Nëse disa politikanë mburren para qytetarëve për fluturimet e thjeshta me klasin ‘ekonomik’, pra njësoj si qytetarët e thjeshtë, e kundërta ndodh me prokurorët, disa prej të cilëve rezultojnë se preferojnë udhëtimet luksoze VIP, me klasin ‘biznes’, me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Gjatë vitit 2015, shpeshherë, prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë udhëtuar me avion drejt vendeve të ndryshme evropiane, me klasin ‘biznes’, pra në vende të veçanta të avionit, tërësisht i vetëm dhe padyshim me një çmim shumë herë më të lartë se udhëtimi normal (klasi ekonomik). Ky është një nga konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në raportin e aludimit në Prokurorinë e Përgjithshme, mbi rregullshmërinë financiare, për vitet 2014-2015. Raporti, i zbardhur nga Shqiptarja.com, konstaton shkelje të ndryshme në zhvillimin e tenderave dhe sidomos në prokurimet me vlera të vogla, ku përfshihen edhe bileta avioni. Por, bie në sy se, njerëzit e organit qendror të akuzës, në shumë raste kanë preferuar udhëtimet luksoze dhe të shtrenjta me avion. Zakonisht, grupi që udhëton me klasin ‘biznes’ ka shërbime ekstra dhe të personalizuara.
Nuk dihet nëse prokurorët i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që të ofron kjo formë fluturimi. “Me urdhër shpenzimi nr. 263, datë 1.10.2015, është paguar…, për blerje bileta avioni copë 3, për itinerarin Tiranë-Zyrich-Tiranë (një biletë klasi biznes dhe dy bileta klasi ekonomik). Vlera e ofertës është 265 000 lekë, sipas faturës së thjeshtë tatimore nr. 4, datë 0.09.2015. Fituesi i renditur në vendin e parë është tërhequr nga gara. Me urdhër shpenzimi nr. 359 datë 25.11.2015 paguar…për blerje bileta avioni copë 2, për itinerarin Tiranë-Strasburg-Tiranë (një biletë klasi biznes dhe një klasi ekonomik). Procedurat janë zhvilluar mbi bazën e marrëveshjes kuadër të nënshkruara nga palët Prokuroria e Përgjithshme dhe operatori ekonomik… Me urdhër shpenzimi nr. 392 datë 23.12.2015 paguar…për blerje bileta avioni copë 2, për itinerarin Tiranë-Paris-Tiranë (një biletë klasi biznes dhe një klasi ekonomik). Procedurat janë zhvilluar mbi bazën e marrëveshjes kuadër të nënshkruara nga palët Prokuroria e Përgjithshme dhe operatori ekonomik… Fatura tatimore nuk nënshkrimin e përfaqësuesit të blerësit”, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku pasqyrohen vetëm disa nga udhëtimet VIP.
Grupi i kontrollit
Institucioni më i lartë i kontrollit financiar në Shqipëri ka kontrolluar veprimtarinë ekonomike të institucionit qendror të akuzës, tek i cili referohen shkeljet dhe abuzimet me natyrë penale, të zyrtarëve të nivelit të lartë. Një grup prej tre adutituesish dhe një drejtuese, të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë zbarkuar vitin e kaluar në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme, për auditimin financiar të organit të akuzës. Grupi përbëhej nga Mimoza Lloji, Melina Kabo, Hektor Kosova dhe Manjola Naço. Kjo e fundit ka monitoruar dhe drejtuar auditimin. Në bazë të planit të auditimit dhe konstatimeve, grupi i auditimit hartoi edhe raportin përfundimtar.
Udhëtime luksi
Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë udhëtuar me avion drejt vendeve të ndryshme evropiane, me klasin ‘biznes’, pra në vende të veçanta të avionit, tërësisht i vetëm dhe padyshim me një çmim shumë herë më të lartë se udhëtimi normal.
Klasi ‘biznes’
Zakonisht, grupi që udhëton me klasin ‘biznes’ ka shërbime ekstra dhe të personalizuara. Gjithsesi, nuk dihet nëse prokurorët i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që të ofron kjo formë fluturimi.
Shpenzimet e Prokurorisë për rikonstruktim zyrash dhe mobilie
Pajisje dhe orendi zyre
Për vitin 2014, si rezultat i rishikimit të buxhetit dhe rialokimit të fondeve në muajin dhjetor, fondi i planifikuar për pajisje dhe orendi zyre ka qenë 37 103 mijë lekë, realizimi faktik 36 726 lekë ose 96.38 %. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve është destinuar për pajisje me orendi të zyrave të prokurorive, planifikuar për rikonstruksione, shtesa kati dhe pjesa më e madhe e këtyre fondeve u planifikua për godinën e re të Prokurorisë së Rrethit Shkodër, 23 638 mijë lekë, fond i cili u realizua në vlerën 23 310 mijë lekë ose 98.61 %. Për aparatin e Prokurorisë së Përgjithshme u planifikuan 960 mijë lekë, ku u realizuan 942 mijë lekë, për Prokurorinë e Rrethit Berat u planifikuan 460 mijë lekë, ku u realizuan 428 mijë lekë, për Prokurorinë e Rrethit Durrës u planifikuan 1 093 mijë lekë, ku u realizuan 100 %, për Prokurorinë e Rrethit Elbasan u planifikuan 480 mijë lekë, ku u realizuan 483 mijë lekë, për Prokurorinë e Rrethit Fier u planifikuan 1 181 mijë lekë, ku u realizuan 100 %, për Prokurorinë e Rrethit Kavajë u planifikuan 680 mijë lekë, ku u realizuan 667 mijë lekë, për Prokurorinë e Rrethit Korçës u planifikuan 42 mijë lekë, ku u realizuan 100 %, për Prokurorinë e Rrethit Krujë u planifikuan 1 500 mijë lekë, ku u realizuan 1 950 mijë lekë, për Prokurorinë e Rrethit Lezhë u planifikuan 1 799 mijë lekë, ku u realizuan 1 195 mijë lekë.
Blerje dhe instalim kondicioneri
Fondi vjetor i planifikuar për këtë produkt ka qenë 1 866 lekë dhe është realizuar 1 785 lekë ose 95.65 %.
Rikonstruksion godine dhe blerje e instalim ashensori
Shuma e planifikuar për këtë projekt, në Aparatin e Prokurorisë së Përgjithshme, ka qenë 11 862 mijë lekë dhe është realizuar 11 596 lekë.
Ndërtim godine e re
Për vitin 2014, u planifikuan fonde për përfundimin e godinës së re në Shkodër 54 568 mijë lekë, fond i cili është realizuar 54 567 mijë lekë.
Sistemi i hyrje-daljeve me karta
Në Prokurorinë e Rrethit Elbasan ka qenë planifikuar shuma 450 mijë lekë, ku është realizuar 310 mijë lekë, për Prokurorinë e Rrethit Korçë, si rezultat rialokimeve të fondeve, u planifikua blerje dhe instalim kamerash në shumën 124 mijë lekë dhe u realizua në shumën 98 mijë lekë, për Prokurorinë e Rrethit Krujë u planifikuan 200 mijë lekë dhe u realizuan 180 mijë lekë.
Blerje gjeneratorë
Gjatë vitit 2014, si pasojë e rialokimit të fondeve u planifikuan blerje gjeneratorë për dy prokurori, duke avancuar kështu nga projektet e kërkuara për vitin 2015 e konkretisht: Për Prokurorinë e Rrethit Fier u planifikua shuma 1 500 mijë lekë, ku u realizua në shumën 1 356 mijë lekë dhe për Prokurorinë e Rrethit Dibër u planifikua shuma 1 500 mijë lekë, e cila u realizua në shumën 1 416 mijë lekë. Për nevoja të Prokurorisë së Përgjithshme u planifikuan fonde për blerje softueri në shumën 1 800 mijë lekë, ku u realizua në shumën 1 788 mijë lekë. Po ashtu, për pagimin e kolaudatorit dhe supervizorit, u planifikua shumë 1 735 mijë lekë, ku u realizua në shumën 944 mijë lekë.
a.ç