Qeveria i ka hequr Presidentit kompetencën e dhënies së Medaljes së Artë për nxënësit e shkëlqyer.
Në Fletoren Zyrtare është botuar dje udhëzimi i ndryshuar për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për dhënien e Medaljes së Artë, në të cilën i vetmi ndryshim është zëvendësimi i fjalës “President” me “kryeministër”, duke ja dhënë këtë kompetencë kreut të Ekzekutivit.
“Nxënësve të shkëlqyer në vite pas përfundimit të arsimit të lartë të mesëm u jepet Medalja e Artë nga Kryeministri me propozim të ministrit të Arsimit”, thuhet në udhëzimin e ri.
Ndryshimi i bërë është kërkuar më herët edhe në rregullimet që u bënë në ligjin për Arsimin Parauniversitar. Udhëzimi i mëparshëm që mban datën 2 gusht të 2013 me firmë të ish-ministrit Myqerem Tafaj përcaktonte se Medalja e Artë për nxënësit e shkëlqyer jepej nga numri një i shtetit me propozim të ministrit përgjegjës.
Po prej dy vitesh kjo praktikë mbeti në letër pasi çdo emër që i dërgohej Nishanit nga Nikolla mbetej në letër. Një ankesë e tillë është shprehur dhe në komisionet parlamentare nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit.
Balkanweb