Nga Denis McShane*
Partitë socialiste dhe socialdemokrate europiane janë të gjitha duke përjetuar një periudhë të zymtë dhe të vështirë. Me një përjashtim – Ballkanin Perëndimor. Pa shumë zhurmë, Shqipëria dhe Maqedonia kanë zgjedhur këtë verë qeveri socialdemokrate.
I zgjedhur në vitin 2013 me një maxhorancë të brishtë, Edi Rama, kryeministri socialist i Shqipërisë, u rizgjodh me një maxhorancë të gjerë në qershor dhe do të vazhdojë të udhëheqë vendin e tij edhe për katër vjet.
I veshur me pantallona të shkurtra, atlete dhe një t-shirt të zi, kryeministri shqiptar, në rezidencën e tij verore në Durrës, në breg të detit, tregohet besimplotë dhe përgatitet të rindërtojë Shqipërinë.
Ish – student i Shkollës së Arteve të Bukura në Paris në vitet 1990, është një fans i presidentit Macron dhe dëshiron të vendosë lidhje të reja midis Shqipërisë dhe Francës. Ai ka qenë një kryetar bashkie shumë popullor i Tiranës për mbi 8 vite.
“Shqipëria ka qenë gjithmonë një komb, por ne duam të bëhemi një shtet që funksionon me korrektësi”, thotë ai.
Ai nuk subvencionon më kompaninë kombëtare të shpërndarjes së energjisë dhe detyron përdoruesit të paguajnë faturat e tyre, në dallim nga qeveria e mëparshme e djathtë që kërkonte vota duke premtuar furnizimin falas me energji elektrike.
Përpjekje reale për të reformuar ekonominë
Z.Rama ka trashëguar një shërbim policor dhe rendi lehtësisht të korruptueshëm. Aktualisht, oficerët e vjetër të policisë kanë dalë në pension dhe shkolla e re e policisë formon gjithnjë e më shumë oficere femra. Numri i vrasjeve është zvogëluar në mënyrë spektakolare dhe shtetet balltike rregjistrojnë dy herë më shumë vrasje se Shqipëria/për banor. Universitetet private që jepnin diploma universitare vetëm me pagesë janë mbyllur. Mësuesit u ftuan të reformojnë programin dhe eleminuan 600 tekste shkollore që nxënësit i mësonin më parë. Gjysma e Qeverisë Rama përbëhet nga femra. Aktualisht është e ndaluar që të pish duhan në vende publike. Në një deklaratë, që do të surprizonte Jeremy Corbyn, ai shpjegon me gëzim
“Programi ynë është shumë “New Labour” : modernizimi i shtetit, një ekonomi e shëndoshë tregu dhe rritja e pagave për punën e nënpaguar”.
Por mbi të gjitha, kryeministri interesohet për Europën. Kur u bë president i Komisionit Europian më 2014, Jean-Claude Juncker njoftonte se nuk do të kishte më zgjerim para 2019. Vendet e Ballkanit perëndimor, si Shqipëria, kanë bërë përpjekje reale për të reformuar ekonominë, për të hequr qafe gjyqtarët e korruptuar, për të eleminuar praktikat e korrupsionit brenda aparatit shtetëror. Ata kanë kaluar shpejt vendet e Europës së lindjes, që u pranuan më 2004 dhe 2007.
Serbia më afër Moskës se Brukselit
Vendi që dominon në këtë rajon është Serbia e cila tani është më afër Moskës sesa Brukselit. Vladimir Putin i jep asaj avionë luftarakë dhe mjete ushtarake dhe ndikimi mediatik i lajmeve të rreme ruse është mjaft i dukshëm në shtypin dhe mediat serbe. Aleksander Vucic, presidenti serb, flet për bazën amerikane Bondsteel, në Kosovë, sikur ajo të ndodhej në territorin e Serbisë dhe nuk humb asnjë mundësi t’i kujtojë diplomatëve europianë dhe Uashingtonit pretendimet serbe në territorin e Kosovës.
“Ka me të vërtetë nevojë për perspektivën e një antarësimi në BE, me qëllim që Shqipëria të mbetet e përqendruar në reforma dhe modernizim”, deklaron z.Rama, që thotë se është gati të pranojë një antarësim pa gjithë të drejtat e votës. Macron dhe Merkel që udhëheqin BE-në e reformuar pas Brexit në 2019, do të duhej të ftonin z.Rama në debatet mbi të ardhmen e Europës.
Në anën tjetër të maleve që ndajnë Shqipërinë nga Maqedonia, një tjetër qeveri socialdemokrate vjen në pushtet. Ashtu si Rama, Zoran Zaev, 40 veç, ka qenë kryetar bashkie i qytetit të dytë më të madh të Maqedonisë përgjatë 12 viteve. Ai flet për arsimim dhe furnizim me ujë dhe energji elektrike. Zv/presidentja e partisë së tij politike dhe ministre e mbrojtjes, Radmilla Sekerinka, është diplomuar në një universitet amerikan dhe ishte vendosur në SHBA apo Bruksel gjatë kohës që vendi i saj qeverisej nga Gruevski, një kryeministër nacionalist-populist i së djathtës në pushtet, qysh prej 2006.
Afrimi me Europën
Ai ka ngritur në Shkup statuja gjigande të Aleksandrit Madh dhe pretendon heroin helen si baba të kombit sllavo-shqiptar. Nikola Gruevski ka krijuar atë që mund ta përshkruajmë si një “autogarki” (përzierje e autokracisë me oligarkinë ) dhe i ka lejuar shokëve të tij të djathtë të përfitojnë kontratat më të mira. I kapur pas pushtetit, Gruevski ka përgjuar kundërshtarët e tij. Pas zbulimit të këtij skandali, miqtë e tij politikë të rretheve konservatore të Berlinit dhe Brukselit nuk mund t’i jepnin më atij mbështetjen e tyre. Aktualisht ai po i nënshtrohet një hetimi dhe një proçesi gjyqësor.
Radmilla Sekerinska shprehet si një socialdemokrate e Europës së veriut. Rroga minimale duhet të rritet me 20% dhe sektorët e energjisë dhe transportit duhet të jenë të hapur për investitorët e huaj për të frenuar korrupsionin që bëhet me kontratat që i jepen shokëve kur ka monopol shteti. Partia e saj ka një zv/president shqiptar dhe deputetë shqiptarë. Objektivi kryesor është anëtarësimi në NATO dhe ajo deklaron që Shkupi është gati të pranojë një kompromis me Greqinë për çështjen e emrit. Në sytë e botës, kjo kontradiktë lidhur me emrin e këtij vendi është jodomethënëse, por asnjë nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje as në Athinë, as në Shkup.
Me disfatën e regjimit ultra-nacionalist të Nicola Gruevskit, qeveria greke e Syriza do të jetë ndoshta e gatshme të lëshojë terren për këtë çështje, e cila ngjall ndjenja nacionaliste edhe në Greqi. Për Maqedoninë gjithashtu afrimi me Brukselin është një prioritet. Në një kohë që laburistët britanikë po tregohen gjithnjë e më të vendosur për të prerë lidhjet me Europën, partitë socialdemokrate në Shqipëri dhe në Maqedoni shohin tek Europa perspektivën e një të ardhme mjaft pozitive.
*Le Monde