Sali Berisha, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për fushatën elektorale.
Berisha u pyet nga Ylli Rakipi, se si e shpjegon që kundërshtari i tij e ka të bazuar të gjithë fushatën kundër tij dhe Metës dhe jo ndaj kandidatëve për bashkitë, pra faktin që mazhoranca e sheh si më efektive fushatën politike ndaj Metës e Berishës, si politikanë të konsumuar dhe jo ndaj kandidatëve të tyre, që garojnë në këto zgjedhje.
Ylli Rakipi: Kundërshtari juaj e ka bazuar të gjithë fushatën, te ju dhe Ilir Meta, duke i’u konsideruar si hallkën më të dobët, jo vetëm në këto zgjedhje, por në përgjithësi në politikë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitin 2021. Pra, socialistëve u rezulton se duke ju sulmuar ju, fitojnë pikë në publik.
Argumenti është ky, Edi Rama është një e keqe e madhe, por Sali Berisha dhe Ilir Meta janë politikanë shumë të konsumuar dhe me mëkate të mëdha. Duket si një frymëmarrje për Edi Ramën…
Sali Berisha: Ka një dallim esencial. Po ta analizosh me objektivitet fushatën, karakterizohet nga një frikë për vdekje politike e Edi Ramës ndaj Sali Berishës. Një tipar kardinal i zhvillimit në këto dy muaj, janë aktë që demonstrojnë frikën fatale të Edi Ramës ndaj Sali Berishës.
Rama shkeli çdo parim, për të asgjësuar Sali Berishën në letra dhe rregulla, vendime dhe i bëri këto, nuk u ndal. Ky njeri që sipas akteve që kreu, de juro e asgjësoi, ky njeri nga mëngjesi deri në darkë merret vetëm me Sali Berishës. Ai e ka ndërtuar këtë si i kapuri pas fijes së barit.
Në këtë aspekt, ai nuk beson në asgjë nga ato që ka bërë, se mund ta shpëtojnë. Kjo mua më kënaq, sepse unë e shoh atë.
Vijmë te modaliteti që përdor, e filloi me lopatën dhe hoqi dorë nga lopata, sepse e pa që duke rrëmuar hapej një gropë që mund ti thoshin është varri i tij politik. Ka marrë zorrën tani, ia hoqën nga barku dhe e ka marrë në gojë.
Tani kërkon të mashtrojë me zorrë. Po bëhet gjithçka për të qartësuar, se ai është në origjinën, akumulimi i të gjithë pushtetit në duart e tij, është origjina e kësaj drame që nuk ka ekzistuar në asnjë luftë dhe në asnjë pushtim.