Lulzim Basha ka folur për herë të parë pas rikonfirmimit në krye të PD-së edhe për një mandat 4-vjeçar. Në një dalje për mediat, ai tha se ky proces tregoi se kauzat e PD kundër drogës dhe korrupsionit janë të drejta. Basha deklaroi se PD humbi zgjedhjet por jo dinjitetin. Sipas tij, misioni i PD tashmë është rikthimi i saj në drejtim të fateve të vendit.
“Vota e 60 mijë demokratëve konfirmoi se kauza jonë e çlirimit të vendi nga korrupsioni, droga, është kauza e drejtë e kohës e do shkojë përpara pa u ndalur. Gara për kreun e PD tregoi se kjo ëhstë forcë e amdhe, perëndimore. Ne demokratët humbëm zgjedhjet por jo besimin, nuk kemi humbur dinjitetin, forcën, kurajon. Me punën tonë do japim kontributin për të ardhmen e vendit. Misioni ynë është mision kombëtar”, deklaroi Basha.
Po ashtu ai falenderoi edhe kandidatin humbës Eduard Selami si dhe gjithë demokratët.
“E ardhmja e PD është e sigurt. Dua të falenderoj Eduard Selamin, që i vlerësoi demokratët dhe shkoi para tyre me një projekt, dhe u bëri thirrje ta votojnë. Sot jam i prekur dhe tërësisht mirënjohës ndaj të gjithë ju demokratëve. Vota juaj më bën të jem tërësisht i përulur, sepse i di brengat tuaja, vërejtjet tuaja ndaj meje. Dua t’ju them se vota juaj për mua ëshë një borxh i madh. Borxh që do ua kthej me punën, borxh që shlyhet vetëm duke e kthyer PD në drejtim të fateve të vendit”, tha Basha.