Nga Jakin Marena
Për ditën e enjte, kreu i PD dhe opozitës, Sali Berisha kishte paralajmëruar se do të rrethonte Parlamentin dhe nëse nuk do t’i jepej leja SPAK-ut për të arrestuar Belinda Ballukun, do ta shembte këtë godinë, ku zhvillon punimet legjislativi shqiptar, njëherë e mirë!
Masat për përballimin e ‘uraganit opozitar’, sikurse e kishte cilësuar Berisha protestën e pritshme para Kuvendit, ditën kur do të votoheshin raportet e PS dhe PD për kërkesën e SPAK për Ballukun, ishin marrë me seriozitet nga ana e policisë shqiptare!
Mbi 1500 efektivë policie, autoboti me ujë dhe masa të tjera të domosdoshme për një protestë të tillë, e paralajmëruar si e dhunshme, u pozicionuan rreth godinës së Parlamentit, të përgatitura për të përballuar një numër të lartë molotovësh e fishekzjarresh, si dhe mundësinë e problemeve të tjera që hamendësoheshin të ndodhnin, të lajmëruara me të madhe dhe nëpër media !
Ajo që u prezantua paraditen e së enjtes ka lënë pa fjalë, si mbështetësit ashtu dhe kundërshtarët e Berishës! Një turmë e vogël protestuesish opozitarë, që nuk e arrinte as numrin e policëve të stacionuar afër godinës së Kuvendit, u mblodh dhe shoqëroi deri në hyrje liderin e PD, Berisha! Në ‘terren’ ishin lënë për të organizuar protestën, Gaz Bardhi dhe Klevis Balliu! Pasi ishin dhe ‘pushim’ për shkak të përjashtimit nga seancat, dhe duhej të bënin ndonjë punë, helbete!
Në sallën e Kuvendit, thjeshtë u ekspozuan disa pankarta kundër Ballukut dhe Ramës, deputetët e PD ‘rrahën’ në kor tavolinat me shuplaka për të bërë sadopak zhurmë, i ‘kërcitën’ votën pro kërkesës së SPAK për të arrestuar Ballukun, bllokuan disa minuta podiumin sa për të treguar se ishin në seancë dhe janë të pozicionuar kundër mazhorancës, dhe në fund dolën qetë qetë nga salla e Kuvendit, mbajtën një fjalim në ecje para turmës së reduktuar e protestuesve, dhe e ndalën hapin tek selia e PD, ku dhanë dhe lajmin e radhës: shtyhet me 22 mars rrëzimi i Ramës!
Nuk u hodh në protesë asnjë fishekzjarr e asnjë molotov kundër forcave të policisë apo drejt godinës së Parlamentit, por vetëm pak spraj blu, i përdorur me pikatore, pa bërë zhurmë. Kështu u mbyll ‘kryengritja’ paqësore e radhës e Berishës, në mënyrën më të pamenduar të mundshme, apo siç kanë thënë dikur të parët tanë, ‘pa asnjë shkrepje’! Dhe një qetësi e tillë nuk erdhi për shkak të pjesëmarrjes së ulët në proteste, sepse e shumta 20 vetë janë ata të caktuarit për aksion nga kupola blu, si dhe furnizuarit që të hedhin molotovët e fishekzjarret tek institucionet.
S’ka nevojë për shumë pjesëmarrje për të krijuar tensione dhe për të ushtruar dhunë ndaj policisë dhe institucioneve! Pasi s’ka pasur pjesëmarrje as herët e tjera, por në të gjitha herët e hodhën në flakë kryeministrinë, Kuvendin e deri edhe vilën e ish diktatorit Enver Hoxha në Bllok! Ku për pak sa nuk ‘poqën’ të gjallë artistët e akomoduar aty, mes të cilëve dhe të huaj! Këtë të enjte, Berisha ishte i ‘fikur’ fare! E themi këtë sepse ka bërë një ndër protestat më të qeta, nga mijëra protesta që ka bërë në karrierën e tij, gati 36 vjeçare në krye të PD!
Janë të shumta hamendësimet në lidhje me këtë ‘qetësi’ të Berishës! Disa thonë se është plakur, disa të tjerë se s’kishte njerëz, të tjerë që s’kishte organizim, kjo përgënjeshtrohet nga deputeti Gjin Gjoni, i cili deklaron se e kishin planifikuar më parë rrethimin e Kuvendit si dhe ngushtimin e ‘lakut’, por skenari ndryshoi në momentet e fundit! Disa të tjerë ngulin këmbë se Berisha ka marrë ndonjë mesazh nga evropianët që të rrijë i qetë dhe të mos bëjë të keqin! Të gjitha hamendjet janë në tryezë, por është vështirë të zgjedhësh njërën, për ta projektuar si të vërtetë! Qoftë një të vërtetë dhe me kutin e Berishës apo realitetin e tij paralel! Sidomos në rastin e Berishës, i cili gjithçka e projekton në funksion të halleve të veta, të interesit të vet, si gjithnjë!
Por ishte një zhvillim tjetër politik që na bën të mendojmë se ka pasur një ‘indikator’ të jashtëm që e ‘fiku’ protestën e Berishës! Në mëngjesin e ditës së enjte në media qarkulloi lajmi i një takimi të rëndësishëm në kryeministri, i ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës, por që s’ishte bërë publik nga aktorët e këtij takimi. Ishte kapur rastësisht nga kamera private afër godinës së Kryeministrisë! Konkretisht, ambasadorja e SHBA në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është pritur në Tiranë nga kryeministri Edi Rama. Siç u pa edhe në videon e publikuar nga mediat, Rama priti ambasadoren amerikane me një përqafim shumë miqësor në shkallët e Kryeministrisë, dhe ku më pas zhvilluan së bashku një takim, jashtë syve të medias, dhe pa asnjë deklaratë publike.
Ai që e bën edhe më interesant këtë takim është fakti se Guilfoyle nuk konsiderohet thjesht një ambasadore e SHBA në një vend fqinj, por ajo është një nga njerëzit më të besuar të presidentit amerikan, Trump. Për më tepër që është ‘dekane’ e ambasadorëve amerikanë në tërë ‘pellgun’ e Ballkanit dhe pak më gjërë, çka tregon fuqinë e saj politike pranë presidentit Donald Trump!
Ndonëse media greke ka zbardhur detaje për vizitën në Tiranë të ambasadores së SHBA-ve në Athinë, duke e lidhur atë me zhvillimet në sektorin energjetik në rajon, është pak e vështirë të besohet se ‘dekania’ e ambasadorëve të SHBA në Ballkan, vjen në mbrëmje në Tiranë në një vizitë të pa lajmëruar zyrtarisht dhe takon kreun e qeverisë shqiptare, thjeshtë e vetëm për të folur për gazin e lëngshëm, për të diskutuar me Ramën se si funksionon terminali lundrues për gazin e lëngshëm natyror, që përdoret për të importuar dhe përpunuar gazin e lëngshëm natyror, e cila është një anije e pajisur me rezervuarë të mëdhenj ku ruhet gazi i lëngshëm që mbërrin me cisterna nga vendet prodhuese dhe elementë të tjerë teknikë të shndërrimit të gazit në lëng!
Ambasadorja Guilfoyle, një figurë e afërt me presidentin Trump, që u prit me ngrohtësi nga Kryeministri Edi Rama, sipas medias greke, paska udhëtuar drejt Tiranës me qëllimin e vetëm, gjetjen e mundësisë së ndërtimit të një terminali lundrues për gazin e lëngshëm natyror (FSRU) në Shqipëri dhe se një projekt i tillë do të kishte rëndësi për furnizimin me gaz të rajonit dhe për rolin e vendeve të Ballkanit në rrjetin energjetik evropian. Pasi, zhvillimi i infrastrukturës për LNG është kthyer në një çështje strategjike, veçanërisht pas tensioneve në tregjet globale të energjisë dhe përpjekjeve të Evropës për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz.
Dhe si për ta përmbyllur vizitën në Tiranë të ambasadores së preferuar të Trump, në ‘favor’ të Athinës zyrtare, media greke vëren me vëmendje se diskutimet për një projekt të mundshëm LNG në Shqipëri vijnë në një moment kur Greqia synon të forcojë rolin e saj si qendër rajonale për importin e shpërndarjen e gazit, përmes projekteve si terminalet LNG e rrjetet e interkoneksionit. Pak si shumë e paqartë për të qënë tërësisht e vërtetë! Dhe për më tepër, vështirë që super-ambasadorja amerikane në Greqi, të udhëtojë pasdite vonë drejt Tiranës për t’u takuar me Ramën, në funksion të kthimit të Greqisë në qendër rajonale! Pak i tepërt ky arsyetim!
Pavarësisht se nuk përjashtohet mundësia e bisedimeve për gazin e lëgshëm, është në interes të palëve për këtë bashkëpunim ekonomik, për më tepër që hapësira mbarëshqiptare, brenda dhe jashtë kufirit përfshin një treg tepër të madh dhe portet shqiptare janë një aset real, është jashtë të gjitha mundësive logjike që ‘dekania’ e ambasadorëve amerikanë në Ballkan, njëherësh dhe njeriu shumë i afërt i presidentit Trump, të udhëtojë nga Athina në Tiranë, për të realizuar një takim jashtë syve të publikut, vetëm për të folur me Ramën për gazin e lëngshëm!
Teksa i lidhim të gjitha rrethanat, konfliktin në Lindjen e Mesme, tentativën ruse për të ndërhyrë në Ballkan, ‘fikjen’ e Berishës në protestën para Kuvendit, të cilin ishte betuar se do ta shembë nëse votohet kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, si dhe heshtjen deri më tani të ambasadës amerikane në Tiranë për votimin e ditës së enjte të mazhorancës kundër lejes për SPAK për arrestimin e Ballukut, pavarësisht se të gjitha ambasadat u prononcuan, tregon se ‘valixhja diplomatike’ e ambasadores së fortë amerikane në Athinë, Guilfoyle, kishte mesazhe të tjera, akoma më të forta se sa ai i gazit të lëngshëm! Aq më tepër që Shqipëria ka kohë që nuk ka ambasador amerikan në Tiranë, vetëm një të ngarkuar me punë të SHBA, Nancy VanHorn-in!
Lind pyetja: Çfarë mesazhi solli për Sali Berishën super-ambasadorja amerikane në Athinë, gjatë takimit me Ramën në kryeministri, që ndikoi fort në uljen e ‘tempit’ të protestës para Kuvendit, të paralajmëruar si një ‘kryengritje’ që do të merrte para dhe do të ‘rrëzonte’ këtë qeveri?! Berisha u shfaq i ‘fikur’ këtë të enjte, nuk e kishte forcën e mëhershme, dhe me sa duket përmes kanaleve diplomatike, gjenden dhe pa realizuar takim ‘tet a tet’, ai e ka marrë mesazhin nga administrata e presidentit Trump, që të mos luajë me ‘zjarrin’, sepse ata s’të falin!
Tashmë Berisha s’mund të përdorë as Sorosin si argument për t’u justifikuar për qëndrimin e fortë amerikan, në një rast të mundshëm! E quan aleat Trump, ka festuar kur është zgjedhur, madje shpresonte të çonte delta-forcën me helikopterë në Surrel për të arrestuar Ramën. Çfarë dosje paralajmërohet të vijë nga Uashingtoni që i ka mbyllur gojën Berishës, pasi janë disa hetime në përfundim e sipër, që nga Gërdeci e deri te ’21 janari’ dhe financimet ruse për PD!
Në fund të herës, ajo që na bën të ndjehemi mirë, është fakti se Tirana ka kohë që po trajtohet si qendër rajonale për Ballkanin, dhe nuk përjashtohet mundësia që të jenë dhënë dhe mesazhe për t’u përcjellë në Prishtinë, por dhe në vendet e tjera të rajonit. Mesazh këto, për shkak të pragut të krizës institucionale në Kosovë, lëvizjeve jo normale me zhvendosje nga Lindja, në Shkup etj, apo tensionimi i situatës në Podgoricë dhe lëkundjet e forta mes Moskës e Brukselit të Vuçiç!
Të gjitha lëvizjet politike të ofruara nga aleati ynë i madh dhe i pazëvendësueshëm, SHBA, janë në tryezë. Përfshirë dhe bisedën për gazin e lëngshëm të ‘piketuar’ nga media greke si shkak i vizitës në Tiranë të super-ambasadores amerikane në Athinë, megjithëse është shumë pak si ‘lëndë diplomatike’ për të realizuar një vizitë të këtyre përmasave, të njeriut ndër më të afërtit dhe më të besuarit e presidentit Trump!
Të presim! Sinjalet e para u dhanë, Berisha ‘fiku’ për momentin dhunën në protesta, ndërsa ambasada amerikane në Tiranë, megjithëse as nuk ishte fare prezente në takimin e Kimberly Guilfoyle me Ramën, madje as që e kishte bërë ndonjë lajmërim për këtë vizitë të pa paralajmëruar të saj, nuk ka dhënë asnjë deklaratë për votimin e djeshëm të Kuvendit, që rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut! Ditë pas dite do të zbardhen nga pak, këto mesazhe!
Filloi që këtë të premte zbardhja, teksa kryeministri Edi Rama zbulon, aq sa mund të zbulonte, fokusin e takimit me ambasadoren e SHBA në Greqi, Guilfoyle, të cilën e priti në Kryeministri. Rama tha se fokusi ka qenë tek disa çështje të interesit të lartë të SHBA në rajon, që kanë të bëjnë me energjinë, me bashkëpunimin rajonal dhe qasjen ndaj forcave dhe aktorëve të tretë.
“Ka ardhur për të bërë një takim njohjeje për të diskutuar për disa çështje që janë çështje të interesit të lartë amerikan në këtë rajon, që kanë të bëjnë me energjinë, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, me qasjen ndaj forcave të treta, aktorëve të tretë, dhe nga ana tjetër, kini parasysh që ambasadorja e SHBA në Athinë është një përfaqësuese botërisht e njohur në politikën amerikane drejtëpërdejtë e rrethit të ngushtë vendimmarrës të Trump”, tha Rama. Duke treguar qartë se Tirana është bërë qendër rajonale, pikë reference për Uashingtonin! Dhe për të përcjellë mesazhet tek vendet e rajonit, si partneri më i besueshëm i Trump!











