Një ekspozitë e artit pamor shqiptar me vepra të zgjedhura në pikturë, skulpturë dhe grafika, e hapur në Prishtinë, Gjakovë e Mitrovicë në vjeshtën e 1972, ishte vënën në vëmendjen e veçnatë të Sigurimit të shtetit shqiptar. Çdo detaj i këtij aktiviteti nga puna për hapjen e ekspozitës tek vizitorët, komentet e shumta etj, shënohet në një dokument prej 5 faqesh në formë raporti nga drejtoria e V-të e Sigurimit të Shtetit, e cila kishte në fokus të punës së saj mardhëniet e Shqipërisë me botën e jashtme.
Çfarë kishte për tu shënuar nga Sigurimi i shteit në këtë ekspozitë të përgatitur me kujdes të tepruar nga institucionet shqiptare dhe ku sundonte ajo çka shtetit shqiptar i interesonte më së shumti të propagandonte në Kosovë?
Raporti sekret i drejtorisë së V-të analizon gjithçka nga pritja që ju bë kësaj ekspozite, interesi i pazakontë i vizitorëve (nga 800 deri në 1000 vizitorë në ditë) komentet në shtypin e shkruar dhe në televizione në Kosovë, Serbi e Kroaci, dhe diskutimet e artistëve e kritikëve që kishin krahasuar nivelin e artit në Shqipëri me atë në Kosovë.
Më tej në raportin sekret shënohen një sërë ngjarjesh dyshuese për Sigurimin e Shtetit. Ata raportojnë se piktori veteran Abdurrahim Buza, i cili shkonte në Kosovë pas 30 vjetësh, ishte sëmurë dhe kujdesi për ti ofruar shërbim shëndetësor nuk kishte munguar si nga para kosovare ashtu edhe nga Shqipëria. Në mungesë të tij, sipas raportit informative Pandi Mele, shoqëruesi i dytë i ekspozitës ishte shoqëtuar nga disa artistë kosovarë. Raoporti i sigurimit thekson se ata janë përpjekur ta joshin Pandi Melen me femra dhe para, ndërsa Mele kishte raportuar disa incidente në hotel, pasi ishte kthyer nw Shqipwri, mes tyre hapjen tinëz të valixhes së tij në dhomën e hotelit.
Dokumenti i mbushur me detaje të kësaj natyre zbulon shembullin më të qartë të paranojës, se si survejoheshin në mënyrë të ndërsjelltë artistët shqiptarë që shkonin në Kosovë dhe ata kosovarë kur vinin në Shqipëri. Dyshimet për agjenturë ishin gjithmonë të pranishme, ndërsa shkrimtarët dhë artistët detyroheshin të raportonin çdo lëvizje të tyren gjatë këtyre udhëtimeve.
Më poshtë e sjellim të plotë këtë raport bashkë me faksimilet e tij.
INFORMACION
MBI EKSPOZITËN TONË TË ARTEVE FIGURATIVE
NË KOSOVË
Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 1972, u hap në Kosovë një ekspozitë e arteve tona figurative me disa piktura dhe skulptura të Galerisë sonë të Arteve. Ekspozita në fjalë u hap në tre qytete të Kosovës: Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë. E shoqëronin piktorët Abdurrahim Buza dhe Pandi Mele.
Pritja e shokëve tanë nga ana e autoriteteve të Kosovës qe e përzemërt. Shoqata e piktorëve të Kosovës dhe në mënyrë të veçantë kryetari i saj, piktori Muslim Mulliqi, u kujdes shumë për vendosjen dhe organizimin sa më të mirë të saj. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë personalitete dhe persona me përgjegjësi në krahinë, si Asllan Faslliu, kryetar i Lidhjes Socialiste të popullit punonjës të krahinës; Drita Dobrusha, kryetare e Dhomës Kulturore-Arsimore; Sabit Zatriqi, kryetar i Dhomës Krahinore të Kuvendit të Kosovës; Bajazit Musli, nënkryetar i KE të Kosovës dhe Dragan Çukiq, sekretar krahinor për arsimin dhe kulturën etj.
Pas disa ditësh ajo u vizitua edhe nga Fadil Hoxha e Mahmut Bakalli etj., funksionarë partie.
Në përgjithësi ekspozita ka tërhequr vëmendjen e popullit dhe artdashësve si dhe të shtypit të Kosovës, radios dhe televizionit, të cilët shkruan dhe folën pozitivisht për të. Interesim pati edhe në shtypin jugosllav, ku u shkrua në gazetat e Serbisë dhe u transmetua në një emision të televizionit të Zagrebit.
Gjatë kohës që qëndroi hapur ekspozita u vizitua nga një numër i madh njerëzish, veçanërisht në Prishtinë, numri mesatar i vizitorëve ka arritur nga 800-1.000 veta në ditë. Për numrin e madh të vizitorëve, shokëve tanë u kanë thënë se deri tani asnjë ekspozitë nuk është vizituar nga një numër kaq i madh njerëzish. Vizitorët kanë qenë të ndryshëm: njerëz të thjeshtë, punëtorë, amatorë, artistë por më shumë nxënës të shkollave të mesme dhe studentë. Nxënësit kanë qenë të shoqëruar nga mësuesit e tyre, dhe kanë mbajtur shënime për çdo kuadër. Mësuesit u kanë thënë shokëve tanë se u kanë vënë detyrë nxënësve që pas vizitës të bëjnë një hartim për përshtypjet për ekspozitën e artit shqiptar. Shumë vizitorë kanë ardhur nga qytete të tjera apostafat për të vizituar ekspozitën si nga Peja, Ferizaj, Prizreni etj. Disa e kishin vizituar ekspozitën deri në 10 herë sipas pohimit të vetë vizitorëve. Shumë njerëz të thjeshtë kanë uruar shokët tanë për sukseset e artit tonë. Disa janë shprehur kështu: “Ky është art i vërtetë nga i cili duhet të mësojnë artistët tanë kosovarë” … “Kjo ekspozitë më shumë se çdo gjë tjetër, me siguri do të ndihmojë për mirë, sepse artistët kanë ku mbështeten dhe kjo është e shëndoshë, po ashtu pikësynimet e tyre janë të qarta, prandaj dhe hapat që bëjnë janë të sigurta, ndërsa te ne në Kosovë nuk ka një klimë të tillë, por secili prej artistëve punon për hesap të vet”. Duke parë skulpturën “Në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën”, shumë vizitorë janë shprehur kështu: “Kjo është motoja e jetës në Shqipëri dhe këtë moto e shohim në të gjithë përmbajtjen e ekspozitës e kjo na gëzon”.
Mendimet më pozitive kanë qenë për skulpturën pastaj për pikturën ndërsa për grafikën janë shprehur se është disi më mbrapa këtyre dy gjinive.
Ka pasur edhe disa mendime se “gjithçka që është arritur në artin shqiptar është e shëndoshë, por krahas realizmit, artistët shqiptarë duhet të punojnë duke provuar edhe rrymat e tjera të artit të sotëm botëror, bile dhe artin abstrakt”. Kurse disa të tjerë kanë thënë se “në ekspozitën shqiptare ka punime avangarde që përmbajnë elementë të artit bashkëkohor dhe shpejt a vonë edhe arti shqiptar do të arrijë atje ku ndodhet arti i sotëm kosovar”. Disa duke bërë krahasime kanë thënë: “Arti shqiptar qëndron prapa artit kosovar sidomos për nga shprehja dhe forma artistike”.
Përgjegjësi për artin dhe kulturën në komitetin krahinor Blerim Luzha, kishte shprehur dëshirën që në një të ardhme të afërt ta çojmë këtë ekspozitë në Beograd, por në këtë rast ai kishte thënë se kornizat e kuadrove nuk do të ishin të përshtatshme për atje.
Libër përshtypjesh nuk kishin vënë. Kjo sipas organizatorëve për arsye se në Kosovë nuk e praktikojnë këtë formë dhe për këtë rast edhe nga frika se mos ndodhte ndonjë gjë e papëlqyer.
Disa ditë përpara se të hapej ekspozita, ishte diskutuar disa herë për skulpturën “Në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën” dhe për grafikën me fjalën “Partia” nga cikli “Rruga jonë” që të mos ekspozohen. Skulptura, për shkak të peshës së rëndë (bronz) ishte lënë jashtë në oborrin e Shkollës së Lartë Pedagogjike. Atë e kishin futur menjëherë brenda për arsye se kishte tërhequr vëmendjen dhe ishte bërë objekt bisedash midis studentëve dhe kalimtarëve. Këto dy vepra u vunë në ekspozitë me pëlqimin e Mahmut Bakallit, i cili i kishte thënë Myslym Mulliqit të falënderonte në emër të tij shokët shqiptarë “që janë treguar shumë korrektë në zgjedhjen e përmbajtjes së punimeve të ekspozitës”. Për shqetësimin për skulpturën, M. Bakalli kishte thënë: “Qëndrim i disa njerëzve të vegjël mediokër, mbasi kjo skulpturë nuk ka asgjë provokuese”.
Përveç M. Bakallit, mendime pozitive për artin tonë shfaqi edhe Fadil Hoxha, i cili, i shoqëruar nga A. Buza, vizitoi ekspozitën disa ditë pas hapjes.
Disa çështje të tjera:
Pritja dhe trajtimi i shokëve tanë ka qenë shumë i mirë. veçanërisht u kujdesën për A. Buzën, i cili pas 30 vjetësh shkonte në Kosovë. (Ky është nga Gjakova). Kur u sëmur A. Buza, u mobilizuan të gjithë, deri te Mahmut Bakalli i cili dha urdhër që të bëhet çmos që ai të shërohet.
Ka bërë përshtypje interesimi i ambasadës sonë me telefon dhe vajtja e ambasadorit tonë për ta parë në vend të sëmurin e sidomos dërgimi nga Shqipëria i të birit të A. Buzës si gjest tepër human.
Gjatë qëndrimit për një kohë të gjatë të A, Buzës i sëmurë, Pandi Mele (shoqëruesi i dytë i ekspozitës) mbeti vetëm dhe këtë e shoqëruan shumë shpesh M. M. e të tjerë. Duke përfituar nga fakti se ai mbeti vetëm, M. M. i ka propozuar disa herë që të venë me femra dhe i ka propozuar t’i japë edhe para, në qoftë se ka nevojë për të blerë ndonjë send. Pandi Mele i ka thënë se këto gjëra nuk janë të hijshme dhe se ky nuk është morali i shqiptarit. Për sa i përket të hollave, Pandi i kishte thënë se nuk kishte nevojë dhe i kishte nxjerrë paratë që kishte nga xhepi për t’ia treguar.
Pandi Mele ka konstatuar se kanë qenë survejuar gjatë gjithë kohës dhe në të gjitha lëvizjet si në Prishtinë ashtu dhe në qytetet e tjera.
Në Hotel “Bazhur”, ka konstatuar se i kishin hapur valixhen disa herë. Natën vonë i binin ziles së telefonit të dhomës dhe bënin sikur kërkonin gjoja Universitetin ose ndonjë institucion tjetër. Në lidhje me survejimin, Istref Begolli, aktor i Teatrit Popullor të Prishtinës, në një bisedë me Pandi Melen i kishte thënë: “Organet e sigurimit jugosllav në Prishtinë, në kohën kur ka shumë mjete moderne përdorin metoda shumë primitive të cilat bien në sy. Edhe te ju në Shqipëri, – kishte thënë ai, – patëm ndonjë rast që na ra në sy, ndër të tjera Shani Pallaskës (aktor kosovar) ia trazuan teshat. Kjo ishte shumë flagrante dhe nuk na pëlqeu”.
M.M. i kishte thënë Pandi Meles se ata prisnin A. Buzën me F. Stamon dhe jo atë (Pandin) dhe pastaj i kishte thënë hapur pse vajti ai dhe jo Foto Stamo. Në këtë bisedë kishte qenë dhe një arsimtar me mbiemrin Begolli, i cili kishte shtuar se “A. Buza është burrë i vjetër dhe mund të gabojë në qëndrimet e tij, kurse Pandi i ri dhe nuk gabon kollaj pasi është edukuar në frymën e re të shoqërisë socialiste” etj., etj.
Me sa duket, ata kanë dyshuar se Pandi Mele është ngarkuar me ndonjë mision të veçantë dhe prandaj e kanë survejuar dhe janë përpjekur ta korruptojnë me femra dhe para.
Myslym Mulliqi, pas largimit të ambasadorit tonë nga Kosova, i ka thënë Pandit se Mahmut Bakalli ishte mërzitur shumë nga qëndrimi i ambasadorit tonë në Kosovë, i cili nuk mori kontakt me asnjë personalitet të Kosovës – sipas Mulliqit, Mahmut Bakalli e ka marrë këtë si një farë provokimi dhe mospërfillje ndaj tyre, “në një kohë kur marrëdhëniet midis dy vendeve tona po shkojnë drejt përmirësimit”.
Tiranë, më 22 janar 1973
Drejtoria V
Shqiptarja.com/d.i.