Nga Ilir Yzeiri/
Debati i ashpër që u zhvillua mes gazetarit Andrea Stefani dhe Preç Zogajt ka krijuar një irritim të ligjshëm në opinion dhe ka nxjerrë edhe njëherë në reliev nevojën për largimin nga kjo lloj përballjeje.
As Andrea Stefani dhe as Preç Zogaj nuk kanë nevojë që të merren në mbrojtje dhe as të sulmohen nga mbështetësit e njërit apo të tjetrit, sepse ata i kanë të gjitha mundësitë që ta bëjnë vetë një gjë të tillë.
Personalisht nuk do të doja që Zogaj ta kishte provokuar Stefanin me pasqyrën dhe do të kisha dashur gjithashtu që edhe Stefani ta kishta kapërcyer atë provokim, por tashmë ngjarja ka ndodhur. Ndërkaq nuk mund të pranoj që mbi Andrea Stefanin të shpifet në mënyrë monstruoze duke falsifikuar deri edhe dokumente shtetërore dhe nuk mund ta kuptoj se si një gazetë që është pronë e një Universitetit privat (UET), gazeta MAPO, që unë e çmoj, të bëhet bartëse e kësaj shpifjeje të rrezikshme.
Po çfarë ka ndodhur konkretisht.
Menjëherë pas debatit të ashpër mes Stefanit dhe Zogajt, një pinjoll i familjes Blloshmi boton në forumin e tij një dokument që e paraqet si denoncim të bërë nga Andrea Stefani në dëm të të ndjerit Vilson Blloshmi, poet i pushkatuar në Librazhd.
Kastriot Dervishi, ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme që e njeh mirë atë dosje, thotë se nuk është e vërtetë. Ky dokument është një relacion për pyjet dhe firma e Stefanit mbi të është falsifikuar.
Kaq mjaftoi dhe gjithë berishistët e zemëruar e bënë kauzë të tyren këtë fakt.
Autori i këtij makabriteti e heq nga faqja e tij këtë shpifje të ndyrë, por e merr gazeta “Mapo” në versionin e saj on line dhe e publikon.
Andrea Stefani ka vendosur ta hedhë në gjyq këtë medie dhe të kërkojë dëmshpërblim. Unë personalisht jam në mbështetje të tij për shumë arsye.
E para, kultura e shpifjes që është bërë modë prej debatit parlamentar dhe mosndëshkimi i saj janë të papranueshme.
E dyta, e njoh nga afër Andrea Stefanin dhe nga shumë gjëra që më lidhin me të është veçanërisht ndershmëria intelektuale.
Ai i mbron me fanatizëm bindjet e tij dhe mirë bën. Por ai kurrë nuk i ka shkëmbyer ato bindje me të mira materiale.
Po ju them vetëm një fakt. Ai është gazetari që e mbron me më shumë dinjitet këtë qeveri ashtu sikundër edhe e kritikon kur bindet se duhet një gjë e tillë. Por ai nuk merr as edhe një cantim prek kësaj qeverie. Nuk bën pjesë në asnjë bord ministrash dhe kompanish shtetërore.
Ai jeton si gazetar vetëm me pagën prej kësaj pune. Para disa ditësh u zbulua një listë me këshilltarë e miq ministrash që merrnin shumë marramendëse, emri i Stefanit nuk është aty, sepse ai gjithë jetën e tij e ka ndërtuar mbi ndershmërin intelektuale.
Dhe e fundit. Para disa kohësh është miratuar Ligji për dosjet. Ka ardhur koha që shqiptarët të njohin bashkëpunëtorët e sigurimit dhe kriminelët që i rekrutuan atë dhe që kanë përgjegjësi për masakrën komuniste. Andrea Stefani, për çudinë e atyre që nuk e pëlqejnë, është nip i një të dënuari politik, ashtu sikundër është edhe nip i fotografit të parë të Durrësit, shkodranit Palokë Gurashit.
Pra historia nuk është ashtu siç duket dhe e vërteta nuk është ajo që na paraqitet. Për këtë arsye është më mirë që të flasë drejtësia. Dhe më në fund, është për të ardhur keq se si një pinjoll i një dëshmori të demokracisë përdor të njëjtën teknikë që përorte sigurimi i shtetit për të denigurar një kundërshtar idesh duke njollosur ato dokumente që e çuan në vdekje të afërmin e tij. Mjerim dhe degradim.