Edhe moderatori dhe producenti i Vizion Plus Turjan Hyska ka reaguar në lidhje me vrajen e dy turistëve çekë në Dukagjin të Shkodrës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hyska shpreh shqetësimin për këtë ngjarje të rëndë, por ndalet tek reagimi i një kombi të tërë për këtë ngjarje.
Sipas tij, në këtë mënyrë populli shqiptar nuk ka reaguar ndër vite për ngjarje edhe më të rënda, ndërsa tashmë është bërë bashkë për vrasjen e turistëve çekë dhe shqetësimit për “prerjen në besë”. E gjitha kjo sipas Turjan Hyskës vjen prej frikës se bota do të na shohë si të pabesë dhe mbi të gjitha si një popull i rrezikshëm. Por për të e gjithë kjo është një kancer që ne ia veshim vetë vetes dhe se do të ishte mirë që këtë sëmundje ta largonim nga vetja.
“Kur Zogu na preu në besë e iku, e harruam! Kur Enveri na preu në besë e na e bëri shpirtin “kukurec”, ia falëm! Kur Zotin e prenë në besë duke prishur çdo kishë e xhami, bëmë sikur nuk e kuptuam! Kur bënim njëri-tjetrin ushqim për peshqit në vitet ‘90, e kishin thjesht biznes ‘çunat e dëtit’, nuk ishte personale! Kur të ndëshkuarit politik të Enverit i preu në besë “demokracia”, i lamë vetëm, e madje i tallëm, i përdorëm si hambar votash dhe akoma flasim për t’u dhënë ca këste! Kur shumë njerëz kërkonin të dinin kush i dënoi në atë kohë, i kujtuam që janë “punë me zarar”! Kur gati hëngrëm njëri-tjetrin në ‘97-ën, na e kishte fajin politika! Kur vriten njerëz në bulevard, themi: Hajde se i ka demokracia këto. Kosovarëve, shqiptarëve të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës që i kemi prerë në besë prej 1900-ës, ç’t’u themi?
Apo… s’ka problem, ju presim në Durrës për pushime, dhe jemi të larë?
Vrasja e çekëve tronditi ndërgjegjen tonë kombëtare, ama vrasje turistësh ndodhin në çdo vend të botës. Turistë grabiten në çdo vend të botës, por nuk reagon një komb i tërë… dhe e dini pse? Sepse e kanë ndërgjegjen të pastër! Ne kemi frike mos bota na sheh si të pabesë… Ne kemi frikë mos bota kupton se pas asaj “besës” që trumbetojnë agjensitë turistike fshihet një komb i cili ‘vëllavrasjen’, zaptimin e pronës së tjetrit, grabitjen me maska të komshiut, kusarinë si formë të të bërit politikë i ka tashmë një kancer të rrezikshëm në trupin e tij të drobitur, e të përdhunuar ndër shekuj!Paralel me dhimbjen per cdo vrasje, te heqim kancerin qe na grryen perdite,do ishte me mire…” shkruan ai në Facebook.