Në qershor të vitit 1998, Spartak Ngjela, në krye të një Komisioni të ngritur për trazirat e vitit të tmerrshëm 1997, përgatiti një raport për ngjarjet që shokuan botën.
Edhe pse atëhere me PD, Ngjela bën përgjegjës për këto trazira shtetin e drejtuar nga Sali Berisha, por mbi të gjitha kreun e SHIK, Gazidede, sipas të cilit, ’97-a ishte vepër e shërbimeve të huaja, me në krye CIA-n, dhe jo një revolt e shqiptarëve, pse iu vodhën paratë.
Pjesë nga raporti
Ç’ishte kriza financiare? Në rast se do të jemi pak të vëmendshëm menjëherë do të vëmë re se periudha gusht 1996 – nëntor 1996 ka qenë periudha më e lulëzuar e fenomenit të huadhënies nga publiku i gjerë, fenomen ky i cili në këtë periudhë rrok thuajse të gjithë shoqërinë.
Është pikërisht ky lulëzim i këtij fenomeni financiaro-psikologjik që solli neutralizimin e pakënaqësisë politike që shoqëria krijoi pas zgjedhjeve me probleme të majit 1996. Nga burime dokumentare të kryqëzuara në SHIK, rezulton se ky i ka informuar në mënyrë të rregullt gjatë muajit janar 1997 institucionet e larta të shtetit, edhe Presidentin e Republikës, edhe Qeverinë, për të gjitha grumbullimet dhe kërkesat e njerëzve, për të gjithë elementët që japin për të kuptuar se këto revolta ose demonstrime do të vijojnë dhe mund të shumohen. Kërkesat janë krejtësisht ekonomike, por aty nga mesi i muajit janar, gjithmonë sipas informacioneve të SHIK-ut, në këtë moment revoltash ekonomike fillon të hyjë opozita e atëhershme, e cila menjëherë u paraqet revoltave arsyen e vet politike. Është krejtësisht i pakuptueshëm fakti se si pushteti i atëhershëm politik që drejtonte shtetin shqiptar nuk jep asnjë shenjë reflektimi dhe është krejtësisht intranzigjent.
Kërkesa dominante e revoltave të kësaj periudhe është kthimi i parave të humbura. Po ta vështrojmë çështjen vetëm në këtë prizëm, Qeveria e atëhershme duhej të kërkonte zgjidhje brenda strukturave të veta ekonomike, ose të jepte dorëheqjen. Nga hetimi i deritanishëm, Komisioni konstaton se instituti i dorëheqjes si masë neutralizuese e provuar nëpër shoqëritë demokratike perëndimore, edhe kësaj here si gjithmonë mbetet i papranueshëm nga mentaliteti i qeverisjes në shoqërinë shqiptare. Theksojmë se Qeveria Meksi ishte e paaftë për të ndaluar krolin financiar mbarëshoqëror…
Në datën 26.1.1997 me vendimin nr. 294, Kuvendi Popullor autorizon Presidentin e Republikës dhe Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për të përdorur forcat e armatosura në ndihmë të Rendit Publik për ruajtjen e institucioneve shtetërore. Po këtë ditë, pra në 26.1.1997, Presidenti Berisha nën tagrin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nxjerr urdhrin nr. 25 “Për përdorimin e forcave të armatosura në ndihmë të Rendit Publik”. Në kontekstin e vendimit nr. 294, dt. 26.1.1997 të Kuvendit Popullor dhe urdhrit nr. 25, dt. 26.1.1997 të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, shohim se ka një kapërcim në precizimin e kontekstit të vendimit me përmbajtjen e urdhrit, sepse nëse vendimi nr. 294 i Kuvendit Popullor shprehet për përdorimin e forcave të armatosura në ruajtjen e institucioneve shtetërore në mbarë vendin, urdhri nr. 25, dt. 26.1.1997 i Komandantit të Përgjithshëm, nuk shprehet se sa duhet të jenë forcat që do kalojnë nga ushtria në rend, dhe që përdorimi i tyre do të jetë vetëm për mbrojtjen e institucioneve shtetërore.
Diskordanca inprecize midis vendimit nr. 294, dt. 26.1.1997 të Kuvendit Popullor dhe urdhrit nr. 25, dt. 26.1.1997 të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, z. Sali Berisha, na sjell në urdhrin nr. 19 të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë z. Sheme Kosova dhe me pas të urdhrit nr. 22, dt. 28.1.1997 të Ministrisë së Mbrojtjes, z. Safet Zhulali që urdhëron Brigadën Komando të Tiranës të çojë në Fier përforcime për Brigadën e Fierit.
Në rrjedhën e mbështetjes juridike që theksuam, më lart, në datën 10.2.1997, me shkresën nr.8, Ministri i Brendshëm z. Halit Shamata, kërkon të furnizohet nga Ministria e Mbrojtjes me 5 transportues të blinduar në ndihmë të rendit, ndërsa në datën 28.2.1997, nxjerr vendimin nr. 22 për kalimin kapital të mjeteve themelore prej 20 transportuesish të blinduar dhe 2 mjete të rënda nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes në strukturat e Ministrisë së Brendshme. Në datën 1.3.1997, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, z. Sheme Kosova, ka lëshuar urdhrin nr. 25 për lëvizjen e Brigadës së Tankeve Zall-Herr në drejtim të Fierit. Për këtë arsye mendoj se mënyra arkaike dhe pa sens demokratik e përdorimit të ushtrisë me përmasa të tilla e ngacmon popullsinë, acaron rrezikun e ndjenjës së ekzistencës dhe patjetër që u jep mundësi forcave politike opozitare të shfrytëzojnë psikozat kolektive të frikës dhe tensionit për ta sjellë shoqërinë në parametrat e një lufte civile. Për këtë arsye, nga këndvështrimi i analizës së mësipërme, Komisioni i jep këto përgjigje 4 pyetjeve të para:
1.Cilat ishin shkaqet që sollën një disekuilibrim total të shoqërisë?
Përgjigje: Disekuilibrimi total i shoqërisë shqiptare ka ardhur si pasojë e konkurrimit të dy pakënaqësive: Pakënaqësisë së shoqërisë për humbjen financiare, dhe pakënaqësisë së opozitës për manipulimin e zgjedhjeve të majit ‘96, pakënaqësi këto që erdhën dhe konverguan në një pikë ndaj një shteti intransigjent që nuk diti të përdorë mjetet politike për të shpëtuar shtetin dhe shoqërinë nga anarkia.
2.Cili ka qenë qëndrimi i shtetit dhe i institucioneve të tij në lidhje me revoltat popullore që u drejtuan kundër qeverisjes shqiptare?
Përgjigje: Qëndrimi i shtetit ka qenë krejtësisht i pavendosur për t’i zgjidhur konfliktet me një frymë bashkëpunimi me të dy palët që kishin humbur, edhe me ata që kishin humbur financiarisht nga falimentimi i skemave piramidale, edhe nga ata që i kishin humbur politikisht 8 muaj më parë nga manipulimi i zgjedhjeve.
3.Cili ishte shkaku i revoltave popullore dhe përse ato degraduan, nga revolta paqësore në përleshje me armë?
Përgjigje: Shkaku i revoltave është ai që paraqitëm më lart: aspekti financiar dhe aspekti politik i votimit, ndërsa shndërrimi i tyre në përleshje me armë ka ardhur për dy arsye: Së pari, sepse pushteti politik i atëhershëm i mbërthyer nga pasioni për të mbajtur pushtetin me çdo kusht u ndesh me pasionin e opozitës për ta rrëzuar këtë pushtet me çdo mjet.
4.A ka pasur mundësi që situata të zgjidhej me mjete politike pa kaluar në shkallën ekstreme që përjetoi politika? Përgjigje: Po, duke i qëndruar analizës së mësipërme, ritheksojmë edhe një herë se nga pushteti i atëhershëm politik deri në 9 mars 1997 nuk u provua asnjë mjet politik, gjë që padyshim është përgjegjësi e madhe e cila, duhet të na bëjë të mendohemi shumë për të ardhmen. Komisioni mendon se dorëheqja e Qeverisë dhe caktimi i ditës së zgjedhjeve të reja brenda vitit 1997, pra, ajo që u bë në 9 mars, do ta kishte shpëtuar gjendjen në rast se do të ishte ndërmarrë që në janar të vitit 1997.
Marrja e armëve nga popullsia civile dhe gjendja e jashtëzakonshme
1.Pse dhe kur vendoset gjendja e jashtëzakonshme? 2. Cili duhet të jetë raporti midis policisë dhe ushtrisë në gjendjen e jashtëzakonshme? 3. A hyn koncepti i mobilizimit të pjesshëm të ushtrisë brenda konceptit juridik të gjendjes së jashtëzakonshme? 4. A është i lejueshëm përdorimi i ushtrisë në gjendjen e jashtëzakonshme, dhe nëse është i lejueshëm çfarë kompetencash kushtetuese duhet të ketë Parlamenti në aplikimin e saj? Të gjitha këto janë krejtësisht të pasqarueshme, dhe nuk marrin asnjë përgjigje nga struktura juridike dhe konstitucionale e shtetit aktual. Por në anën tjetër është pikërisht kjo paqartësi e plotë juridike, e cila na ka sjellë në miratimin e ligjit nr. 8195, dt. 3.3.1997 që ka nxjerrë Kuvendi Popullor “Për disa masa për gjendjen e jashtëzakonshme”.
Dy janë rrugët që arsyeja shtetërore duhet të përdorte: ose kompromisi politik, ose ushtrimi i dhunës ndaj revoltës në lidhje me gjendjen e Shqipërisë në janar të vitit 1997, pushtetit politik të atëhershëm i precizoheshin saktë këto dy rrugë: ose të shkarkonte Qeverinë Meksi si të paaftë për të vazhduar më tej procesin e zgjidhjes së krizës financiare, me qëllim që të ulte revoltat që vinin si pasojë e kësaj krize; dhe në të njëjtën kohë të caktonte dhe një datë për zgjedhje të parakohshme në mënyrë që të qetësonte revoltën që vinte si pasojë e pakënaqësisë së akumuluar nga zgjedhjet e majit 1996 ose të ushtronte forcë përkundër revoltave në rritje. Pushteti i atëhershëm politik vendosi për rrugën e dytë. Komisioni konstaton se nga strukturat e Ministrisë së Brendshme, Gardës së Republikës dhe SHIK-ut u janë shpërndarë armë personave civilë me preferencë politike në Shqipërinë e mesme dhe atë të Veriut.
Mendojmë se administrata e lartë shtetërore e ka humbur ekuilibrin në këto çaste, dhe me mendjengushtësi e ka konceptuar revoltën që kish plasur në jug si një përplasje zonale jug veri. Momentet e dezertimit të ushtrisë nga forcat e operacionit të drejtuar nga Gazidede në Fier, si dhe ngjarjet e Përmetit, për të cilat disponohen dokumente, duhet të jenë momente të hetimit konkret nga Prokuroria…
Nga hetimi, Komisioni arrin në konkluzionin se vendosja pa sens ushtarak i Kryetarit të SHIK-ut si Komandant de facto i të gjithë ushtrisë, patjetër është një nga shkaqet që solli shkatërrimin e ushtrisë shqiptare. Për këtë arsye Komisioni i propozon Kuvendit Popullor që këtej e tutje me ligj SHIK-u të mos jetë më brenda strukturave të forcave të armatosura.
A kanë influencuar agjenturat e huaja në destabilizimin total që përjetoi shoqëria shqiptare?
Nga dokumentet që disponon SHIK-u, nuk gjendet asnjë e dhënë që agjenturat e huaja të kenë influencuar paraprakisht për maisjen e gjendjes që krijuan shpërthimet e situatës negative. Të bën përshtypje të madhe se relacioni që ka paraqitur përpara Parlamentit shqiptar Kryetari i SHIK-ut, z. Gazidede, në mars 1997, është krejtësisht i pambështetur në prova dhe fakte që duhet të kishte institucioni që ai drejtonte. Nga këqyrja e dokumenteve që iu bë SHIK-ut në lidhje me këtë çështje, Komisioni konstaton se nuk ka asnjë dosje në përpunim për zbulimin amerikan (CIA), nuk ka asnjë të dhënë që ky zbulim të ketë vepruar në Shqipëri kundër interesave kombëtare dhe stabilitetit politik.
/a.r