Kryeministri Edi Rama është i ftuar në emisionin Tonight Ilva Tare në RTV Ora News, ku do të flasë mbi aktualitetin politik.
Debati politik për reformën në drejtësi, përmbushja e 5 prioriteteve për integrimin, zgjedhjet në PS dhe referendumin për kryetarin e PS, situata ekonomike.
Intervista minutë pas minute
Tare: Protestat tek Liqeni, i keni ndjekur?
Rama: Sigurisht, e kam bërë komentin tim, janë shprehje e një situate të dëshpëruar të një opozite që nuk ka asnjë vizion, program, asnjë skuadër alternative dhe lidership jo e jo. Kapet pas gjërave që i dalin rrugës për të ngritur një valë pakënaqësie që nuk ka shans të kthehet në një mbështetje për atë vetë, por është problemi i tyre.
Tare: Thoni nuk ka lidership, Bashën e kisha të ftuar të hënën, ka rezerva në emër të PD për projektin, e konsideron të paligjshëm si ndërtim, madje me leje të falsifikuar. PD ka bërë denoncim në Prokurori, si është e vërteta e lejes?
Rama: E vërteta është që të jesh kryetar nuk do të thotë të jesh lider, të jesh kryetar nuk do të thotë të jesh domosdoshmërisht dikush që garanton një lidership për një forcë politike. Këto janë muhabete në hava sesa i ligjshëm apo i paligjshëm është ndërtimi, mund ta verifikoni lehtësisht sepse ka një dokumentacion përkatës. Një parti politike që e konsideron veten alternativë qeverisëse nuk mund të kthehet në një çetë që sulmon një punë publike në formën që tregojnë dhe këto pamje. Është një pamje dëshpëruese për një parti politike, këtu kemi parë shumë dhe jemi mësuar të shohim shumë çudira që nuk na bëjnë çudi, por këto pamje do kishin çuditur çdo qytetar të thjeshtë të çdo vendi europian sepse nuk ndodh që partia politike të sulmojë punët publike dhe nuk e kanë për herë të parë. Ka sulmuar me të njëjtat argumenta një punë publike në bashkinë e Tiranës, jo nuk ka leje mjedisore, jo nuk ka leje këtu, aty, që ishte nënkalimi i Zogut të Zi ku ka hedhur në erë disa miliona eruo për të cilat është marrë dhe një vendim gjykate që e pafajëson plotësisht bashkinë e Tiranës dhe e fajëson plotësisht partinë politike. Por ato para i mori lumi i kësaj lloj politike dhe për fat të keq ajo që kishim parashikuar në atë kohë sot po ndodh. Kaloni aty ku duhet të ishte nënkalimi i Zogut të Zi që do të siguronte lirshmëri trafiku për një periudhë 20 vjeçare dhe pastaj do të duhej të rikonceptohej me një mbikalim tjetër dhe do të kuptoni se çfarë të mirash i ka sjellë kjo lloj qasje politike punëve publike të këtij qyteti.
Tare: Në planin e ri për Tiranën do të përfshihet një rregullim për Zogun e Zi?
Rama: Duhet të pyesni kryetarin e Bashkisë.Unë e besoj, e mbështes dhe mbroj bindjen që sot e ka shumica dërmuese e Tiranës që kryetari i ri i Bashkisë është njeriu që i duhej Tiranës për ta shkundur dhe për ta rivënë në lëvizje hap pas hapi duke marrë parasysh dhe një trashëgimi shumë të rëndë fianciare si dhe një trashëgimi po aq të rëndë të administratës së bashkisë së Tiranës.
Tare: A ka leje mjedisore projekti? Konspiracioni është që zyrtarë të LSI janë kundër këtij projekti.
Rama: I njëjti argument u përdor edhe për të shkatërruar veprën publike tek Zogu i Zi.Nuk ka leje mjedisore. Kjo parti politike saherë ndërmerr operacione të kësaj natyre përsërit të njëjtën gjë pavarësisht se kush është Kryeministër, kryetar Bashkie, sa vite kalojnë.Por nuk besoj se ka shqiptarë me mendje në vend që të besojë qoftë dhe për një sekondë të vetme që kjo parti politike e shkatërroi gjithçka që mund të shkatërrohej në atë park dhe rreth atij parku duke ndërtuar një xhungël ndërtimesh mu mbi ujë dhe duke lejuar dhe legalizuar dhjetra e dhjetra ndërtime pa leje brenda në park të ketë sot një moment transhandental për të na shpëtuar nga cënimi i mjjedisit.Nuk e besojnë as peshqit që kanë mbetur në liqenin artificial, jo më ta besojnë njerëzit e arsyeshëm.Kush është fanatik, symbyllur dhe vëshëmbyllur dhe ha pa parë dhe dëgjuar argumenta të tjerë, barin që ofron SHQUP, patjetër që beson se këta janë ambjentalistë. por këta nuk janë asgjë tjetër veçse forcë e dëshpëruar. Njerëz të dëshpëruar bëjnë veprime të dëshpëruara. Ky është dëshpërim i madh.
Tare: Ka zyrtarë të LSI që nuk janë dakort me projektin?
Rama: Kjo është një histori që mua më neverit gjithmonë sepse ju i thoni, i botoni, i komentoni, ju i merrni për të vërteta dhe pasj ne vimë këtu dhe duhet të përgjigjemi për fantazitë tuaja. Çdomethënë kjo që ka zyrtarë të LSI që janë kundër projektit? Kjo është fantazi dhe spekulim. Nuk dënjoj ti përgjigjem kësaj sajese.
Tare: Zoti Rama, ku ka ngecur reforma në drejtësi?
Rama: Reforma në drejtësi ka ngecur tek Partia Demokratike, e cila nuk është një opozitë, e cila ka ngecur tek parku. Ne jemi gati kemi një pamje shumë të qartë falë Komisionit të Venecias. Presim që ata të vijnë.
Tare: Janë, kanë qenë.
Rama: Kanë qenë, por nuk janë. Ata duhet të ishin. Venecia na ka dhënë një hartë për të shkuar deri në fund.
Tare: Ndalemi tek vizita e zoti Hahn. Ata ju kanë kërkuar dialog të nivelit të lartë. Për çfarë dialogu diskutuat sot?
Rama: Ne bëjmë një dialog të nivelit të lartë një format që ka ndjenjë pozitiviteti dhe kjo ndodh pasi vjen komisioneri Hahn. Pse ndodh kjo kur vijnë gjithmonë të huajt?!
Tare: Do të merrni një iniciativë për t’i çuar një ftesë me shkrim?
Rama: E kam bërë edhe më përpara. Nuk është ky problemi. A mundemi ne që të kemi një qaste pak ndryshe në një format ndryshe. Të ulemi në tavolinë dhe të dëgjojmë. Të paktën të dëgjojmë edhe pse mund të mos biem dakord. Kjo bëhet nëse Partia Demokratike heq dorë nga gardhi. Nuk vë fare kushte. Dialogohet pa kushte për çështje që shqetësojnë Partinë Demokratike. I thotë nga televizori.
Tare: I thotë në Parlament se nuk po respektohet Kushtetuta.
Rama: Duke hequr baltën, ne mund të diskutojmë me opozitën, e cila nuk është opozitë.
Tare: Ta konsiderojmë ftesë për Lulzim Bashën?
Rama: Unë thashë për lidershipin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën apo Sali Berishën, nuk është ky problemi. Problemi është nëse ulemi dhe diskutojmë për të diskutuar me njëri-tjetrin, jo për të shkëmbyer në distancë opinione komplet të kundërta.
Tare: Keni një afat?
Rama: Në çdo moment kur dëshirojnë miqtë e Partisë Demokratike. Në një format…
Tare: Edhe zoti Meta?
Rama: Sigurisht.
Tare: Për sa i takon reformës, ata do ta bllokojnë edhe nesër Parlamentin, pasi kërkojnë respektimin e Kushtetutës dhe jo interpretimin.
Rama: Ata bëjnë një interpretim të tyre.
Tare: Ata thonë që ju duhet ta çoni në Gjykatën Kushtetuese.
Rama: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është qartësisht i lexueshëm ku flitet për konfliktin e drejtpërdrejtë të interesit dhe jo për palët e treta.
Tare: Ju po mbroni dy deputetët tuaj?
Rama: Ne nuk po mbrojmë askënd, por Gjykatën Kushtetuese. Ajo vendosi për një deputet dhe ne i hapën rrugën.
Tare: Nëse PD shkon në Kushtetuese, i duhet edhe 6 muaj për vendim dhe atëherë mbaron mandati.
Rama: Partia Demokratike nuk ka punë tjetër. Të shkojë dhe ne ta miratojmë.
Tare: Partia Demokratike ka kushtëzuar qenien e saj në Parlament me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Rama: Ne nuk jemi terapistë që imagjinojnë atentate dhe terror. Ne flasim për jetën normale. Ne nuk shkojmë pas paranojave.
Tare: Është leximi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Rama: Ne kemi leximin tonë. Ata të shkojnë në Kushtetuese dhe të kërkojnë interpretim.
Tare: A mund të toleroni në këtë çështje?
Rama: Të shkelim ne Kushtetutën? Atyre ju duket Parku i Lojërave një diversant që është futur në pyll dhe do të hedhë në erë të gjithë ekuilibrat.
Tare: Votojeni pro dhe çojeni në Gjykatën Kushtetuese. Ky është interpretimi.
Rama: Ne nuk interpretojmë gjë. Dy raste të tjera janë të ndryshme. Le të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe të marrin përgjigje.
Tare: Ky është kushti për reformën në drejtësi që duhej të mbyllej në muajin mars.
Rama: Ata janë njerëz të dëshpëruar bëjnë vetëm gjëra të dëshpëruara. Ata janë shumë të vetëdijshëm se nga qershori i 2013 nuk kanë rritur asnjë pikë përqindje të popullaritetit. Janë të vetëdijshëm se nuk mund ta përballin këtë shumicë qeverisëse në betejën elektorale.
U përballën dy vjet më pas. Ata janë në një rrugë qorre që është rruga historike që është bërë gjithmonë. Kanë ardhur në pushtet vetëm për një arsye se është çarë e majta. Nuk kanë pasur kurrë shumicën e votave. Ne jemi të pa sfiduar.
Tare: Për Byronë e Hetimit, qëndrimi që mbajtën ata rezultoi i drejtë për varësinë. Propozimi që dhatë ju ishte që të ishte në varësi të Ministrisë së Brendshme…
Rama: Partia Demokratike ka dhënë konsensus të plotë për atë pr/ligj. E kam thënë dhe po e përsëris, e ka dhënë me shkrim.
Tare: Që të ishte në varësi të Ministrisë së Brendshme?
Rama: Mos hyni në detaje teknike nëse ju i lexoni.
Tare: Jini ju transparentë.
Rama: Partia Demokratike ishte dakord 100% me ndërmjetësimin e ekspertëve amerikanë.
Tare: Keni pritshmëri për Byronë e Hetimit se do të kthejë ndëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë?
Rama: Ata nuk duan. Ata që nuk vijnë në tavolinë, janë ata që nuk duan. Ne themi kështu dhe ju presim se çfarë doni? Nëse dikush ju pret në tavolinë, jeni ju që nuk doni ta takoni, apo nuk duan ata?
Tare: Ata nuk mund të vijnë kur ju keni shkelur Kushtetutën!
Rama: Ata do të vijnë, këmba këmbës. Ata e dinë që kush e aborton këtë reformë do të marrë një shpullë nga populli shqiptar që do të jetë e pakrahasueshme deri më tani kur ka ndëshkuar një palë. Shqiptarët e kanë provuar se nuk i hanë lodrat dhe që kanë instinkt të fortë që i çojnë në drejtim të duhur.
Tare: Ka një analogji me Fierin, kur ju bllokuat dhe nuk morët ndonjë shpullë të madhe. Ju bllokuat statusin.
Rama: Përfunduan në opozitë.
Tare: Keni thënë se keni një plan C për zgjedhje të parakohshme.
Rama: Kemi një plan A dhe nuk shkohet në planin C.
Tare: E keni thënë nëse nuk do të ketë konsensus.
Rama: E thoni ju. Jemi akoma në zonën e planit A dhe jo më të flasim për planin C. Unë kam pritshmëri të miratohet brenda korrikut dhe pa humbur shumë kohë.
Tare: A ka ndryshime qëndrimesh për sa i takon strukturës së këtyre ndryshimeve me Lëvizjen Socialiste për Integrim?
Rama: Me LSI-në kemi qenë komplementar që nga hyrja në qeveri. Ata i kanë dhënë më shumë cilësi procesit të diskutimeve.
Tare: Dmth jeni qartësuar në një linjë?
Rama: Kemi qenë të qartësuar që në ditën e parë. Dmth të mos jesh kujtuar për Venecian kur ka qenë duke të mbytur uji, por është kujtuar që në ditën e parë që çelësi i konsensusit është Venecia. Çelësi është ty dhe eja të hapim nderën.
Tare: Po në planin B?
Rama: Nuk e kuptoj pse më pyesni kur jemi tek plani A!
Tare: A keni ndonjë koment për rolin që po luajnë dy ambasadorët, zt. Lu dhe zonja Vlahutin?
Rama: E vlerësoj shumë rolin e tyre për mbështetjen që ata i kanë dhënë procesit të reformës. Ajo që është më e rëndësishme është që kjo reformë nuk është si të tjerat ku pala e tretë, ku partnerët janë spektatorë. Ata e dinë shumë mirë kush bën sikur dhe kush kontribuon. Ky nuk është proces ku partnerët kanë bërë zakonisht. Ata janë të përfshirë plotësisht. Kush do të bëhet pengesë do të marrë edhe nga partnerët një qëndrim publik për t’u shpjeguar qytetarëve se pse ky proces nuk shkoi siç duhet.
Tare: Ka edhe një shqetësim për sa i përket reformës nga z.Basha që ma bëri me dije edhe në këtë studio, që përmes kësaj reforme ju po përpiqeni të kapni sistemin e drejtësisë.
Rama: Si? Ju dha ndonjë indikacion.
Tare: Ja për shembull me Këshillin e Lartë të emërimeve.
Rama: Kjo kapja e sistemit të drejtësisë është njësoj si kapja e lodrave në Park. Kjo është një përrallë. Nuk mund të investohet dot misioni amerikan dhe ai evropian për të kapur drejtësinë unë. Nuk mund të investohen misionet e konsulencës amerikane që kanë këshilluar edhe dreqin dhe të birin për të kapur drejtësinë. Këta qofshin dhe ata që shkojnë pas tyre qofshin dhe që dëgjojnë këto broçkulla.
Tare: Sa e gatshme është Partia Socialiste të shkojë në një tavolinë dhe të negociojnë në atë komision të quajtur Ad-Hoc?
Rama: Është në tavolinë dhe çdo gjë është e hapur.
Tare: Në 14 prill do të jeni në Uashington në Shtëpinë e Bardhë. Do të diskutohet reforma në drejtësi?
Rama: Në qoftë se ju më kërkoni se çfarë do të thotë presidenti i Amerikës, ju kërkoni që t’ju jap një përgjigje jashtë të gjitha fuqive të mia. Do të doja shumë t’ua thoja.
Tare: Axhendën e dini besoj? Basha tha se do ja dëgjoni krismat.
Rama: Ia paskan thënë kryetarit të Partisë Demokratike se çfarë do të më thonë mua. Këto janë barcaleta të një lloji katundi që vetëm në oborrin e PD mund të konceptohet. Të paktën të mos i fusin dhe partnerët në këto lodra pa kuptim dhe të marrim edhe SHBA-të t’i fusim tek parku i lodrave. Ai thotë dëgjoni krisma dhe del deputeti me patllake atje. Mos më ngacmoni.
Tare: Armën e sollët këtu.
Rama: Ju gazetarët nuk jeni asgjë. A i imagjinoni ju gazetarët në një vend normal që shohin një deputet me revole?
Tare: Edhe polici që e pa dhe nuk e arreston, kjo nuk do të thotë asgjë. Është botë e madhe ka nga të gjitha variantet. Kur do të miratohet reforma në drejtësi?
Rama: Brenda afatit. Në pranverë. Nëse ata do të ishin gati ne do ta mbyllnim. Për mua është gati.
Tare: Në Shtëpinë e Bardhë do të takonin Joe Biden apo Obamën?
Rama: Keni ju pyetje për ekonomi, taksa? Pse kaloni këtu? Keni ju si po shkon reforma në arsim? Hedh një budalla një gurë në lumë dhe 100 të tjerë nuk e nxjerrin dot. Shkon një parti tek parku. Ai është simbolikë e madhe dhe simbolizon realitetin politik. Kush do reformën në drejtësi shkon në Kuvend, shkon tek parku. Unë nuk zbres nga kodra nëse nuk më bindni mua se këtu nuk ka aeroport.
Tare: Ata thonë se ka beton.
Rama: Patjetër.
Tare: Do të ketë dëm mjedisor?
Rama: Mijëra prindër dhe fëmijë do të kenë një park. Ai është një park urban. Studioja, arkitekti që kanë konceptuar parkun, janë me reputacion ndërkombëtar. Ne do të ndërtojmë një park të madh për qytetin, kopshtin e ri zoologjik, kopshtin botanik.
Tare: Do të urbanizohet?
Rama: Do të bëhet park urban, siç duhet të jetë. Këta pse nuk ngrenë shqetësim që liqenin e kanë kthyer në një gropë septike, ku derdhen ujërat e zeza të të gjithë pallateve dhe konkurruese. Pse nuk thonë ndaloni ujërat e zeza atje? Në momentin kur të ndërhyjmë, ata do të kundërshtojnë prapë.
Tare: Kam shumë pyetje në Facebook z.Kryeministër dhe janë kryesisht të lidhura me situatën ekonomike në vend dhe ndaj do të ndalem.
Rama: Njerëzit kanë nevojë për jetën reale.
Tare: Si i keni punët me premtimin për 300 mijë vende pune që keni bërë në 2013?
Rama: Jemi në drejtimin e duhur. Sot kemi 171 mijë të punësuar më shumë në sektorin jo-bujqësor.Pra që figurojnë në librat e llogarive të shtetit si kontribues të shtuar, taksa, të siguruar nga pikëpamja shoqërore dhe shëndetësore. Ky është fakt. Ndërkohë nuk llogarisim këtu punësimin e rritur në sektorin bujqësor.
Tare: Sa është punësimi në sektorin bujqësor?
Rama: Punësimi në sektorin bujqësor ka qënë gjithmonë objekt spekulimesh për shkak se formalizimi i atij sektori ka qënë në nivelin 0. Ne kemi filluar të rrisim formalizimin dhe nga ana tjetër duke bërë një sistem llogaritje në zinxhirin e vlerës pra jo vetëm në çfarë janë të punësuar direkt në shumë pika grumbullimi,përpunimi të produkteve por dhe ata që janë të punësuar në sistemin zinxhir unë jam i bindur që ne do të kemi një rritje të vazhdueshme pasi bujqësia faktikisht ka hedhur disa hapa shumë inkurajues përpara.Nuk jemi ende aty ku duhet, nuk diskutohet.Jo vetëm në kuptimin e punësimit por edhe në kuptimin e intesitetit të zhvillimit që duam t’i japim bujqësisë por jemi shumë hapa përpara dhe jam shumë besimplotë që me programin e financimit të këtij viti që është programi më i madh i financimit në 25 vjet për ujitjen dhe kullimin duke siguruar një rritje të sipërfaqes së tokës bujqësore të punueshme do të krijojmë shumë punësim edhe në shumë pjesë ku njerëzit duan të punojnë me tokën por nuk kanë mundësi për faktin e thjeshtë se shteti 20 e disa vite i ka lënë pa ujë.
Tare: Megjithatë ka dhe probleme të tjera bujqësia që nga fakti që nuk dinë të aplikojnë për kredi, për kushte lehtësuese që mund të përfitojnë nga projektet. Nuk kanë fermerët informacionin e duhur për kulturat që duhet të mbjellin. E keni thënë dhe ju që janë djegur fondet dhe nuk kanë aplikuar.
Rama: Nuk kam thënë asnjëherë. Fondet e brendshme nuk janë djegur asnjëherë.
Tare: Fondet e huaja
Rama: Fondet e huaja janë histori më vete.
Tare: Por janë djegur ama. Janë një histori më vete sepse?
Rama: Janë një histori më vete. Janë djegur 20 e kusur vite rresht. Ne shpresojmë që të rrisim kapacitetin sepse nuk ka lidhje me informacionin, ka lidhje me dijen. Ajo që ndryshon komplet lojën në bujqësi është në radhë të parë dija.Në këtë aspekt është bërë zero për të rritur kapacitetet e njohjes së fermerëve dhe mbi të gjitha për t’i dhënë sektorit edhe kapacitete teknike që duhet të vijnë nga shkollat profesionale të cilat ne po i themelojmë nga e para.
Tare: Që kjo do të kërkojë breza. Se sa të edukohen, sa të shkojnë të punojnë, të nxjerrin eksperiencën në terren.
Rama: Si mendoni ju, meqë kjo do të kërkojë breza mos ta bëjmë fare?
Tare: Jo ta bëni absolutisht, por kam disa pyetje të tjera që lidhen me premtimet e bujqësisë.