Nga Skënder Minxhozi/
Erion Veliaj ka pasur një javë të trazuar. Një valë protestash agresive kanë zbritur në këmbët e zyrës së tij, si me një dorë të padukshme. Opozita ka lënë të gjitha axhendat politike e po merret ekskluzivisht me kryebashkiakun, duke synuar ta dëmtojë sa më shumë. Një gjë jo fort e mençur nëse i referohemi precedenteve historike. Veprimet e zyrtarëve të opozitës bien ndesh me shpërfilljen denigruese që ka përdorur Berisha e Basha ndaj kreut të bashkisë në shumë vite përplasjesh me të. Ai që deri dje trajtohej si një politikan pa peshë, pa vlerë dhe sipërfaqësor, sot po merr mbi vete të gjitha bateritë e vëmendjes dhe të energjive nga opozita, në një mënyrë të ngjashme me Edi Ramën. Proverbi i vjetër thotë “O zot mos më ler pa armiq” dhe Erion Veliaj po konstaton edhe këtë herë se ka shumë të tillë mes opozitës dhe mediave.
Kryetari i bashkisë së Tiranës është thirrur në SPAK si një person i informuar mbi hetimet që po kryen prokuroria e posaçme. Nuk është i hetuar, as i pandehur dhe as në masa sigurie si ato të dikujt tjetër që qëndron i mbyllur në shtëpi. Megjithatë gjyqi popullor ndaj Veliajt është bërë tashmë nga ajo pjesë e kuadratit politik e mediatik që e ka dashur atë jashtë politikës aktive prej shumë vitesh. E kanë shpallur fajtor pa ditur lëndën konkrete mbi të cilën është pyetur, pa ditur përgjigjet e tij dhe pa ditur, por vetëm duke imagjinuar atë që do të jetë vijimësia e raportit SPAK-Veliaj.
E megjithatë rasti Veliaj, si çdo rast tjetër i këtyre rrethanave, nuk mund të peshohet veçse në procedurë, ashtu siç ndodh me çdo thirrje, hetim apo akuzë me të cilat përballen ata që shkelin derën e SPAK. Prezumimi është një aspekt që për disa është thjesht një detaj i parëndësishëm dhe i bezdisshëm. Kur në mes janë të tjerët, se kur janë ata vetë, logjika kthehet kokëposhtë.
Thirrja në SPAK e Erion Veliajt ka një aspekt tjetër po aq të rëndësishëm, që është ai politik. Ka një dakordësi në opinionin publik se kreu i bashkisë Tiranë është zyrtari më i lartë i maxhorancës i thirrur nga SPAK në vitet e fundit. Profili politik i Erion Veliajt është ai i politikanit që ka dalë rregullisht në vend të dytë në sondazhet e viteve të fundit, sa i përket pëlqyeshmërisë së publikut, shpesh para Berishës dhe shumë më lart se Basha e Meta. Është një fakt që konfirmohet rregullisht në anketat e opinionit publik e që shpjegon tërthorazi edhe agresivitetin e opozitës ndaj tij.
Aciditeti që rrethon emrin e Veliajt në politikë dhe media përbën vetëm një porcion të opinionit që kanë shqiptarët për të. Këtë na thonë garat elektorale ku ai ka dalë fitues. Nuk ka dyshim se skandalet e fundit në bashki e kanë dëmtuar imazhin e institucionit dhe të kreut të saj. Por është gjithaq e vërtetë se dallga e protestave dhe mallkimeve të opozitës, që ka ngritur thirrja e tij në SPAK, është ajo që i rezervohet një kundështari të rrezikshëm e me peshë. Dhe ata që hedhin molotovë kundër fasadës së bashkisë janë prova materiale e këtij realiteti politik.
Ai që e di më së miri këtë është faktikisht kryeministri Rama, një politikan që sondazhet dhe shifrat që lidhen me votat i mban çdo ditë në tryezën e punës. Teksa mediat u kapën pas një fotoje të retushuar nga Rama, gjatë vizitës së fundit në bashki, është po aq e vërtetë se Edi Rama shkeli në atë godinë pak orë pas thirrjes së Veliajt në prokurori dhe e bëri këtë në mënyrën klasike të raporti shumëvjeçar që ka me Erion Veliaj: një marrëdhënie dashuri-urrejtje! Shumë shpesh pas vitit 2013, kur PS erdhi në pushtet, është folur për këtë raport të komplikuar, me Ramën që i ka hedhur ngapak benzinë zjarrit të mediave në drejtim të Veliajt, për ta shuar ai vetë më pas gossipin e radhës me një kovë uji të ftohtë. Kjo po ndodh edhe tani.
Përtej humoreve me shi dhe diell mes dy politikanëve kryesorë të PS, fakti është që kryeministri Rama nuk mund t’ja lejojë vetes goditjen nga drejtësia të atij që shihet gjerësisht si pasardhësi i tij. Erion Veliaj drejton politikisht qarkun më të madh të vendit, kryeqendrën ekonomike të Shqipërisë, ku banon gjysma e popullsisë. Pas listës së gjatë të zyrtarëve të PS që kanë rënë nën hetimet e drejtësisë së re, një goditje eventuale për Veliajn do të ishte një kosto me përmasa të qarta e të rrezikshme për maxhorancën në zgjedhjet e ardhshme.
Një vit para zgjedhjeve të përgjithshme kanë nisur de facto lëvizjet e para të fushatës socialiste. Shumëkush pyet këto orë sesa gisht ka realisht kryeministri në fletëthirrjen ndaj Veliajt. Teoritë e konspiracionit thonë prej kohësh se Edi Rama e drejton pas perdes prokurorinë e posaçme, por kjo është vetëm një përrallë portalesh për të marrë klikime. Kujdesi që SPAK mund të tregojë në momente të caktuara për t’ju afruar maxhorancës (pjesërisht i vëërtetë, nëse shihet lista e socialistëve nën hetime), është shumë i ndryshëm nga kontrolli real i Ramës mbi SPAK.
Karrierën e Erion Veliajt sot mund ta demtojë vetëm Spak me hetimet e tij. Spektakli piroteknik i opozitës vetëm sa e forcon politikisht, pasi e kthen në heroin e popullit të majtë, që po shikon deri tani i ftohtë atë që ndodh në teatrin e partive.
Një fenomen i tillë ka ndodhur më parë me Edi Ramën, i cili pas stinës së molotovëve në pranverën e 2019, arriti një fitore të thellë politike duke pasur gjysmën e PD në qeverinë e tij. Eshte provuar se as Veliaj e as Rama nuk e vuajne presionin e opozitës. Përkundrazi e kthejnë në favorin e tyre, pasi i ndihmon të nxjerrin në pah kontrastin që egziston sot me ata që në mengjes bërtasin “Rroftë Spaku”, kurse në darkë bashkohen me duhmën e rrugicës për të mallkuar prokurorinë e posaçme dhe shefin e saj Dumani.