Kryeministri Edi Rama ka ftuar në episodin e 15-të të radhës në Podcast, ”FLASIM”, Gentian Toshkëzi, i cili quhet ’America’s best doctor’’, doktori më i mirë i Amerikës, një çmim prestigjioz që jepet në mënyrë të përvitshme nga një organizatë shumë prestigjioze.
“Të falënderoj për kohën dhe mundësinë që të të kem këtu. Një rrugë e çarë me shpatën e artë në dorë, medalje ari këtu, medalje ari atje derisa arrite të vlerësohesh me këtë titull kaq prestigjioz dhe të lësh pas ti, myzeqari, gjithë amerikanët e mundshëm dhe patjetër edhe të tjerë, se amerikanë janë ata që vijnë nga një origjinë prindërore amerikane, por edhe shumë të tjerë që vijnë nga origjina prindërore të ndryshme, kështu që ti je myzeqari-amerikan që je këtu sot me ne dhe deri në fund të shkollës së mesme ke qenë në Lushnjë”, tha Rama.
Dr.Toshkëzi u shpreh se “është kënaqësi të jem sot me ju dhe mirë se ju gjeta. Po, deri në shkollën e mesme. Unë kam lindur në Lushnje. Deri në shkollën e mesme kam mbaruar studimet, i kam kryer në gjimnazin e Lushnjës”.
Kryeministri Rama tha se “ky çmimi “America’s best doctor’’ nuk është e para herë, është më prestigjiozja në aspektin e famës, por nuk është e para herë që ti vlerësohesh nga një komunitet, në këtë rast je vlerësuar nga komuniteti i kolegëve të tu, që është diçka fantastike, por je vlerësuar edhe nga komuniteti shqiptar. Tani pse të vlerësojnë komuniteti shqiptar? Sepse i fut pa radhë, sepse i trajton ndonjëherë kur kanë nevojë nëpër shtëpia, sepse i ndihmon që të kenë vizita më shpejt të organizuara me kolegë, domethënë bën shqiptarin pak atje ose shumë atje, apo thjesht duan të jenë pjesë e suksesit tënd?’
“Pak nga të dyja. Unë do thoja që ikja nga Shqipëria për mua ka qenë e vështirë. Ikja gjithmonë shoqërohet me atë mallin dhe dhembjen që ke ikur nga vendi yt. Dhe kur ikën ti ke një detyrim ndaj vetes që të rigjesh apo të rilindësh apo të ribësh veten, në profesionin apo ëndrrën tënde por ke edhe një detyrim ndaj njerëzve që ke lënë pas dhe vendit tënd. Dhe kjo më ka ndjekur tërë kohës. Unë kam ruajtur identitetin shqiptar dhe kam qenë krenar në çdo moment që kam qenë shqiptar dhe kam dashur ta bëj Shqipërinë të jetë krenare për pasionin dhe profesionin tim. Çdo shqiptar që unë shoh dhe takoj në Amerikë është për mua si një vëlla, si një njeri shumë i afërt, njeri i familjes dhe gjithnjë kam menduar që duke qenë prezent apo duke i ndihmuar, me ato mundësitë e mia, në një farë mënyre i kam kthyer dhe atë borxhin vetes dhe vendit dhe njerëzve që më duket sikur i lashë kur ika dhe kjo më ka ndjekur gjithmonë. Unë kam pasur një derë hapur për të gjithë shqiptarët që duan një opinion, apo një mendim apo që kërkojnë një ndihmë, në Amerikë dhe këtu dhe këtë e kam bërë gjithmonë pa asnjë lloj interesi tjetër. Ka qenë gjithmonë thjesht dëshirë për të qenë prezent për ta dhe për t’i ndihmuar”, theksoi dr.Toshkëzi.
Teksa tregon për fëmijërinë, familjen, studimet e tij të larta, Dr.Toshkëzi tha se “në vitin 2000 kam mbaruar shkollën në mjekësi me të gjitha 10-a. Pastaj, atë vit doli një urdhër nga ministria që ne duhet të fillonim të punonim si mjekë të përgjithshëm për një vit, përpara se të fillonim specializimin. Jam rikthyer në Lushnje, kam punuar në Savër. Në një nga fshatrat e Lushnjës, që është afër. Ishte një eksperiencë e bukur, ndryshe për mua. Filloja si mjek i ri dhe përballesha me mjekësinë e përgjithshme, me pacientët. Pas një viti, konkurrova dhe u futa në specializim në neurokirurgji. Më ka ndihmuar mjaft, sepse isha medalja e artë dhe ato pikët e sistemit të konkurrimit, bënë që të merrja një degë që ishte pak e rrallë në Shqipëri. Ishte një degë që akoma nuk kishte nisur një specializim të mirëfilltë për specializantët, por kishte kërkesë. Aty mu fut dhe pasioni, gjatë shkollës e kisha dëshirë kirurgjinë, por nuk e mendoja kurrë neurokirurgjinë si degë. Duke punuar në neurokirurgji atëherë, aplikova për një bursë të Kolegjit të Mjekësisë në Francë. Unë flisja frëngjisht. Kisha mësuar italishten. Kisha qenë një vit në Itali gjatë shkollës së mesme duke bërë punë për të fituar disa para, prindërit ishin në pension dhe bursa nuk u aprovua”.
“Nuk isha shumë i lumtur sepse qëndroja këtu, por pa qenë mirëfilli i trajnuar në neurokirurgji pasi nuk kishte një shkollë të mirëfilltë dhe pas disa muajsh vjen një letër nga profesor Rei në Paris, i cili kishte parë aplikimin tim dhe që më ishte refuzuar bursa dhe i kishte shkruar një letër dekanit, i cili në atë kohë ishte ndërruar dhe sekretarja e kishte marrë letrën, e kishte hapur dhe më merr në telefon. Më thotë, ka një letër në frëngjisht, nuk e di çfarë thotë, por është emri juaj. Shkoj me vrap lexoj që ai shkruante, më vjen keq që doktor Toshkëzit i është refuzuar bursa, por unë kam mundësi që ta pranoj në shërbimin tim, kundrejt një pagese si specializant dhe për mua ishte gjë shumë e mirë, shumë e bukur dhe nisem në Paris pa ditur asgjë nga Parisi, me një valixhe. Mbaj mend që ka qenë një specializant atëherë, në anestezi, shqiptar i cili më ka pritur tek aeroporti. I kam thënë, si më njohe se s’kishim as mundësi telefonash apo interneti siç i kemi sot dhe më thotë të kam njohur nga valixhja shqiptare”, tregoi dr.Toshkëzi.
Kryeministri Rama theksoi se “në fund të këtij specializimi apo kësaj periudhe, gjendeshe në mes të Shqipërisë dhe Amerikës. Oqeani andej, Shqipëria këtej”.
“Kisha ato mëdyshjet. Në Paris pata një eksperiencë të shkëlqyer sepse aty mësova mjekësinë moderne, bashkëkohore, neurokirurgjinë e mirëfilltë nga profesorët e mi atje. Unë kam shkuar me shumë modesti sepse mbaj mend ditën e parë kur profesori më ka pyetur çfarë di të bësh dhe me naivitetin e kohës i kam thënë unë vij nga një vend i vogël, por kam dëshirë të madhe të mësoj dhe të mësoj sa të mundem neurokirurgji pa i dhënë asgjë që unë di të bëj shumë gjëra. Kam parë të nesërmen, jam futur në një operacion shumë të gjatë, që për mua ishte dhe gjë shumë e bukur, por përgjegjësi e madhe dhe aty kuptova që ata më dhanë dorën dhe fillova të mësoja dhe kisha atë dëshirën që të mësoja çdo gjë. Isha në mëdyshje për t’u kthyer në Shqipëri. Kur kam shkuar kam menduar gjithmonë që do kthehem në Shqipëri, por gjatë qëndrimit atje, kishte interferenca apo shtysa dhe nga francezët, nga kolegët e mi, për sistemin amerikan, për standardin që ishte atje dhe fillova ta mendoja si ide”, nënvizoi dr. Toshkëzi.
Pyetjes së kryeministrit Rama si ishte procesi i kalimit nga specializanti që është diçka midis studentit dhe profesionistit të besuar krejtësisht në Amerikë, dr.Toshkëzi iu përgjigj se “në Amerikë, ti nuk pranohesh kollaj, që të vish as nga Franca, as nga Shqipëria as nga një vend i Europës pa dhënë ato standardet dhe provimet dhe pa kaluar në procesin e rivlerësimit dhe pa ribërë edhe një herë specializimin”.
Sa zgjati procesi nga arritja në Amerikë deri në momentin kur ti veshe bluzën dhe ishe ‘’The Doctor’’?, e pyet Rama doktor Toshkëzin.
“Që kam qenë primar, doktor kirurg primar, është një proces që ka qenë 13 vjet”, tha dr.Toshkëzi.
Lidhur me vlerësimin që i jep shkollës në Shqipëri , dr. Toshkëzi u shpreh se “shkolla jonë është shkollë shumë e mirë. Shkollë e fortë. Unë akoma ruaj një respekt shumë të madh për të gjithë pedagogët e mi, të cilët kanë qenë për mua heronj sepse mësonim në kushte jo të lehta. Në atë kohë, nuk kishim këtë lloj aksesi që është sot. Në internet mund të gjesh çdo gjë. Ne ishim vetëm me libra, me atlaset e vjetra që mungonin dhe faqe dhe përpiqeshim të shkruanim apo zëvendësonim ato fletë, por mendoj që ata kanë pasur një pasion kaq të madh për mësimdhënien duke na dhënë mundësinë që të ballafaqohemi kaq denjësisht dhe kaq në mënyrë të barabartë me gjithë botën, në standardet më të larta pavarësisht asaj që ne ishim të intimiduar dhe ndoshta nuk e njihnim botën. E dinim shumë herë më lart dhe shumë herë më të suksesshme, por kjo dhe na joshte a mundemi ne ta përballojmë dhe kjo ishte një nga ato joshjet”.
Pyetjes së kryeministrit Rama a vjen shpesh në Shqipëri Dr.Toshkëzi iu përgjigj se “Shqipëria është gjithmonë në zemër. Asnjëherë, në asnjë moment nuk ka qenë larg meje edhe në momentet më të vështira kur kam qenë shumë poshtë moralisht, apo shpirtërisht, apo nga ana financiare, gjithnjë kam pasur në mendje, në zemër, është ai vendi ku ti je lindur dhe rritur, por të mungon. Ne kemi atë shprehjen që në Amerikë i gjen të gjitha, por nuk gjen vendin tënd dhe në momente të vështira, ka qenë kjo pjesë e Shqipërisë, kultura shqiptare, muzika shqiptare, filmat shqiptarë që na jepte një farë shtyse apo na motivonte që jeta vazhdonte dhe jeta ka qenë e bukur”.
Kryeministri Rama tha se “ne kemi vendosur para pak ditësh që të ndryshojmë rrugën e marrjes së diplomës për mjekët pasi bëjnë fakultetin e mjekësisë në kushtet kur ka nisur, unë e quaj luftë për burime njerëzore, nga vende shumë të pasura. Gjermania e para të cilët përballen me një rënie drastike të lindjeve dhe një plakje gjithmonë e më shqetësuese dhe gjithmonë e më prezente të popullsisë dhe me domosdoshmërinë për burime të freskëta njerëzore që nuk i prodhon më aq sa duhet sistemi i lindshmërisë së brendshme dhe mjekët shqiptarë janë ndër ata që për shkak të reputacionit që kanë krijuar, pavarësisht se universiteti ynë nuk është i rankuar askund nga pikëpamja formale, menjëherë mikpritjen për shkak të profesionalizmit të tyre dhe natyrisht paga është më e larë dhe pse ne kemi bërë një rritje të konsiderueshme tani, patjetër atje shpenzimet janë më të larta në raport me këtu, por prapë nuk ka konkurrentë, në sensin që nuk dalim dot barazim, jemi në dizavantazh në këtë aspekt dhe përballë kësaj dhe përballë faktit që mbrojtja e jetës, garantimi i shëndetit është detyra parësore e shtetit, duke qenë se dhe studimet në Universitetin e Mjekësisë dhe në tërësi mbulohen në një masë shumë të madhe nga shteti dhe tarifat janë thuajse simbolike, ne kemi vendosur që çdo student që do të hyjë këtë vit në Universitetin e Mjekësisë, do të marrë diplomën dhe do të jetë i lirë ta ushtrojë profesionin jashtë vendit, vetëm mbas 5 vjetësh. Si të duket kjo masë?”
“Unë mendoj që shteti e ka për detyrë dhe e ka detyrim që të sigurojë shërbimin për popullin, për njerëzit dhe shëndetësia është nga ato që është vitale për një vend sepse në qoftë se ajo çalon, atëherë probleme të tjera ngrihen. Si vendim, dhe ashtu si e thoni ju është transparent dhe ju bëhet e qartë që në fillim studentëve që pas 5 vjetësh do të kenë të drejtën e diplomës, pas 5 vjet punë, më duket i drejtë duke pasur parasysh që studimet janë në kosto të ulët, qeveria dhe shteti mbulon dhe koston e shpenzimeve, më duket vendim i arsyeshëm për një vend i cili ka nevojë dhe po vuan mungesën e mjekëve dhe unë mendoj që transparenca është ajo që bën…”, tha dr. Toshkëzi.
Kryeministri Rama u shpreh se “fatmirësisht ne ende ne nuk po e vuajmë, në sensin që kemi ende një sistem të balancuar edhe pse në raport me të shkuarën ne nuk kemi humbje të mjekëve, pra nuk kemi vende bosh që nuk ka mjekë, ende, por në raport me rajonin ne kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë, që duhet ta rrisim dhe që të mos flasim pastaj për Europën, që do të thotë që ne na duhet maksimizimi i këtyre kapaciteteve, ndërsa duke qenë se kjo ‘’luftë’’ që është tamam ajo ‘’njeriu ujk për njeriun’’ në këtë rast, na ka përfshirë pa dashje dhe ne nuk kemi bërë asgjë tjetër përveçse bëjmë atë që na takon, që të ruajmë sa më shumë burime njerëzore, por edhe duke qenë se në fund të ditës më mbeti pak në vesh ajo që the, që ke bërë 1 vit në Savër në fshat, pjesë e formimit të mjekut është edhe kjo. Domethënë për një periudhë kur si të thuash, vihen në sprovë ato që janë mësuar në shkollë, por edhe vihen në sprovë cilësitë e tua humane, por edhe vullneti për të përballuar situata që mund të mos jenë optimale, ndjenja e përgjegjësisë, pra janë të gjitha gjëra që shkojnë bashkë, plus edhe përgatitja për të hyrë në një tjetër kategori. Ndërsa për ata të cilët janë në proces, ne kemi vendosur dy zgjedhje: pra, ne nuk mund t’i ndalojmë, që kur mbarojnë universitetin këta që janë në vit të 2-të, 3-të, të 4-ët, të 5-të, aty nuk mund t’i ndalojmë kur mbarojnë universitetin të shkojnë jashtë, por ama nëse ata nuk janë të gatshëm që të pranojnë që të qëndrojnë këtu, duhet të paguajnë një tjetër tarifë. Pra shteti do të vazhdojë të mbështesë të gjithë. Patjetër me kushtin që këtu të kalojnë një periudhë kohe dhe sigurisht ata nuk e kanë 5 vjet, e kanë të përshkallëzuar. Ata që janë në vit të fundit e kanë më pak, pastaj pak më shumë dhe pastaj vjen 5-vjetëshi tek viti i parë mos gabohem. Kështu që kjo është pak a shumë skema, besoj që është etike në raport me njerëzit sepse njerëzit nuk paguajnë taksa që të përgatisin mjekë që, qysh në ditën e parë vihen në shërbim të popullit gjerman, me gjithë respektin, por për t’ju vënë në shërbim , në radhe të parë, popullit shqiptar”.
Dr.Toshkëzi thekson se “Anglia po ashtu ka një periudhë shumë të gjatë për mjekët që të jenë të pavarur. Amerika e kalon me periudhë trajnimi. Fati jonë është si shqiptarët, unë e shoh nga përvoja ime, ne mbaruam shkollën e mjekësisë më shpejt krahasuar me amerikanët sepse ata e kalojnë në kolegj, pastaj kalojnë në shkollën e mjekësisë dhe pastaj kalojnë në specializim dhe midis kolegjit dhe shkollës së mjekësisë u kalon një periudhë goxha e gjatë.
Kryeministri Rama pyet dr. Toshkëzin se “çfarë vlerësimi ke për atë që sheh sot në sistemin shëndetësor shqiptar aq sa ke parë? Me siguri ke parë në Tiranë, në Lushnjë. Çfarë vlerësimi ke në atë që sheh sot në raport me ditën kur ike dhe nga ana tjetër cilat janë gjërat që ty në syrin e parë ose edhe në syrin që nuk është syri i atij që e jeton përditë po që është syri i atij që e di shumë mirë se, çfarë duhet të ketë rreth e rrotull nëse duhet të futet në veprim, cilat janë gjërat që të bien në sy si mungesë?”.
“Mjekësia në Shqipëri ka bërë një progres shumë të madh krahasuar me periudhën kur unë kam ikur nga Shqipëria para 20 vjetësh, madje shoh një turizëm mjekësor në mjekësi; në kozmetikë, në pjesën e dentistëve, stomatologjisë. I njoh shumë prej kolegëve me të cilët kam mbaruar shkollën dhe me të cilët diskutoj dhe jam në kontakt për mënyrën se si funksionon dhe më bëhet qejfi që ka një ndryshim dhe është cilësor. Shërbimi shëndetësor në mjekësi kërkon ndoshta, do një farë ristrukturimi me siguracionet siç i ka gjithë bota në mënyrë që të bëhet me e lehtë për pacientët dhe për mjekët. Mënyra e komunikimit dhe mënyra e shërbimit dhe kjo besoj është pjesa që..”, tha dr. Toshkëzi.