Kryeministri Edi Rama priti në një takim të veçantë, trupën e re drejtuese të Universiteteve, rektorë dhe dekanë të zgjedhur pas përfundimit me sukses të procesit të votimit, për këto poste.
Në takimin përshëndetës, ku merrte pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, Kryeministri bashkëbisedoi me të ftuarit, mbi sfidat e përbashkëta drejt jetësimit hap pas hapi të reformës në arsimin e lartë dhe vënien në jetë të të gjithë bazës së re ligjore të arsimit të lartë. Takimi shënon njëkohësisht nisjen e bashkëpunimit të qeverisë me secilin prej të zgjedhurve, duke i shtrirë atyre dorën e partneritetit.
Duke i uruar për fitoren në zgjedhje, Kryeministri inkurajoi për një proces drejtues, i cili do të përmbushte pritshmëritë e atyre që investuan besimin me votën e tyre. “Dëshiroj në radhë të parë t’ju uroj të gjithëve për fitoren e zgjedhjeve dhe po ashtu t’ju uroj secilit dhe secilës prej jush që në procesin e vështirë, por shumë motivues dhe të bukur të drejtimit të rektorateve, të dekanateve, të departamenteve, ju të përmbushni pritshmëritë e të gjithë atyre që ju besuan votën e tyre.”
Një fushatë pozitive dhe larg ndikimeve partiake e cilësoi Kryeministri të gjithë procesin e zgjedhjeve, ku një rol shumë të rëndësishëm luajtën vetë kandidatët dhe mjedisi që ata krijuan. “Dua t’ju përgëzoj po ashtu për faktin që i dhatë një ton pozitiv një fushate që këtë herë, besoj edhe për shkak se ne vendosmërisht qëndruam të pa përfshirë në proces dhe bëmë çmos për të mbajtur larg çdo ndikim partiak apo politik mbi procesin, – u karakterizua nga një pozitivitet përgjithësisht. Edhe në një anketë të kryer nga Ministria e Arsimit dhe Sportit me studentët, rezulton që atmosfera që keni krijuar ju, por jo vetëm ju që jeni këtu, por dhe të gjithë ata që ishin konkurrentë në garë, ka qënë një atmosferë ku është bërë e mundur të komunikohen dhe të perceptohen pa ngarkesa dhe pa presione të jashtme mesazhet, qëllimet, objektivat dhe idetë e të gjithë konkurrentëve.”
Në mënyrë të veçantë, kryeministri Edi Rama përgëzoi për qëndrimin dinjitoz të mbajtur nga dy prej pjesëtarëve të kësaj trupe drejtuese, të cilët nuk ranë pre e presioneve kriminale. “Më vjen shumë mirë po ashtu që ankimimet nga ana e kandidatëve për veprimtari të paligjshme të kandidatëve të tjerë, përjashto incidentin famëkeq, faktikisht kanë qenë zero. Më lejoni që duke përmendur incidentin famëkeq t’i shpreh respekt, qoftë rektorit të sapo zgjedhur, qoftë dekanit. Të dyve që nuk u tërhoqën përballë një presioni kriminal tërësisht të papranueshëm, jo për botën universitare, por për jetën shoqërore në tërësi, e dhanë një mesazh shumë kuptimplotë me vendosmërinë e tyre për të vazhduar qetësisht një garë, të cilës të gjithë ju i dhatë dinjitet dhe faktikisht e bëtë një gur themeli për të vazhduar seriozisht përpara një rrugë që nuk fillon me këtë mandat të secilit dhe secilës prej jush, por që gjatë këtij mandati, do të përshkojë një segment shumë të rëndësishëm që ka të bëjë, e përsëris, me vënien në jetë të bazës së funksionimit të arsimit të lartë mbi ligjin tanimë, bazë të gjithë reformës në arsimin e lartë.”
Një rol shumë të rëndësishëm në proces luajti edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të cilën Kryeministri u shpreh se përmbushi më së miri angazhimin e saj si institucion në të gjitha hallkat e këtij procesi. “Ministria e Arsimit, besoj ka bërë më së miri detyrën e saj në angazhimin me përfaqësuesit e vet në të gjitha hallkat e procesit zgjedhor dhe për hir të vërtetës, bashkëpunimi me organet zgjedhore të institucioneve të arsimit të lartë ka qënë shumë pozitiv dhe ka garantuar një proces të rregullt ligjor zgjedhor. E faktikisht, kontestimet për deformim të vullnetit të zgjedhësve apo për ndërhyrje të çfarëdollojshme në proces kanë qënë minimale dhe asnjë prej tyre nuk ka qënë zyrtare për hir të së vërtetës.
Unë besoj që ne nga ana jonë, kemi përmbushur përgjegjësitë, por jemi po ashtu të vetëdijshëm që puna jonë nuk mbaron këtu dhe siç ju thashë në fillim, konsiderojeni qeverinë, Ministrinë e Arsimit, zyrën e Kryeministrit një partner të ngushtë, strategjik, në një rrugë ku vendimmarrja është e juaja në gjithë sferën e autonomisë universitare, por ku nga bashkëpunimi i frytshëm midis nesh, besoj unë varet niveli dhe cilësia në të cilën ju do ta ngrini departamentin, fakultetin apo rektoratin që drejtoni.”
Kryeministri siguroi të drejtuesit se cilësia e bashkëpunimit mes tyre dhe qeverisë, nuk varet aspak nga preferenca politike e të zgjedhurve, por bazohet tërësisht në interesat e përbashkëta për arsimin. “Këtu ka rektorë, dekanë shefa, shefe që nuk kanë votuar ndonjëherë për mua dhe nuk kanë për të votuar ndonjëherë për mua. Jo se i di të gjithë se kush janë, por disa i di. Ashtu sikundër ka edhe të tjerë që kanë votuar dhe do votojnë prapë për mua. Por të jeni të sigurtë që ky nuk është kriteri mbi të cilin të vendoset cilësia e bashkëpunimit tonë. Absolutisht jo! Mund të thonë çfarë të duan të gjithë, por asnjë nga ju nuk mund të thotë që në garë ndjeu gjëkundi si kundërshtar Kryeministrin, apo ministren, apo qeverinë. S’besoj se ka ndonjë nga këtu që mund të thotë që ‘nuk kisha përballë atë që mund të ishte kolegu im konkurrent, por kisha përballë shtetin, qeverinë, kryeministrin, Partinë Socialiste’. Kjo nuk ka ndodhur! Kjo është shenja e parë që ju duhet ta konsideroni si mesazhin që ne dëshironim t’u jepnim të gjithë atyre që do të dilnin fitues nga kjo garë.”
Duke vlerësuar rezultatin e kësaj gare, si një rezultat real, ku kanë shprehur votën 98% të pedagogëve e pedagogëve të trupës universitare, Kryeministri theksoi se qeveria do të ofrojë kurdoherë mbështetje
“Pikërisht sepse keni fituar me meritën tuaj dhe rezultati i kësaj gare është rezultat real, shprehje e votës të 98% të pedagogëve e pedagogëve të trupës universitare ju keni të gjithë respektin dhe gjithë mbështetjen tonë të pakufizuar për gjithçka që ju do të konsideroni që qeveria duhet t’u dëgjojë e duhet të bashkëbisedojë me ju. Për detyrat tona ndaj universitetit të jeni të sigurt që siç treguam se i dimë shumë mirë kur bëmë zgjedhjet i dimë shumë mirë edhe më tej. Por përtej detyrave, bashkëpunimi është i hapur dhe secili prej jush është plotësisht i mirëpritur dhe e mirëpritur që të kërkojë mbështetje, dëgjim, bashkëbisedim.”
Në përfundim, ndërsa e vlerësoi historike punën e bërë për reformën në arsimin e lartë Kryeministri theksoi se sfida e përbashkët mbetet jetësimi i reformës. “Faktikisht kemi bërë një punë mendoj unë që është historike për arsimin e lartë. Tani sfida është ta jetësojmë. Sfida është që universiteti publik të mos jetë lehtësisht i konkurrueshëm e për më tepër mos mbetet mbrapa universiteteve jopublike. Nuk mund të ndodhë kështu edhe pse kështu ka ndodhur për shumë fakultete, departamente e për jo pak universitete.
Kjo është një sfidë e përbashkët. Ne vërtetë jemi nisur dhe i mbetemi besnik parimit që nuk ka universitet të nënës dhe universitete të njerkës. Qoftë në universitete publike, qoftë në universitete jopublike janë vajza e djem prindërish shqiptarë që shkojnë për të marrë dijet e tyre. Janë prindërit shqiptarë që investojnë të gjitha shpresat duke investuar kursimet e tyre. Sidoqoftë ne besojmë se potenciali i universitetit publik është shumë i madh dhe së bashku unë ju ftoj që të bashkëpunojmë për ta kthyer këtë potencial sa më shumë në një realitet konkret ndryshimi për studentët e studentet, por edhe për pedagogët dhe pedagoget që padyshim kanë nevojë për kushte më të mira.”
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla duke marrë fjalën, u shpreh se angazhimi i ndërmarrë nga qeveria u përmbush duke bërë të mundur një garë të ndershme, demokratike dhe të barabartë. “Secili prej jush që jeni këtu sot por edhe ata që kandiduan janë dëshmia që ne ia dolëm të mbanim angazhimet që morëm në fillim garën tuaj. U angazhuam që do të bënim çmos për të mundur një garë të ndershme demokratike dhe të barabartë dhe për të lënë gjithçka tjetër në dorë të pedagogëve dhe studentëve për të bërë zgjedhjen e tyre. Sigurisht ia dolëm të gjithë bashkë që të kishim një të tillë garë.”
Takimi ka vazhduar me shkëmbim idesh dhe sugjerimesh lidhur me zbatimin e Reformës së Arsimit të Lartë dhe autonomisë universitare. – See more at: http://shqiptarja.com/home/1/rama-me-rektor-t-e-rinj-ishte-fushat–larg-ndikimeve-partiake-353620.html#sthash.2HJgyMdi.dpuf