Përgatitja: 20 Min – Pjekja: 30 Min – Sasia: 4 Persona
Një ëmbëlsirë me karrota që mund të shërbehet si për mëngjes apo një mbasdite me një çaj. Kjo ëmbëlsirë muffin është ideale edhe për fëmijët. Nëse dëshironi mund ti shtoni edhe copëza të vogla çokollate. Kjo është dhe një recetë e shpejtë për tortë. Pra nëse dëshironi dhe nuk keni formën e posaçme për muffin mund ta hidhni e ta piqni në një tavë normale për ëmbëlsira.
Përbërësit për Ëmbëlsira Muffin me Karrota
400 gr karrota
3 vezë
300 gr miell integral
300 gr sheqer panxharsheqeri
200 ml vaj luledielli
1 pako maja për ëmbëlsira
1 lugë kafeje kanellë pluhur
1 lugë copëza çokollate(fakoltative)
pak sheqer pluhur
Përgatitja e Muffin
Fillimisht qërojmë, lajmë dhe presim në copa karrotat. I hedhim në një grirës elektrik dhe i grijmë mirë.
Në një enë qelqi hedhim vezët me sheqerin dhe i rrahim fort me rrahësin elektrik. Shtojmë ngadalë e pak nga pak vajin.
Në një enë tjetër bashkojmë dhe sitim miellin me majanë dhe me një lugë e shtojmë te masa e vezës. Shtojmë ngadalë miellin duke e përzier të gjithë përbërjen ngadalë.
Shtojmë po ashtu dhe karrotat e grira dhe kanellën pluhur,(nëse ju pëlqejnë, mund të shtoni dhe copëza çokollate).
Përziejmë mirë të gjithë masën derisa të jetë homogjene.
Masën e përgatitur e hedhim në format e posaçme për muffin dhe i pjekim në furrë të nxehtë 180°C përreth 30 minuta.
Pasi janë pjekur, i lemë muffin të ftohen dhe i shërbejmë me sheqer pluhur sipër.









