James Hamilton, ish-prokuror i Përgjithshëm i Irlandës për 11 vite, ishte njëri prej 6 raportuesve të Komisionit të Venecias, të cilët u takuan me aktorët e përfshirë në reformën në drejtësi.
Pak përpara largimit nga Tirana, në një intervistë për Top Channel, zoti Hamilton thotë se Shqipëria tashmë ka nje projektligj shumë ambicioz, që e trajton problemin e korrupsionit në drejtësi.
“Mbi çdo gjë që kemi dëgjuar, të përgatisim raportet dhe t’i paraqesim ato në Komisionin e Venecias, i cili do të miratojë raportin përfundimtar”.
Raportuesi i Komisionit të Venecias deklaron se, “Reforma në drejtësi është një projekt shumë ambicioz, që nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimet e rëndësishme në Kushtetutë për të krijuar një proces.E gjithë kjo është bërë në kuadrin e një reforme të madhe të drejtësisë penale, që përfshin një numër të madh projektligjesh organike. Kështu që, ne duhet ta shohim në këtë kontekst, si pjesë e një pakete të vërtetë, mjaft të ndërlikuar ligjore. Vlerësimi nuk do të jetë një detyrë e lehtë”.