Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në një diskutim me sipërmarrjen mbi nismën e re të qeverisë për një rishikim tërësor të procedurave administrative të biznesit dhe shkurtim të hallkave burokratike e përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit.
Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se heqja e barrierave për biznesin është një domosdoshmëri teksa ka shtuar se duhen lehtësuar mundësitë për të bërë biznes në Shqipëri.
Edi Rama: Ky takim hap një proces diskutimi me sipërmarrjen për të identifikuar bashkarisht të gjitha ato hallka burokratike dhe ato ngarkesa në procedurat administrative që mund të eliminohen dhe për ta përmirësuar më tej klimën e biznesit. Kemi kaluar nga perspektivë e qëndrueshme në pozitive për herë të parë. Ky është hap shumë inkurajues për atë që kemi bërë deri më sot dhe për atë që do të bëjmë më tutje.
Një nga elementët e rëndësishëm ku ka ardhur koha që të rifokusohemi është bërja e një analize të detajuar, çka ne kemi nisur ta bëjmë brenda përbrenda të strukturave të qeverisë duke e parë me sy kritik çdo procedurë për të kuptuar se çfarë mund të lehtësohet nga pikëpamja e asaj që është e shkruar. Ky do të ishte i mangët nëse nuk marrim prej jush bazuar në eksperiencën tuaj, këndvështrimin mbi si ato procedura që janë të shkruara për të pasur një leje apo licencë të veprimtarisë tuaj që përkthehen në realitet dhe cilat prej tyre ndihmojnë apo e pengojnë interesin e shtetit apo klimën e biznesit.
Do t’i japim sipërmarrjeve një pyetësor dhe do të mirëpresim çdolloj sugjerimi nga ju bazuar në eksperiencën tuaj. Heqja e barrierave dhe hapja e kanaleve të frymëmarrjes së organizimit të shoqërisë sonë që lidh bashkë biznesin me shtetin si 2 palë që duhet të ndërveprojnë me njëra-tjetrën në funksion të interesit privat dhe publik janë domosdoshmëri, proces që ka vend për përmirësim. Sot, në këtë fazë duke patur parasysh se janë bërë disa vite që është ecur para mbi bazën e një lehtësimi të bërë më parë, është koha për të bërë një lehtësim tjetër. Ne, po bëjmë punën tonë nga brenda insittucioneve, por në fund të ditës kjo është një punë që bëhet për sipërmarrjen dhe për lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri.
/a.r