Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka shkruar një letër urimi, Presidentit të sapozgjedhur të Francës, Emmanuel Macron.
Si fillim, kreu i qeverisë shqiptare uron Presidentin francez për fitoren e merituar në zgjedhje, ndërsa shpreh vlerësimet maksimale për Macron dhe politikën e tij pro-europiane.
Më tej Rama shpreh bindjen për Presidentin Macron, se me dinjitetin që tregoi në fushatën elektorale, me të njëjtën frymë do t’i japë një tjetër shtysë BE-së, në këto kohëra të vështira, raporton Lexo.al.
Kryeministri nuk lë pa theksuar miqësinë dhe partneritetin strategjik dhe historik mes Shqipërisë dhe Francës, teksa nënvizon se me Macron tashmë ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej.
Në fund Rama fton Presidentin Macron të vizitojë Shqipërinë, si i pari President francez që shkel në vendin tonë. /Lexo.al
Letra e plotë:
Zoti President,
Duke ju zgjedhur në detyrën e lartë, populli francez i dha një sinjal të mirëpritur të ardhmes së Europës, rimëkëmbjes së një France të ripërtërirë mbi vlerat e saj më autentike dhe mirëkuptimit mes kombeve. Në emër të Qeverisë shqiptare dhe në emrin tim personal, dëshiroj t’ju shpreh gëzimin e thellë dhe urimet më të sinqerta për fitoren tuaj të merituar dhe angazhuese.
Kam bindjen se dinjiteti dhe qetësia e admirueshme me të cilat udhëhoqët fushatën zgjedhore, në kohëra të vështira e të turbullta, nuk do të rreshtin së shenjuari mandatin tuaj, i cili do të jetë vendimtar për rilindjen e besimit në vokacionin universal të Francës dhe mëkëmbjen e projektit europian.
Tashmë partnere strategjike e Francës, Shqipëria është plotësisht e angazhuar në reformat e domosdoshme për të mundësuar, në një kohë të shkurtër, përforcimin e bashkëpunimit ekonomik, ushtarak dhe kulturor mes dy vendeve tona. Shqipëria i mirëbesohet ndihmesës suaj të pakursyer për t’ju bashkuar familjes europiane, së cilës vetvetiu i përket dhe prej së cilës pret orientime të qarta dhe mbështetje afatgjatë në rajonin kyç të Ballkanit perendimor. Mund t’ju siguroj se Qeveria shqiptare do të jetë krah aleatëve dhe miqve tanë francezë, për t’u përballur me sfidat e përbashkëta dhe për t’ju mbështetur parreshtur në gjithçka do të ndërmerrni së shpejti në shërbim të vendit tuaj.
Duke uruar që të jeni i pari kryetar shteti francez që do të zhvillojë vizita në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit, frytet e së cilës do të ishin rritja e pranisë franceze dhe e dëshirës për më shumë Europë, ju lutem të pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Edi Rama
c.a