Projekti për rivitalizimin e rrugës Egnatia, e cila mori edhe jehonë ndërkombëtare, është komentuar edhe nga kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi të tij në Facebook, Rama tha se Via Egnatia po rilind duke u kthyer në një atraksion turistik. Për shefin e qeverisë, më në fund kjo rrugë, e cila është një nga 10 më antiket në botë, do të dalë nga ferrat dhe pluhuri i harresës.
“Del nga ferrat dhe pluhuri i harresës Via Egnatia, një nga 10 rrugët antike të cilësuara si më te rëndësishmet në botë, e cila lidhte Perëndimin me Orientin përmes Durrësit e Konstandinopojës. Duke ndjekur modelet europiane të itinerareve historike si Via Frangigena apo itineraret e Santiago de Compostela, Via Egantia do të transformohet në një arterie të jashtëzakonshme turisitike me një impakt të madh në ekonominë dhe mirëqenien e zonave rurale të cilat i përshkon. Këto foto sjellin pamje nga turi i parë njohës i studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Venecias me këtë trashëgimi të çmuar tonën.” shkruan Rama














