Kryeministri Edi Rama ka reguar me tone të ashpra ndaj protestës së djeshme të opozitës, gjatë së cilës pati tensione dhe u plagosën disa punonjës policie.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama thotë se opozita po e ushtron dhunën si pjesë të pandarë të aktivitetit të saj politik, duke e cilësuar atë si një fenomen të rrezikshëm dhe të papranueshëm.
Ai krahason protestën me veprime anarkiste dhe paramilitare, duke pretenduar se pjesëmarrësit ishin të maskuar, të rekrutuar me pagesë dhe të përfshirë në shkatërrim prone e sulme ndaj institucioneve. Sipas kryeministrit, këto protesta përfaqësojnë një “degjenerim të pandalshëm” dhe një akt dëshpërimi politik.
REAGIMI I PLOTË:
Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…
Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!
Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!
Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër











