Institituti i Studimeve Politike ka publikuar ditën e sotme një raport në lidhje me sjelljen e deputetëve në Kuvend.
Në raport thuhet se ky sesion që lamë pas kuvendi nuk ka arritur të ushtrojë kontrollin e pushtetit ekzekutiv, ndërkohë që qeveria nuk ka dhënë llogari përpara parlamentit. Një vëmendje në raport i është dhënë edhe gjuhës bullizuese të përdorur nga deputetët të caktuar në seancat plenare.
“Në dallim nga legjislaturat e kaluara nuk pati bojkotim dhe as kontestim të parlamentit, si dhe sesioni nuk u shoqërua me protesta të dhunshme apo akte politike paralele me parlamentin. Megjithatë as këtë sesion Kuvendi nuk arriti të ushtrojë kontrollin e pushtetit ekzekutiv, qeveria nuk dha llogari përpara parlamentit dhe ky i fundit shpesh e njësoi veten me këtë pushtet” shkruhet në raportin e ISP
Në lidhje me gjuhën bullizuese, parlamenti vë në dukje përplasjen dhe gjuhën e përdorur nga nënkryetarja e kuvendit Felaj ndaj deputetes Tabaku duke e quajtur atë “grifshë” sipas raportit “Kodi i Sjelljes nuk u respektua dhe masat disiplinore nga Kuvendi ndoqën standarde të dyfishta, duke penalizuar vetëm deputetët e opozitës. Drejtuesit më të rëndësishëm të dy palëve politike ishin edhe bartësit kryesor të kësaj retorike, një zhvillim më negativ në krahasim me dy sesionet e tjera të kësaj legjislature.”
Në vlerësimin e ISP, deputetët me performancën më të lartë ka qenë Jorida Tabaku dhe Erion Braçe ndërkohë që grupet me më pak aktivtet janë ai i PSD dhe PDIU. Qarku më aktiv ka qenë qarku i Fierit ndërkohë që më pak i përfaqësuari ishte ai i Shkodrës. Gratë deputete kanë qenë 6% më efikase se burrat. 22 deputetë kanë zgjedhur që këtë sesion të flasin me “heshtje” pasi nuk marrë pjesë as në diskutimet në komisionet parlamentare.
Erion Braçe dhe Jorida Tabaku janë cilësuar edhe si deputetët më efiçentë në këtë sesion bashkë me deputetin Enkelejd Alibeajn. Në listën e deputetëve më pak aktivë renditen Flamur Noka, Edi Paloka, Belind Këlliçi, Ornaldo Rakipi, Tomorr Alizoti dhe Rrahman Rraja.
Sipas raportit, 36% e 19 deputetëve më pak eficentë janë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike ndërkohë që pjesa tjetër janë të shpërndarë në deputetët pa grup dhe socialistët.
Raporti ISP nënvizon se janë 23 nisma ligjore të dërguara nga deputetët për t’u votuar nga deputetët në formën e projekt-ligjeve. Raporti thekson se 9 prej tyre janë realisht nisma të deputetëve ku thekson 3 projektligjet e propozuara nga Jorida Tabaku, projektligji i propozuar nga Agron Shehaj, më tej projektligjet e propozuara nga Braçe dhe Vasili.
Si grupe parlamentare deputetët e aPartisë së Lirisë kanë një eficencë më të lartë me 46.5 pikë nga 100 të mundshme ndërkohë që deputetët e PD janë 41.8 pikë këtu nuk janë përfshirë deputetët demokratë që PD i ka deleguar në grupet parlamentare të opozitës që drejtohen nga Mediu dhe Idrizi.
Raporti vlerëson si modele pozitive mes deputeteve zonja si Jorida Tabaku dhe Flutura Açka (PD), Emilia Koliqi dhe Ina Zhupa (PD), Antoneta Dhima dhe Etilda Gjonaj (PS) Erisa Xhixho (LSI). Kurse modelet tek deputetët meshkuj ishin ato të Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj (PS), Bujar Leskaj dhe Ferdinand Xhaferaj (PD), Nasip Naço dhe Petro Koçi (PS), Agron Gjekmarkaj dhe Saimir Koreshi (PD). Një pjesë tjetër e madhe e deputetëve të dy gjinive ishin aktivë, por kryesisht duke imituar tezat, retorikën dhe sjelljen e liderëve të tyre politikë, ose duke riprodhuar në parlament materialet procedurale të përgatitura nga këshilltarët në komisione./m.j