Kryeministri malazez, Duško Markoviç ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Kufirit Shtetëror midis Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës. Markoviç ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes së kufirit është një lajm i mirë për marrëdhëniet dypalëshe, për Kosovën dhe perspektivën evropiane të rajonit.
“Ne përgëzojmë shumicën parlamentare në Kosovë. Ky është një konfirmim i aftësisë sonë për të zgjidhur shqetësimet e rëndësishme rajonale nga vetja, pa kërkuar ndërmjetësim. Ky është një lajm i mirë për marrëdhëniet tona dypalëshe, për Kosovën dhe perspektivën evropiane të rajonit. Me ratifikimin e marrëveshjes, Kosova përmbush një nga kushtet kyçe për liberalizimin e vizave dhe shpresojmë se së shpejti do të bëhet një realitet për të mirën e qytetarëve të Kosovës, siç ka qenë për qytetarët e Malit të Zi dhe të vendeve të tjera të rajonit”, ka thënë Markoviç.
Ai ka theksuar se Qeveria e Malit të Zi, është e kënaqur që ka kontribuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje duke promovuar bashkëpunimin tradicional të mirë me Kosovën, shkruan ‘Telegrafi’.
“Ne jemi të kënaqur që Qeveria e Malit të Zi ka kontribuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes promovimit të bashkëpunimit tradicional të mirë mes Malit të Zi dhe Kosovës, në frymën e vlerave evropiane dhe strategjinë e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe bashkëpunimin e mirë fqinjësor që Mali i Zi , si një lojtar përgjegjës rajonal dhe anëtar i NATO-s, është duke u zhvilluar”, ka shkruar Markoviç në Twitter.