Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një projekt të ri në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe, që synon të rrisë kontrollin dhe transparencën në tregun e karburanteve në Shqipëri.
Gjatë një bashkëbisedimi me furnizuesit e naftës, në një kohë kur çmimet globale të karburantit janë rritur për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, Rama bëri të ditur krijimin e një kompanie të re publike, “Alb Trais”, e cila do të mundësojë gjurmimin teknologjik të të gjitha sasive të naftës që hyjnë në vend.
Rama theksoi se metoda e mëparshme e identifikimit përmes ngjyruesve ka rezultuar joefikase, ndërsa teknologjia e re do të lejojë ndjekjen e naftës në mënyrë të padukshme dhe pa ndërhyrë në procesin e transportit. Ky projekt synon gjithashtu t’i japë fund praktikave të shoqërimit fizik të karburanteve dhe të forcojë mbikëqyrjen në distancë të gjithë zinxhirit të furnizimit.
“Prej disa kohësh kemi krijuar një kompani të re publike në ortakëri me Emiratet e Bashkuara, që quhet ‘Alb Trais’, kompani publike që do bëjë gjurmimin e të gjitha produkteve të akcizës me teknologji. Së shpejti do hyjë në treg me gjurmimin, dhe ndjekjen e naftës që do të thotë gjurmimi i gjithë sasive të naftës që hyn në tregun shqiptar do garantohet me një teknologji të fjalës së fundit.
Sepse nga të gjitha analizat e bëra rezultoi që ai ngjyruesi që përdorej për naftë ishte nganjëherë më kollaj për t’u kthyer në ujë sesa bojërat që unë përdor për zhgarravinat e mia. Pra ky produkt i ri është i pakapshëm nga një sy tjetër, veçse nga syri magjik i prodhuesit, ndërsa ndjekja do të thotë që do mbyllim epokën e shoqërimit të naftës që hyn në Shqipëri me objektivin për të qenë tranzit dhe do e ndjekim nga shumë larg pa shqetësuar as shoferët tuaj që kur kalojnë kufirin nga mbrapa doganierë. Ndjekja do bëhet me teknologji që nuk e sheh dot asnjë sy”, tha kryeministri Rama.











