Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Komitetin Olimpik dhe federatat shqiptare për programin e ri të sportit në shkolla dhe universitete, për programin e ri të sportit në shkolla e universitete
Ndërsa kujtoi të shkuarën e tij si sportist, Rama u shpreh se puna do të fokusohet në krijimin e skuadrave në shkolla, për të pasur më pas talentet e ardhshëm në sport.
Më tej kryeministri shtoi se për herë të parë me buxhetin e vitit të ardhshëm adresohen 5 milion dollarë.
“Është koha të organizojmë brenda shkollave skuadrat sportive. Nuk flas për klasat sportive, por flas për ekipet sportive të shkollave dhe universiteteve, duke organizuar gara të të rinjve qoftë në nivelin lokal, qoftë dhe në nivel kombëtar. Kjo është baza dhe ku spikaten talentet për tu ngjitur më pas në majat e sportit profesionist. Universiteti i Sporteve duhet të përfshihet në këtë proces. Është e domosdoshme që gjithë komponentët e këtij mozaiku të vihen në lëvizje. Nga ana tjetër ne sot kemi krijuar një mundësi, ku këtu ka jo pak nga ata me të cilët unë kam pasur nderin të ndaj jetën sportive, më shumë duke i admiruar se sa duke më admiruar. Sjell në kujtesë sot përpara jush për të thënë që në kohën kur ne luanim basketboll, numri i palestrave ka qenë qesharak, më kujtohet ne që ishim në katër, pesëshen, e parë në Kategorinë e Parë të Basketbollit, na duhej të lëviznim për të bërë stërvitje diku tjetër, jo në Pallatin e Sportit, përdornim palestrën e studentit që ishte një palestër me parametra që sot konsiderohen të papranueshme për palestra shkollash”, tha Rama gjatë këtij takimi.
Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama:
Mirë se erdhët! Ju falenderoj shumë për mundimin dhe për praninë dhe shpresoj shumë që së bashku mund të realizojmë një objektiv strategjik, ambicioz dhe të domosdoshëm për shoqërinë tonë sipas këndvështrimit tim. Jam këtu së bashku me kryetarin e Komitetit Olimpik dhe me ministren e shtetit për Rininë dhe Fëmijët, për të ndarë me ju një plan që bazohet në programin e ri të qeverisë për sportin dhe posaçërisht për lëvizjen sportive në shkolla dhe universitete.
Besoj që jemi në kohë, tanimë që këtë boshllëk të madh të krijuar në shumë vite nga 1001 shkaqe, të fillojmë ta adresojmë dhe ta mbushim bashkërisht dhe për këtë arsye na duhet me patjetër bashkëpunimi i ngushtë me Komitetin Olimpik dhe ndërveprimi sa më i ngushtë me federatat shumësportshe.
Natyrisht që kjo nuk do të thotë aspak dhe do ta them qysh në fillim që ne do të fokusohemi ekluzivisht dhe vetëm te lëvizja olimpike rinore në gjithë hapësirën e shkollave dhe universiteteve, sepse së bashku me Komitetin dhe së bashku me ju, patjetër që të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të adresuar dhe probleme specifike të federatave, të sportistëve elitarë, e kështu me radhë. Por sot, unë do të flas për këtë temë sepse e konsideroj shumë të rëndësishme dhe është koha që ta shtroj me ju sepse vitin e ardhshëm, do të duhet të fillojmë ta implementojmë, ta zbatojmë këtë plan. Natyrisht që, pasi unë bëj paraqitjen dhe sigurish edhe kryetari i Komitetit thotë fjalën e tij, ju jeni të lirë të ngrini dhe çështje të tjera, nuk ka diskutim.
Janë një sërë pikash që mendoj që duhen adresuar në funksion të fillimit të zbatimit të këtij plani duke patur parasysh që qeveria për herë të parë me buxhetin e vitit të ardhshëm adreson faktikisht 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë vetëm për këtë punë, duke kërkuar marrjen si të thuash marrjen përsipër nga Komiteti Olimpik dhe federatat ekzekutimit të këtij plani nga pikëpamja financiare.
Ajo që e dimë dhe ju e dini më mirë se unë nuk diskutohet, është që në Shqipëri kemi një numër të konsiderueshëm klubesh sportive, skuadra sportive, grupe sportive në shumë disiplina që sot operojnë si të thuash në një lloj xhungle të pasistemuar. Ka mijëra e dhjetëra mijëra vajza e djem, fëmijë të vegjël, fëmijë që marrin pjesë në këto aktivitete dhe patjetër që ka edhe po ashtu dyfish prindër që paguajnë për stërvitjen, për zhvillimin sportiv të fëmijëve të tyre. Është koha që të gjitha këto klube, të gjitha këto skuadra të gjitha këto organizime të formalizohen dhe të krjojnë një hartë të plotë të të gjithë veprimtarisë sportive dhe njëkohësisht të krijojmë një sistem përgjegjësish dhe përgjegjshmërish nga ana jonë. Kur them nga ana jonë kam paraysh federatat, të cilat janë kyç për të monitoruar aspektin teknik, komitetin olimpik dhe vetë sktrukturat përkatëse të qeverisë.
Është koha që të fillojmë të konkretizojmë brenda shkollës, brenda sistemit tonë arsimor para universitar dhe universitar skuadra sportive. Nuk flas këtu për klasa sportive vetëm, se ato janë njëra anë, po flas shkuara sportive të shkollave dhe universitete, duke ndërtuar edhe një kalendar kompeticioni garash, kampionatesh të fëmijëve dhe të të rinjve, qoftë në nivelin lokal dhe qoftë në nivelin kombëtar.
Ju e dini edhe këtë më mirë se unë, që në fund të fundit, kjo është baza e gjerë prej ku pastaj spikasin talentet dhe nga ku talentet marrin rrugën për t’u ngjitur më lart në sportin profesionist. Do të duhet që Universiteti i Sporteve të jetë i përfshire në këtë proces.
Komponentët janë të larmishëm, nuk mjafton vetëm të themi ‘hajde se po ngremë skuadra e sportit’, por është e domosdoshme që gjithë këto fragmente të këtij mozaiku të asistohen në një proces.
Ne sot kemi krijuar një mundësi që këtu, ka jo pak nga ata, të cilët unë kam patur nderin të ndaj jetën sportive. Natyrisht më shumë duke i admiruar sesa duke më admiruar, se shikoj Korabin këtu. Korabi ka qenë superstar, kam qenë thjesht një mbështetës i skuadrës dhe e sjell këtë në kujtesë sot përpara jush, për të thënë që në kohën kur ne luanim basketboll, apo luanim volejboll apo çfarëdo lloj sporti tjetër, numri i palestrave ka qenë qesharak.
Më kujtohet që kur ne që ishim në atë katërshen-pesëshen e parë të kampionatit të kategorisë së basketbollit, do të duhej të lëviznim për të bërë stërvitje diku tjetër, jo në pallatin e Sportit, përdornim atë të studentit dhe që ishte një palestër me parametra, që sot konsiderohen të papranueshme për palestra shkollash të reja që ne bëjmë dhe kemi sot një numër të konsiderueshëm palestrash në gjithë Shqipërinë që janë me standarde optimale, dhe si të thuash kemi një bazë shumë të mirë për të zhvilluar aktivitetin e lëvizjes sportive të shkollave. Ndërkohë që, patjetër kemi nevojë ta rrisim numrin e palestrave.
Ne po bëjmë iventarizimin e të gjitha palestrave në një database të vetme, ashtu dhe të gjitha terreneve sportive të hapura në një database të vetme, dhe ndërkohë kemi kërkuar nga bashkitë të na vënë në dispozicion të gjitha hapësirat potenciale për ndërtimin e fushave të reja sportive apo mjediseve të reja sportive, ashtu sikundër do të bashkëpunojmë në këtë program me Komitetin edhe për ndërtimin e objekteve të reja të infrastrukturës sportive.
Më kujtohet që Kombëtarja e peshëngritjes i bënte stërvitjet poshtë shkallëve të stadiumit “Qemal Stafa”, në palestra që quheshin palestër vetëm për të mos thënë karburant apo për të mos thënë lavazh, por qe nuk kishin asnjë lloj kushti, përveç atyre hekurave dhe pedanave të vjetra. Ndërkohë që sot, jemi në kushte të tjera. Por kjo nuk do të thotë që qoftë për peshëngritjen, mundjen apo sporte të tjera, Jemi aty ku duhet për të thënë që jemi në optimale. Edhe në këtë drejtim, kemi shumë për të bërë dhe do ti bëjmë bashkërisht. Dua t’ju siguroj se edhe nga ana ime, edhe nga ana jonë do të jetë maksimale vëmendja dhe mbështetje, por shpresoj se edhe nga ana juaj të jetë vullneti dhe dëshira për t’u përfshirë.
Gjëja e parë që të shkon në mënd, kur mendon për të organizuar kampionate ne nivel shkollash, universitetesh, janë lojërat me dorë, por përtej basketbollit, volejbollit për femra dhe meshkuj ne do të ishim mëse mirënjohës që ju të bëni propozimet tuaja konkrete, që si mund të kemi edhe skuadra të tjera.
Nuk mundet që në çdo shkollë ne të vendosim gjithë sportet, se pastaj i bie që të fusim edhe prindërit në skuadra, por këtë gjë do ta diskutoni ju në komitet dhe pastaj me Komitetin bashkërisht do të diskutojmë që sesi të gjithë sportet të mund të aksesojnë hapësirën e kësaj lëvizje të re rinore, që nga fëmijët, deri te mosha e studentëve me pjesë të caktuara, që nga shahu te pingpongu, te çiklizmi e kështu me radhë. Për këtë arsye Federatat tuaja janë kyç. Nuk mund ta bëjmë dot ne, me urdhra nga lart apo me programe që janë nuk i keni ju në zotërim. Për këtë bashkëpunim dhe këtë ndërveprim unë kisha shumë dëshira t’iu shikoja dhe t’ju thoja që tani kemi mundësinë financiare dhe kemi edhe gjithë bazën minimale, optimale që të hyjmë në këtë fazë të re me lëvizjen sportive në Shqipëri.
Nga ana tjetër, do të varet shumë nga mënyra sesi ne do të organizohemi bashkërisht, mënyra sesi ne do të organizojmë rezultat që do shikojmë që kjo mbështetje të vijë, duke u rritur dhe federatat që përfshihen në këtë lëvizje të vijnë duke u shtuar. Jo të shtohen si federata, por të shtohen si numër pjesëtarësh të kësaj lëvizje.
* * *
Dua ta shtoj këtu me një fjalë këtë element, që patjetër që sfida është tek kapitali njerëzor dhe kapaciteti i kujdestarëve, i mentorëve, i trajnerëve sepse ju e dini më mirë se unë që trajneri, nëse ka një kapacitet të caktuar dhe të certifikuar, është një gjë dhe nëse nuk e ka, kthehet nga njeriu me i dobishëm në një potencial dëmi për fëmijët dhe për të rinjtë.
Edhe në këtë aspekt, roli i federatave është kyç. Do na duhet të flasim për kushtet e licencimit të trajnerëve, i certifikimit të tyre në vazhdim, e kurseve të përditësimit me të rejat e sportit në fjalë. Natyrisht që do na duhet të flasim për monitorimin e gjithë këtyre proceseve, se nuk mjafton vetëm t’i caktosh njerëzit dhe t’u thuash “vazhdoni”, por edhe të kesh një sistem monitorimi.
Edhe këtë federatat janë kyç për ta bërë.
Natyrisht, do duhet të flasim dhe për rritjen e mbështetjes për federatat sepse natyrisht që ky është fond që nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri për të mbështetur lëvizjen sportive në nivel fëmijësh dhe të rinjsh, por është anormale që ky fond, që megjithatë nuk është ndonjë çudi në raport me nevojat dhe me ca duhet të bëjmë, të jetë sa për 3 vjet fondi i gjithë këtyre federatave të sportit.
Edhe këtu do na duhet të flasim si do t’i rrisim kapacitetet e federatave, duke i rritur stimulin.
Dua të shtoj edhe një gjë tjetër. Për sportistët me vlerë të veçantë ne kemi bërë disa gjëra. Mua më vjen që këto gjëra janë vlerësuar edhe nga vetë sportistët, por e di shumë mirë që mund të bëjmë akoma më shumë. Edhe për këtë duhet të flasim konkretisht se si këtyre njerëzve, jo vetëm t’u garantojmë kushte optimale për t’u stërvitur dhe për të qenë në lartësinë e kompeticioneve shumë prestigjioze dhe shumë sfiduese ku marrin pjesë, por edhe për t’u garantuar të nesërmen. Nuk mundet dot që një kampion bote, një kampion olimpik apo një medalje qoftë edhe në Ballkan, ta harrosh dhe ta lësh nesër, kur nuk është më në garë, pa një kujdes.
Të gjitha këto janë të mundshme, nuk do na duhet të shpikim rrotën sepse të tjerë mund t’i bëjnë këto gjëra dhe ne nuk kemi pse të mos bëjmë më shumë. E gjithë pyetja është “Si t’ia bëjmë ne që me aq sa kemi të bëjmë më shumë?” sepse ndonjëherë mund të kesh shumë edhe bën pak, flas financiarisht se mund t’i harxhosh kot, dhe ndonjëherë mund të kesh pak dhe mund të bësh më shumë, nëse di si t’i investosh dhe t’i shpenzosh ato që ke.
E fundit që ka është se sigurisht kjo është ambicie e madhe viti i parë do jetë shumë sfidues sepse koha kalon shpejt edhe kur më kujtohen kaçurrelat e Presidentit të Peshëngritjes, që e ka këtu përballë, që është komplet i zhveshur tani nga i gjithë pylli që kishte mbi kokë, më duket sikur kanë kaluar pak vite. Në fakt, kanë kaluar shumë vite, që do të thotë që një vit, 2022, do kalojë shumë shpejt dhe për të ngritur gjithë këtë mekanizëm duhet punuar intensivisht dhe sidoqoftë, është prapë sfidë dhe fokusimi tek volejbolli-basketbolli si fillim është i drejtë.
Thënë kjo, unë nuk do e mbyllja derën, jo derën e Komitetit se derën e Komitetit nuk e kam unë, por derën për të dëgjuar dhe pse jo për të gjetur mundësi të tjera mbështetjeje, jashtë këtij fondi, edhe për cilëndo nga Federatat që mund të vijë me ide. Edhe me një ide konkrete organizimi.
I kthehemi përsëri shahut. Ne me shahun duhet patjetër që të bëjmë shumë më tepër sepse nuk është thjesht një sport, nuk është thjesht një lojë, por instrument i jashtëzakonshëm për të zhdërvjelltësuar fëmijët, për të kultivuar të menduarit strategjik, për të nxitur fantazinë për krijimin e mekanizmave të rezistencës ndaj presionit të kundërshtarit, e me radhë.
Shahu në shkollë është një ambicie që e kemi prej kohësh, e kemi deklaruar, kemi bërë disa gjëra por janë shumë pak. Shahu nuk është diçka që kushton. Organizimi i një lëvizjeje shahistike në shkollë mund të kushtojë sepse mund të duhen njerëz se vijmë prapë tek trajnerët, por që të kemi klasat e shahut nëpër shkolla është një investim, jo i pamundur, por ama nëse kemi edhe mësuesit e shahut, ne mund të bëjmë një gjë të jashtëzakonshme për të mirën e fëmijëve.
Po kështu dhe sporte të tjera që janë pa shumë shpenzime, por që mund të krijojnë diçka. Nëse do na propozohej që të organizohej një kampionat i shahut, brenda kësaj lëvizjeje, ne do ta konsideronim apo cfarëdoqoftë fushë tjetër, edhe si një lloj eksperimenti për të parë sa funksionon, sa interes ka e si mund të zhvillohet më tutje.
Këto do t’i shtoja fjalës së Fidelit dhe tani, duke iu falënderuar dhe njëherë, jam sy e veshë për të parë e dëgjuar nëse ka diçka nga ana juaj për të thënë.
* * *
Ajo që dua të them është që sigurisht që nëse e shikojmë sot sportin dhe gjendjen e të gjithë federatave, edhe të peshëngritjes që është nga federatat më të dalluara, por kujtdo qoftë, por njësoj si sportin edhe gjithçka tjetër në Shqipëri, me sytë se si duhet të jetë, sigurisht që jemi akoma larg, por mendoj që nuk duhet të harrojmë asnjëherë ta shikojmë se nga jemi nisur, se si ka qenë situata, jo shumë larg, por vetëm disa vite më parë dhe patjetër që pastaj në këtë këndvështrim për shumëkënd situata ka ndryshuar ndjeshëm dhe është bërë më si të thuash gjeneruese optimizmi, por jo për të gjithë. Një pjesë janë siç kanë qenë. Kështu që ky është realiteti e meqë Arbisi përmendi komunitetet fetare dhe LGBT-të, sigurisht ishte një krahasim më shumë për të nxjerrë në pah atë që donte të thoshte, po t’i pyesni komunitetet fetare, edhe ato kanë shqetësime të mëdha, pa folur për LGBT-të, që sigurisht kanë shqetësime shumë të mëdha. Kështu që, jemi në një fazë të ndërmjetme në tërësi, jo vetëm në sektorin apo në degën apo në fushën e gjithsecilit, por në tërësi faza është e ndërmjetme, disa janë pak më përpara, disa janë më mbrapa, disa kanë ndjesinë që gjërat janë në përmirësim, disa kanë ndjesinë që nuk ka lëvizur asgjë, është fazë e ndërmjetme. Ajo që di të them unë është që përgjigja tek gjëja konkrete që kërkoi Arbisi është fakti që për herë të parë qeveria mbështet Komitetin Olimpik me një fond për një vit dhe për lëvizjen sportive në nivel fëmijësh e të rinjsh, që është sa tre vjet fondi i gjithë federatave, është fakt.
Aksesi sigurisht në këtë fond për momentin, për vitin e parë është i kufizuar, sepse tashmë, do fokusohemi tek lëvizje sportive, por nga ana tjetër thashë dhe tjetrën që pavarësisht fondit që do të jetë i dedikuar për të ngritur strukturat e lëvizjes në lojërat me dorë, ne si qeveri, nuk flas për komitetin, do jemi shumë të vëmendshëm me çdo propozim që do bëni ju, për aktivitetet tuaja, sado modeste, ku kushti është që të jenë aktivitete që lidhen me fëmijët e me të rinjtë në fushën e lëvizjes amatore nëse mund ta quaj kështu. Natyrisht, duke pasur parasysh që në atë lëvizje janë dhe burimet e talenteve që pastaj ushqejnë lëvizjen më profesioniste, prandaj mos kini asnjë dyshim që ky është tani një prioritet, nuk është thjesht një nga objektivat. Sigurisht, unë kam folur për këtë edhe 8 vite më parë, edhe 4 vite më parë dhe thashë, janë bërë disa gjëra. Mos harroni që kur ne kemi nisur punë, në shkolla nuk kishte orë mësimi të edukatës fizike, prej shumë vitesh. Pra, nuk kishte fare, nuk kishte as 1,2,3,4. Mësuesit e edukimit fizik, njerëzit që kanë mbaruar shkollën, Universitetin e Sporteve ishin komplet rrugëve. Në atë program kanë përfituar shumë sportistë, ish sportistë që janë sot të integruar në sistemet e dhënies së mësimit të edukimit fizik. Natyrisht që kemi futur mësimin e edukimit fizik, kemi përfshirë mësuesit e edukimit fizik, kemi dy orë apo tre të edukimit fizik, patjetër nuk mjaftojnë, patjetër që cilësia e mësimit të edukimit fizik nuk është në nivelin e duhur nuk diskutohet, por të gjitha këto kërkojnë kohën e tyre, ju e dini më mirë se unë dhe sigurisht që sfida e tmerrshme dhe e pamundur për t’u fituar është se kur unë them kërkojnë kohën e tyre, çdokush që dëgjon thotë, “po mirë, 30 vjet nuk mjaftojnë”? E ka të drejtë. Kapaciteti i durimit ka ardhur duke u ulur, nuk ka ardhur duke u rritur, por janë gjëra që kërkojnë kohën e tyre. është e vërtetë.
Tani, të rrimë shtrembër e të flasim drejtë. Ne nuk e kemi pasur mundësinë e një bashkëpunimi të strukturuar me Komitetin Olimpik për vite të tëra. Ju e dini vetë. Ne edhe sot dhe prap duke pasur parasysh që ka një frymë të re në Komitet, ka një si të thuash komunitet më të lidhur me njëri-tjetrin, ka një drejtim të ri, ndeshemi me situata si ajo situata e asaj shefes së klubit, se nuk dua të përmend emra këtu, për zgjedhjet në bord. Prapë dhe këtu është një situatë e ndërmjetme, që mos ta zgjas.
Gjëja që do t’ju thoja është të jeni absolutisht të hapur, të sigurt që vullneti për të bërë gjëra sëbashku në drejtimin e sportit është i madh. Mundësitë nuk janë të pafundme, por ne do të gjejmë dhe mundësi të reja po ju them, mjafton që të shohim që të kemi se me kë bashkëpunojmë. Ju duhet të na flisni, jo me gjuhën e rezultateve të medaljeve, se ajo është një pjesë tjetër, por me gjuhën e rezultateve kur vjen puna tek hapësirat e reja që duhet t’u krijojmë fëmijëve në këtë vend dhe më të rinjve është një boshllëk shumë i madh. Këtu shumica dërrmuese, në mos të gjithë që i kam para syve janë prindër, kanë fëmijë dhe e dinë shumë mirë se çfarë stresi është mbushja e kohës nga mbarimi i mësimit tek ardhja në shtëpi e fëmijës. Ose do e marrësh në shtëpi që në fillim, ose pastaj për të mbushur atë kohë, në mënyrë cilësore, nuk është e lehtë.
Ju si drejtues federatash e dini shumë mirë sa prindër ka sot në Shqipëri që paguajnë çdo muaj që fëmijët e tyre të stërviten në skuadra fëmijësh. E kam pyetur Korabin njëherë para disa vitesh dhe shifra që më tha ishte marramendëse, por janë skuadra që janë si të thuash në një lloj xhungle. Atëherë ne duhet tu japim këtyre skuadrave mbështetje, duhet tu japim mundësi, por njëkohësisht duhet dhe t’i formalizojmë se kemi dhe përgjegjësi karshi prindërve, se jo çdokush mund të jetë trajner. Se kur bën Astrit Greva një skuadër, nuk mund të shkosh tek Astrit Greva e t’i thuash asgjë patjetër përveçse faleminderit profesor dhe “hajde na ndihmo dhe ne të tjerëve si të bëjmë skuadra të tjera”, por dikush që është komplet anonim, merr përsipër të mësojë një sport, nuk është e lehtë, është përgjegjësi, është e rrezikshme. Për ta mbyllur këtë ndërhyrje, përsëri me lëvizjen sportive që po flasim, të jeni të sigurt që nëse fjala vjen po them, po ju jap një shembull, kam këtu përpara syve mjeshtrin e rafting, nëse ne na ofrohet një projekt për se si mund të bëjmë diçka sëbashku për të stimuluar njohjen e këtij sporti dhe shijen e këtij sporti, pikërisht tek fëmijët e shkollave, patjetër që ne do ta konsiderojmë e do themi po, hajde ta bëjmë e kështu të gjithë me rradhë. Për sa i përket pjesës së sporteve elitare dhe të sportistëve elitarë, nuk diskutohet Arbis që ke të drejtë por nga ana tjetër mos harro dhe një gjë tjetër, që rruga e më tejshme e jetës e shumë sportistëve, edhe shumë të mëdhenj, në gjithë botën, asnjëherë nuk është e njëjtë me rrugën e karrierës sportive nga pikëpamja e mundësive.
Ne kemi marrë vendim, që të gjithë sportistët që shkojnë në nivelet e Brikenit patjetër që duhen përfshirë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, jo në punë në shtet. Në punë në shtet ka edhe roje, por duhet të jenë pjesë e sistemit të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë. E kemi bërë këtë, do vazhdojmë ta bëjmë, e bëmë këtë edhe me dy kampionet olimpike të Kosovës sepse ata nuk do jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të mësuar ushtarët si të gjuajnë, por do jenë aty për të mbështetur rritjen, fuqizimin e edukatës patriotike dhe psikologjike të drejtuesve të të gjithë atyre që kanë një pozicion të caktuar por edhe të të gjithë atyre që shkojnë nëpër misione. Kush mund t’i trajnojë më mirë e kush mund t’i stërvisë më mirë nga pikëpamja psikologjike, por në aspekte të caktuara dhe nga pikëpamja fizike, trupat speciale, trupat që janë nëpër misione? Kështu që këtë ne e kemi vendosur. Nuk ka më kampion shqiptar në arenën ndërkombëtare sipas disa niveleve që lihet pa punë dhe jo pa punë për pjesën që shkon në kampionat, por për gjithë jetën.
Ashtu sikundër, ata që janë në moshë për shkollë e që nuk janë në shkollë apo nuk e kanë bërë ende shkollën, edhe ata i mbështesim në mënyrë të posaçme, kështu që kjo është një pjesë e gjësë.
Këtu natyrisht që nuk kemi dhjetëra e qindra medalistë, nuk diskutohet, por ata që janë, janë. Unë e kuptova mirë atë që the ti, se nuk është vetëm fjala ata që marrin medalje ari e medalje argjendi e medalje bronzi në olimpiadë, janë dhe të tjerët. Me të tjerët, hap pas hapi, në nivele të tjera kuptohet. Por në sistemin e Forcave të Armatosura, kampionët që ngrenë flamur, kush ngre filmuarin e Shqipërisë jashtë vendit, sot e ka vendin në forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me status të veçantë, për gjithë jetën. Këtë e kemi garantuar.
* * *
Në fund fare, doja t’iu jepja me rastin e Vitit të ri një lajm a angazhim e si të doni. Unë e di që ju jeni në një gjendje skandaloze nga ana e zyrave. E di që jeni mbledhur si pëllumbat e , ka qenë një Taqo Buci në Korcë që mblidhte pëllumbat në një vend dhe jeni 7 e 7 me një vrimë atje. Angazhimi që unë dua të marr këtu është kjo. Së bashku me Fidelin, në kohët e mëparshme kur ishte i angazhuar në funksion të sportit si deputet, bashkë me kryetarin e bashkisë së Korçës kemi projektuar qendrën olimpike të Korçës që, në atë kohë kur ne e prezantuam, të gjithë filluan të tallen që kjo është 3D, ndërkohë që aty ishte gërmadhë totale. Sot, ju e dini çfarë qendre fantastike është bërë atje; nuk ka mbaruar sepse duhet dhe hoteli dhe në dijeni time, së shpejti do fillojë të ndërtohet dhe një hotel atje, gjë që do ta kompletojë edhe si një qendër që mund të vijnë skuadra për të bërë grumbullimet, por edhe ekipet kombëtare dhe stadiumi që është pjesë e gjësë.
Po ashtu, edhe qendra olimpike këtu ishte një projekt që në fillim u duk 3D, ka filluar të marrë formë. Nuk ka mbaruar as ajo. Aty mungon akoma një pistë, që është parashikuar pistë vrapimi dhe pjesa e pishinave është komplet e paprekur në funksion të atij projekti.
Ajo që dua t’iu them është që ambicia ime është që të bëjmë një fshat olimpik shqiptar, që të jetë siç është në qendrën olimpike këtu, rezidenca e Federatës së Futbollit me fusha, të bëjmë një fshat olimpik, ku të jetë infrastruktura e administratës së Federatave, jo si kafazet e Taqos, por të ketë godinën e Komitetit Olimpik, me zyrat e Federatave dhe me gjithë aksesorët e nevojshëm që i flasin gjuhën e të gjitha sporteve.
Një fshat olimpik ku të jetë basketbolli, volejbolli, peshëngritja, atletika, mundja dhe aty mundësisht duhet të shtojmë elementin e notit e me radhë.
Ky është angazhimi. Unë kam folur pak me Fidelin.
Nëse Komiteti Olimpik do gjejë një hapësirë ose do propozojë 1-2 hapësira ku mund ta fillojmë këtë gjë, të bëjmë një projekt të bukur, ta fillojmë pjesë-pjesë, nuk është e nevojshme t’i kemi të gjitha fondet për ta bërë të gjithë menjëherë, por edhe një fshat olimpik ku mund të bëhen dhe aktivitetet e 16 vjecarëve, 18 vjecarëve, të sporteve të ndryshme, ballkanike e pse jo dhe europiane.
Përderisa janë bërë këtu kampionate europiane te “Asllan Rusi” ose Qendra Olimpike e Tiranës, ne mund ta kemi atë infrastrukturë aty dhe më në fund ta kemi atë pistën e atletikës se ndërkohë që flasim, jemi i vetmi vend që nuk kemi pistë atletike për të qenë me të gjitha standartet.
Një gjë nuk kemi arritur dot ta kemi akoma nga ato që kemi pas, që të kemi një Gjergj Ruli 2, që edhe kur nuk kërcen më, prapë kërcen nëpërmjet të tjerëve. T’i kemi të gjitha këto komponentë në një fshat olimpik që të jetë model.
Unë ju premtoj që me t’u vënë Komiteti Olimpik në lëvizje, ne do të angazhohemi ta kemi dhe projektin dhe pastaj të fillojmë ta investojmë dhe brenda një periudhe të arsyeshme disa vjeçare, pjesë-pjesë ta përmbyllim një gjë të tillë që do ishte diçka fantastike, jo vetëm për federatat, jo vetëm për sportistët, por edhe si destinacion sepse aty mund të organizosh lloj-lloj eventesh, pra një fshat turistik tamam. Si ato që sheh Elezi kur shkon andej se ne të tjerët nuk marrim dot medalje. Elezi i sheh ato, nuk i shohim ne të tjerët. Edhe Gjergji që ka këtë ustain këtu.
Unë dhe Gimi nuk kemi shans se me notin dhe politikën nuk i futemi dot këtyre fshatrave olimpikë që shihni ju.
Ju falënderoj shumë dhe më duhet patjetër të largohen sepse duhet të jem në Lezhë njëkohësisht dhe nuk e lë dot sepse ka njerëz që presin./m.j