Gjasat e mëdha janë që zyrtarët e lartë serbë – para së gjithash kryeministri Aleksandar Vuçiç – t’i premtojë sërish nënpresidentit amerikan Joe Biden, kur të vizitojë Beogradin, se do t’i arrestojë urdhërdhënësit e vrasjes se vëllezërve Bytyçi. Deri tani premtime të shumta të qeverive edhe aktuale edhe të kaluara se do të zgjidhin rastin Bytyçi nuk janë realizuar.
Këshilltari ligjor i familjes Bytyçi, Praveen Madhiraju, ka thënë se ka shumë gjasa që rasti të diskutohet gjatë vizitës së nënpresidentit Joseph Biden në Beograd, me shumë mundësi prapa dyerve të mbyllura.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 17 vjet nga vrasja e shtetasve amerikanë, Ilir, Agron dhe Mehmet Bytyqi, drejtësia serbe nuk ka ngritur ende një aktakuzë ndaj urdhërdhënësve të ekzekutimit.
Para dy muajsh, vëllai i tyre, Fatos Bytyqi, i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë takimit në Ëashington – dyshes udhëheqëse në qeverinë e kaluar Aleksandar Vuçiç dhe Ivica Daçiç- i ka ofruar dëshmi se Goran Radosavleviç, Guri, komandanti i Xhandarmërisë gjatë viteve 90-ta dhe drejtues i kampit në Petrovo Selo, ka dhënë urdhrin që vëllezërit e tij të vriten.
“Kur ua dhashë ato dokumente ata u tronditën. Thash: ja ku i keni, që edhe MUP-i serb t’i ketë. Ia dhashë kryeministrit Aleksandar Vuçiç. Që të dy u tronditën me dëshmitë se Guri kishte dhënë urdhrin për ekzekutimin e vëllezërve të mi. Dëshmitari i këtij rasti vazhdimisht merr kërcënime përmes telefonit, kurse i kanë edhe dëshmitarët e tjerë”, tha Bytyqi për Radion Evropa e Lirë.
Në praninë e zyrtarëve amerikanë, kryeministri Vuçiç ka premtuar edhe më 2014 edhe më 2015 se do të bëhet përparim në lëndën Bytyqi së shpejti dhe “shumë më shpejt se sa mund të pres dikush’, por asgjë nuk është bërë. Premtime të ngjashme kryeministri serb i ka dhënë nënpresidentit Biden dhe sekretarit të shtetit John Kerry, si dhe këshilltares për siguri kombëtare, Susan Rice.
Vëllezërit Bytyçi u vranë në vitin 1999. Pas arrestimit dhe vuajtjes së dënimit për kalim ilegal të kufirit të pashënuar, ata nga burgu në Prokuple u dërguan në Qendrën e Ministrisë së Brendshme në Petrovo Selo, ku u vranë dhe u hodhën në varrezë masive.
Milica Kostiç nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se Guri ishte drejtues i kampit në Petrovo selo në kohën e vrasjes së vëllezërve Bytyçi dhe se pa dijeninë e tij asgjë nuk ka mund të ndodh atje.
Prokurori i deritashëm për krime lufte, Vladimir Vukiceviç, tha në fund të vitit 2013 se prokuroria është në dijeni se urdhrin për vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi e ka dhënë ministri i atëhershëm i Brendshëm, Vlajko Stojilkoviç, i cili ndërkohë bëri vetëvrasje.
Urdhri, tha ai, është dhënë përmes gjeneralit të atëhershëm të shërbimit të sigurisë publike, Vlastimir Gjorgjeviç, i cili si i dënuar i Hagës po vuan dënimin me burg për krime lufte, deri tek zëvendës komandanti për përgatitjen e njësive speciale të policisë, Goran Radosavleviç, Guri.
Gurit jo vetëm që nuk i mungon një fije floku, por deri para gjashtë vjetësh ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Partisë Përparimtare Serbe. Pavarësisht ndikimit në parti, shtrohet pyetja pse Goran Radosavleviq është i “paprekshëm”.
Milica Kostiq, në mënyrë shumë të drejtpërdrejt, përgjigjet në pyetje:
“Është shumë e qartë se gjithnjë kemi pasur pengesa në hetimin e të dyshuarve ‘tanë’, të cilët kanë qenë ose janë ende pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë, pengesa qoftë nga organet shtetërore që nuk kanë qenë të gatshme që të ofrojnë dëshmi, të hapin arkivat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nga ana tjetër pengesat se njerëzit flasin.
Shumë më herët zëvendësi i prokurorit për krime lufte Dragolub Stankoviq pati thënë qartë se kurdo që të hetohen krimet e luftës, dhe përmendi posaçërisht policinë, gjithnjë hasim në heshtje”, thotë Kostiç.
Se bëhet fjalë për mos gatishmëri të sistemit të Serbisë për të zgjidhur këtë çështje flet edhe deklarata e Predrag Markoviq, zyrtarit të lartë të Partisë Socialiste të Serbisë, partnerit në koalicion të ‘përparimtarëve’, e dhënë në fund të shkurtit, pas vrasjes së dy diplomatëve të rrëmbyer serbë në Libi, në bombardimin e pozicioneve të ISIS-it nga SHBA-ja, ku qenë dërguar diplomatët.
Markoviq, atëbotë, tha se amerikanët kanë humbur të drejtën morale që të kushtëzojnë Serbinë me vëllezërit Bytyqi.
“Kjo tregon qartë mungesën themelore të vullnetit politik që rasti Bytyqi të zgjidhet, që të njihet si krim i kryer nga forcat serbe, se shteti serb qëndron prapa tij dhe se kjo është fshehur. Nuk ekziston ky vullnet”, tha Kostiq.
Ajo është e bindur se Guri gëzon mbrojtjen politike për shkak të asaj që përfaqëson dhe për shkak të atyre që do t’i tërhiqte pas, në rast se hapet hetimi ndaj tij:
“Nëse ai do të ishte figura e parë zyrtare e lartë që do të procedohej, do të hapeshin dyert për të tjerët, dhe i kemi shumë më shumë në shtet, sepse ky është hapi pas të cilit vështirë se mund të kthehemi prapa.
Njëherë kur të ngitet aktpadia dhe seriozisht niset procesi kundër një zyrtari të lartë, posaçërisht njerëzve që janë në funksionet shtetërore edhe sot ose të afërt me shtetin, kjo atëherë hapë një fushë deri tani të panjohur”, thotë Milica Kostiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare, përgatiti Express. (b.an)