Nga Fatmir Merkoçi
Referendumi në Angli për daljen apo jo nga BE-ja, pavarësisht nga rezultati, ishte një mësim i mirë për klasën politike, por dhe për vetë shqiptarët. Kjo, pasi klasa politike duhet të kuptojë se për çështje madhore vendoset me referendum popullor. Populli duhet të kuptoi se arma e vetme e tij në demokraci, është vota, dhe se ndryshimet e mëdha i takojnë vetëm atij për të vendosur.
Reforma në Drejtësi që po trumpetohet me të madhe, nuk është asgjë më shumë se sa ndryshimi i Kushtetutës. Kushtetuta ka rregullat e saja: Ajo përcakton formën e regjimit, mënyrën e qeverisjes, ndarjen e pushteteve, të drejtat themelore të njeriut.
Kushtetuta garanton votën. Është ajo që miratohet nga sovrani. Si e tillë, vetëm sovrani ka të drejtë ta ndryshoj atë nëpërmjet referendumit.
Sot, po imponohet një reformë në drejtësi, por po shitet si një reformë në gjyqësor. Pra kemi dy gjëra të ndryshme. Reformë në drejtësi, që do të thotë ndryshim sistemi, çka sjell domosdoshmërisht ndryshimin e Kushtetutës. Por ndryshimi i Kushtetutës nuk mundet të bëhet nga një grup njerëzish dhe të miratohet po nga një grup njerëzish. Kuvendi mundet ta diskutojë, por mandati i kuvendarëve është i kufizuar. Mandati i tyre nuk zgjat më shumë se katër vjet. Pra sado vota të ketë një Kuvend, edhe sikur 100% e kuvendarëve ta votojnë, prapë ai është i pa ligjshëm. Vetëm sovrani ka mandat të përjetshëm. Vetëm sovrani mundet dhe duhet ta caktoi ndryshimin kushtetues.
Problemi sot qëndron në faktin se, 57 nenet që ndryshohen në Kushtetutë sjellin një amulli institucionale. Jo vetëm kaq, por dhe i heq të drejtën sovranit në të drejtën e tij reale për të përcaktuar formën e qeverisjes së vendit.
Politikanët tanë kanë për qëllim ndryshimet kushtetuese, jo për efekt funksionimi më të mirë të sistemit, por për interesa meskine e partiake. Nëse do kërkonin një ndryshim real, atëherë duhej të bëhej një Kushtetutë e re e cila domozdoshmërisht duhet të ketë oponencën e saj. Sot kemi ndryshime rrënjësore në Kushtetutë dhe nuk kemi oponencë. Mungesa e saj tregon hapur se këto ndryshime janë të importuara dhe të imponuara nga ndërkombëtarët. Kryesisht nga Venecia e cila ka shumë mospërputhje reale më ndryshimet e miratuara prej saj. Ndryshim i Kushtetutës duket qartazi se është ajo që do të legjitimojë dhe të gjitha reformat që janë përgatitur, por që deri në ndryshimin kushtetues, janë të pa ligjshme.
Ligjshmëria e Reformës
Nëse duam të ndërtojmë një shtet ligjor, fillimisht duhet ti përmbahemi ligjeve. Janë ligjet ato që bëjnë funksionimin e një Shteti Ligjor. Deri më tani kemi ecur kuturu. Kemi bërë e ç’bërë ligje pa fund. Kemi shfuqizuar nene kodesh e kemi aprovuar të tjera, duke sjellë një amulli në gjyqësor e në institucionet shtetërore. Janë prodhuar VKM e më pas janë aprovuar ligje për funksionimin e tyre.
Jemi nga vendet e rralla në botë për prodhimin e ligjeve brenda një legjislacioni. Kjo ka bërë që bazat e shtetit të mos jenë të qëndrueshme, jeta të jetë e pa sigurt, largohen investitorët e huaj, prona nuk është e sigurt, pasi jo rrallë hipoteka del mbi vendimet gjyqësore, pasi i lejon vetes të bëj dhe interpretime, gjyqësori e prokuroria janë në çdo qelizë të polarizuara, korrupsioni rritet sikur është tregues i nivelit të mirëqenies, etj., etj. Kjo ka sjell që të kërkohet nga ndërkombëtarët Reforma në Drejtësi. Por në asnjë rast nuk është deklaruar nga ata, që kjo reformë të bëhet në mënyrë të paligjshme. Ligjshmëria e saj do sillte dhe një siguri e besim se kjo është reforma që duhet.
Reforma në gjyqësor e prokurori.
Këtu kemi të bëjmë me një vullnet të plotë të vetë pjesës së drejtësisë. Kjo reformë është mjaft e thjesht për t’u bërë. I ngjan pak fabulës së vezës së Kolombit. Mirëpo politikës nuk i intereson kjo. Ata nuk duan pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë. Ata duan që të mos i lëshojnë këto dy institucione. Me pretekstin e reformës ata, duan të heqin gjyqtar e prokuror kundërshtar politik dhe të vendosin ushtarët e partisë së tyre.
Nëse e shohim se kush po e bën këtë reformë, kuptojmë se kjo është reformë politike. Kjo reformë nuk lufton korrupsionin, kjo veç e kthen atë në korrupsion partiak e politik. Grupi i ekspertëve të ” nivelit të lartë” nuk është asgjë më shumë se sa ish drejtues të drejtësisë si dhe të njohur për bindjet e tyre politike. Kjo dhe për vetë faktin, se këta janë zgjedhur në skutat e politikës. Këta nesër do jenë ata që do zenë vendet kyçe në drejtësi.
Reforma në prokurori e gjyqësor fillon që në universitet përzgjedhja e studentëve të magjistraturës ( ku sot duhet të paguash që të vazhdosh aty) emërimi si gjyqtar e prokuror, si dhe te siguria e vendit të punës, duke marrë çekiçin e drejtësisë në dorë pa asnjë eksperiencë pune. Kjo për vetë faktin se si zakonisht politika e ndryshoi Kodin Civil. E bënë thjesht për të larguar ndihmës gjyqtarët nga drejtësia. Kështu po bëjnë dhe sot me këtë reformë.
Sot, gjyqësori dhe prokuroria kanë një problem të madh. Të dyja janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Prokurorët ngrenë akuza të pa baza, gjykata i pranon dhe jep dënime sipas kërkesës së prokurorisë. Mungon hetim nga prokuroria, por mungon dhe hetimi gjyqësor. Këto nuk ka nevojë të rregullohen me reforma. Rregullohen me vullnet. Rregullohen duke ndryshuar KLD-në në përbërjen e formatin e saj. Duke vënë rregulla strikte për gjyqtarët.
Por siç shihet këtu më shumë kërkohet të kapet drejtësia se sa të bëhet drejtësi. Kjo dhe për vetë faktin e thjeshtë. Kur Kryeministri që flet kaq shumë për reformën sesi kuvendarë duhet ta votojnë atë, nuk e ka lexuar, çfarë pritet nga të tjerët? Pra, do të thotë se kuvendarët nuk e lexojnë. Nuk dinë se çfarë votojnë që di të thotë se do aprovojnë një reformë që nuk ja njohin pasojat. Kësaj i thonë Votim partiak. Tamam si në diktaturë. Prandaj jam shprehur dhe më parë: kjo reformë do sjelli diktaturë dhe një sistem parti-shtet. Zoti i ruajt shqiptarët pas kësaj reforme në drejtësi.