Nga Lorenc Vangjeli
Zgjedhjet lokale u mbyllën me fitoren e thellë të PS-së duke marrë 53 nga 61 bashkitë e vendit. Si e konsideroni këtë rezultat? Po pjesëmarrjen e ulët në votime si e komentoni?
Ishte një rezultat për të cilin askush nuk kishte dyshim sesi do të ishte. Që në fund të dimrit, në shkurt të këtij viti, socialistët, Damian Gjiknuri i pari ndër ta, pretendonin se do të merrnin një minimum prej 40 bashkish nga 61 gjithsej. Dhe ndër to, të gjitha bashkitë më të mëdha dhe më të rëndësishme të vendit. “Gjithçka nën këtë shifër ne do ta konsiderojmë humbje”, surprizonte atëherë sekretari i përgjithshëm i PS-së duke shpalosur jo thjesht një objektiv ambicioz politik, por duke shënjuar një synim realist që kushtëzohej nga shumë faktorë. Duke nisur me të parin dhe më të rëndësishmin që në këto zgjedhje, socialistët e Ramës kishin luksin jo thjesht që të fitonin, por të prisnin humbjen e garantuar të kundërshtarëve të tyre. Sa kohë që ke në dispozicion vetëm ujë dhe miell, është e pashmangshme që të tryezë të kesh si rezultat vetëm petulla të padobishme me ujë, ndaj përballë tyre, demokratët bënin vetëm petulla optimizmi me ujë për të ushqyer shpresa të rreme. 14 maji e verifikoi këtë pritshmëri për një mori arsyesh, secila prej tyre, ishte rrjedhojë logjike që nga fakti që fatura e gafave dhe mëkateve drithëruese të demokratëve në bëra në mënyrë të njëpasnjëshme së paku që nga 2017-a e deri tek pamundësia e tyre për t’u shndërruar në një alternativë serioze për qeverisëse. Shqiptarët dalluan qartë që një parti e paaftë të qeverisë vetveten, nuk duhet të ketë shans të qeverisë Shqipërinë, edhe atëherë kur defektet e qeverisjes do ta mirëkuptonin rotacionin e mundshëm në rastin më ekstrem apo rezultatin e ngushtë në rastin më realist. Analiza e zgjedhjeve është një proces që kërkon shumë kohë dhe mbi të gjitha kërkon objektivitet. Edhe pse fitimtari nuk preferon kurrë të gjykohet, kjo nuk mund të bëhet nga pozitat e humbësit që këndon të njëjtin refren aspak refraktar: na grabitën votat! Sado faktorë jashtë elektoralë të përfshihen në këtë analizë, që nga ndërhyrja e strukturave shtetërore në fushatë, përdorimi i resurseve publike, i administratës, i grupeve të interesit, me aktivistë dhe patronazhistë, me vendime të diskutueshme për problemin e përdorimit të siglës, vulës apo edhe më keq se kaq, e ndërfutjes së faktorëve jashtë politikë në fushatë, një gjë është e sigurt: deformimi i votës nuk ka ndikuar në rezultatin e përgjithshëm. Nuk ka ndryshuar fanellën e fituesit me të humbësit. Socialistët patën një ekip të tërë fitues konkretë në zgjedhje. Edi Rama, Spiropali, Gjiknuri, Sako, Dako e Çela, shoqëruar edhe nga surprizat Doshi, i vetmuari Duka dhe “outsider”-i Basha, ishin shumë më tepër në përballje me Berishën, të lënë vetëm në humbje edhe nga Meta, gjithashtu fitues taktik i këtyre zgjedhjeve. Të gjithë këta faktorë dhe të tjerë më anësorë se këto, kanë ndikuar edhe në interesin relativisht më të ulët të shqiptarëve për të shkuar në votim. Një ndeshje të cilës i dihet rezultati, nuk i afrohen kureshtarët në stadium.
Opozita e drejtuar nga Berisha dhe Meta nuk pranojnë rezultatin duke akuzuar qeverinë se votat u blenë, përdorën bandat kriminale dhe administratën zgjedhore. Këto pretendime qëndrojnë, apo është justifikim për të mbuluar rezultatin shumë të dobët të koalicionit “Bashkë fitojmë “? Nëse opozita ka prova si është e mundur që nuk ka kush “i dëgjon”, as nga faktori nderkombëtar apo institucionet vendore? Kujtojmë që si Berisha ashtu edhe Meta nuk janë takuar me asnjë ambasador apo institucione nderkombëtare për ankesat e tyre.
Rezultati i pandryshueshëm në çdo palë zgjedhje është pikërisht ky. Kush humbet, pretendon se është i grabitur. Berisha e Meta që pretendonin i pari se Shqipëria do të gdhihej blu mbas mesnatës së 14 majit dhe i dyti që deklamonte se do të merrnin 61 bashki, nuk bënë përjashtim nga ky rregull i trishtuar në një vend, ku humbësi kurrë nuk i ka shtrënguar dorën fituesit dhe ku fituesi nuk ka dëgjuar kurrë arsye të tjera për fitoren përveç akuzave. Këto zgjedhje patën dhe një veçanti. Së paku njëra palë e ka bërë palë në betejën e zgjedhjeve edhe faktorin ndërkombëtar. Berisha e konsideron rezultatin si një komplot ndërkombëtar të Ramës me ambasadoren amerikane duke nënkuptuar me këtë të fundit një të vërtetë therëse: askush nga partnerët ndërkombëtarë nuk do ta mirëpriste një fitore të tij në zgjedhje. Dhe që, secili nga ta, veç e veç dhe të gjithë bashkë, do të preferonin më të mirë të mbyllnin sytë ndaj parregullsive individuale dhe të konsideronin Ramën si partner në Tiranë sesa të dëgjonin retorikën qesharake të triumfit të Partisë Demokratike mbi rrezikun angloamerikan në Tiranë. Nuk ka asnjë dyshim se jashtë kohe dhe jashtë hapësirës, lidershipi opozitar do të tentojë të gjejë rrjedhën e lumit që i përmbyti mullirin me erë. E vërteta është më e thjeshtë se kaq. Opozita është prej kohësh një këmbanë që nuk ka tingull.
Opozita nuk po jep asnjë shenjë për të ndryshuar. Berisha nuk pranon dorëheqjen, zëra kundër në grupin e Rithemelimit nuk ekzistojnë dhe nga ana tjetër PD zyrtare duket se po rikthehet tek i larguari Basha. Si e parashikoni të ardhmen e opozitës?
Nuk ka dy pa një më parë. Nuk ka tre pa dy. Dhe po e njëjta logjikë do të përdoret edhe në 2025-ën kur mandatit të katërt të Ramës, opozita do t’i gjejë shumë arsye, por jo thelbësoren se pse do të ndodhë: ajo nuk është ofertë e pranueshme për shumicën e shqiptarëve. Rikthimi i dembelit monumental të politikës shqiptare, zotit Basha, vetëm sesa do të shtojë paqartësitë dhe megjithëse nuk mund të flitet për funeral të opozitës, situata është edhe më keq. Bëhet fjalë për një agoni të zgjatur, për një tmerr pafund që është shumë më keq sesa një fund i tmerrshëm. Opozita është marrë peng nga Sali Berisha, ajo është peng i egoizmit të tij ekstrem dhe në këtë gjendje, nuk ka mrekulli që ta shndërrojë në djathtë sapunin e rëshkitshëm që ajo afron në burgun ku ka mbyllur vetveten. Në epilog, Rama do të marrë prej Berishës qarin vetjak, kurse opozitës do t’i mbetet në derë qederi i tij.
Rama ka superpushtet me 53 bashki të fituara ose 90 për qind të kontrollit të pushtetit lokal dhe kontroll të plotë të parlamentit dhe qeverisë. A mund të themi se kjo situatë është paradhoma për të shkuar pa probleme në mandatin e katërt qeverisës?
Në të njëjtën mënyrë që kontrolli absolut i tij mbi bashkitë në zgjedhjet e 2019-ës ishte një nga kartat fituese për zgjedhjet e përgjithshme të 2021-it, edhe këto zgjedhje do të kenë një ndikim të jashtëzakonshëm edhe në zgjedhjet e 2025-ës. Rama e ka zgjatur një dorë aty dhe vetëm një mrekulli do të rrëzonte atë nga pushteti, por mrekullitë ndodhin vetëm në përralla. Realiteti i vrazhdë politik në vend vepron mbi të tjera kritere logjike dhe të tjera lidhje shkak-pasojë. Për momentin duket se mandati tjetër qeverisës është i garantuar, por qeverisja do të bëhet natyrisht më e vështirë. Dhe për këtë arsye, Rama ka nevojë të rishpikë veten. Nëse deri më tani Berisha e Basha kanë qenë si ato furrnellat me gaz që ngrohin ajrin për balonat në fluturim, shumë nga njerëzit që ai vetë i ka zgjedhur, janë shndërruar në thasët me rërë të balastrës që e rikthejnë në tokë. Që shtojnë rrezikun e aksidenteve. Për të mbetur lart, Rama duhet të nisë të largojë pikërisht këto pesha që kanë madje portretet e një pjese të anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar dhe një numër dëshpërues drejtuesish të lartë të administratës. Eshtë kaq qartësisht e dallueshme diferenca mes toneve gati-gati paqtuese dhe larg triumfalizmit që përdor dhe një individ në thelb triumfalist si Rama, me qasjen arrogante prej bejleruçinash qesharake të disa prej bashkëpunëtorëve të tij. Luanë me vartësit dhe lepurushë gazmorë me shefin e tyre, ata janë fatura vetjake e Ramës sado që ai të përjashtojë veten dhe partinë e tij nga faturat e tyre. Rama e di që edhe në tryezën e banketit të tij të fitores, një shumicë dërmuese e bashkëpunëtorëve të tij i përdorin pirunjtë e servisit për t’i nxjerrë sytë kolegëve në krah dhe thikat e mishit për t’i ngulur mbas shpine po atyre. Rishkrimi i hierarkisë në një PS që zjen mbas shpinës së kryeministrit është një ushtrim mjaft i vështirë politik, por edhe njerëzor. Ky është basti i madh i Ramës për të arritur të qeverisë në mandatin e tij të katërt dhe jo thjesht të marrë mandatin qeverisës.
Këto zgjedhje gjithashtu patën një parti surprizë elektorale siç është PSD e Tom Doshit me një rritje 240 për qind krahasuar me dy vite më parë dhe shtrirje në të gjithë Shqipërinë në këshillat bashkiakë. Si e komentoni këtë fenomen? Kujtojmë që Doshi është individ i sanksionuar nga SHBA bashkë me Berishën, por njëri rritet masivisht dhe tjetri ulet dramatikisht në aspaketin elektoral.
Eshtë një fenomen elektoral, i cili logjikisht nuk mund të shpjegohet vetëm me arsye politike. Së paku në Shkodër, vota për PSD-në ishte votë e ndërmjetme. Ajo mund të bëjë kuptim duke u shpjeguar edhe me faktin se të djathtët tradicionalë që kanë votuar gjithmonë Berishën e shihnin votën për këtë parti si një stacion për të mos vajtur deri tek PS, por kjo nuk shpjegon dot pjesën tjetër të votës, sidomos në jug të vendit. Ka vetëm një element të ndershëm që ndihmon në arsyetim dhe që ka të bëjë me rritjen e partive të vogla në zgjedhje lokale. Një rezultat të pabesueshëm siguroi në ndeshjen e saj të parë elektorale edhe partia agrare ambientaliste e Agron Dukës. Një nga tre ofertat e vetme politike për shqiptarët, bashkë me PS-në dhe Bashkë Fitojmë, që u përfaqësua me kandidatë për këshillat bashkiakë në 61 bashki. PAA konkuroi për herë të parë që nga 2015-a dhe rezultati i saj ishte mbresëlënës, por për të pothuaj nuk flet askush. Në të dy rastet, karizma e fortë për arsye të ndryshme të dy drejtuesve të këtyre partive, Doshit e Dukës, solli votë.