reformës, universitetet shtetërore janë më të privilegjuara, në finalen e saj, pasi duhet të kemi një formë të re të universiteteve: universitetin e ri publik.
Autonomia
Ndërkohë kritikët e shumtë shikojnë ndarje të karakterit të autonomisë mes strukturave të Arsimit të Lartë, ku prioriteti sërish shkon te subjektet e shtetit. Prorektori i Universitetit Evropian Përparim Fuga shton se ka shumë rëndësi që ky ligj të përcaktojë saktë e qartë statusin, pozitën, kompetencat, detyrimet, të drejtat e ‘themeluesit’ ose ’pronarit’, qoftë ky shteti apo një privat, për të ndërhyrë ose jo në drejtimin e universitetit, sidomos në veprimtarinë e tij akademike. Mendoj se këtu zëfill autonomia e institucioneve akademike, të tjerat përcaktohen në varësi të kësaj.Nëse ligji nuk do jetë i saktë në këtë drejtim, pasojat do shfaqen fort, madje shumë fort, njësoj si në universitetet publike, edhe ato private.
Por prof. Tarifa mbetet skeptik se ndërsa financimi dhe ristrukturimi i sistemit të Arsimit të Lartë parashikohen mjaftueshmërish mirë dhe qartë, platforma e reformës ofron relativisht fare pak ide të reja mbi atë se si do të duhet përmirësohet përmbajtja e dijeve që studentët do marrin në universitet.
Raporti Përfundimtar tenton t’ndajë aspektin financiar nga ai akademik në mënyrë që aspekti financiar ta dominojë aspektin akademik, në vend të sugjeronte të kundërtën. Raporti u sugjeron universiteteve publike që në krye të tyre të kenë një ‘Bord Administrativ’ i cili siguron financiarisht universitetin duke rritur tarifat e shkollimit në mënyrë të konsiderueshme dhe duke vendosur veton mbi të gjitha veprimtaritë akademike që bordi i konsideron si të papërshtatshme për tregun.
Kërkimi shkencor
Thembra e Akilit e Reformës mbetet pa asnjë dyshim Kërkimi Shkencor. Për Dr. Markun
Kërkimi shkencor sërish çalon sa i përket procedurave dhe gjetjes së fondeve. “Universitetet shqiptare për shkak të politikave të ndjekura deri tani kanë investuar shumë në tendera rikonstruktimi por, shumë pak për kërkimin shkencor. Në këtë drejtim duhet një rikonceptim tërësor i kërkimit shkencor duke filluar nga normimi i punës shkencore të pedagogëve e deri tek projektet qeveritare për përfshirjen e univeristeteve në projektet e zhvillimit të vendit. Kjo kërkon rikonceptim të rolit të profesorit në sistemin universitar pasi ai sot është thjeshtë një mësimdhënës” .
Kërkohet edhe një decentralizim i administrimit të fondeve të kërkimit shkencor duke e çuar vendimmarrjen në departament. Kjo kërkon normal edhe rritjen e buxhetit të shtetit për punën shkencore gjë që nuk ka ndodhur.
I këtij mendimi mbetet dhe profesor Fuga që thotë se: Kërkimi shkencor mbetet pjesa më problematike e reformës dhe për mendimin tim trajtimi i tij deri më tani është larg nivelit dhe rëndësisë që duhet të kishte. Ende mbetet enigmatik një raport i një grupi të ngritur për reformën në shkencë, por besoj se konkluzionet e tij së paku për evidentimin e gjendjes së kërkimit shkencor sot në Shqipëri duhet të jenë shqetësuese.
Reforma duket e vështirë dhe utopike, ndërsa elementët e bashkuar të saj e bëjnë Reformën që ka filluar edhe Fazën e Dytë, gati të parealizueshme.
*Shkrimi është përgatitur fillimisht për BIRN dhe është botuar me pak ndryshime pak muaj më parë