Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në homazhet e kryera në nderim të “Dëshmorit të Atdheut” Simon Gjeta, që u vra dy ditë më parë, theksoi se kjo është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe shoqërinë, por edhe për Policinë e Shtetit
Kryeministri Rama tha se gjaku i Simon Gjetës, do të ndihmojë për të plazmuar edhe më tej punën dhe shpirtin e sakrificës së Policisë në detyrën e tyre të përditshme në ruajtjen e jetëve tona. Sipas Kryeministrit, nuk është vetëm mbështetja qytetare dhe e qeverisë, por edhe sakrifica të tilla që po e ndihmojnë çdo ditë e më tepër Policinë të rritet, aq sa të këpusë lidhjet e krimit edhe në sistemin e drejtësisë.
Në fund Rama e mbylli duke cituar një shprehje të gjeneralit Xhorxh Paton, se në vend të zisë për këta persona që ranë në krye të detyrës, duhet të falenderojmë Zotin që të tilla persona jetuan mes nesh dhe për ne.
“Simon Gjeta ra duke mbrojtur jetën e një qytetari. Simoni u vra teksa po trokiste në derën e shtëpisë së dikujt i cili në vend të respektimit të traditës së shqiptarëve, zgjodhi ta vrasë. Edhe këtë të shtunë ai nuk ishte në shërbim të vetes, nuk ishte për të një fundjavë e zakonshme. Sepse Simon Gjeta dhe të gjithë kolegët e tij nën uniformën e policisë së shtetit, nuk kanë kurrë një jetë tërësisht për veten. Por ai edhe veten e dha për të mbrojtur jetën e tjetrit. Mësova se Simoni e filloi jetën e tij profesionale në shërbim të atdheut, në vitin e mbrapshtë 1997. Pikërisht atëherë ku jo pak shqiptarë e kishin humbur shpresën në besimin e shtetit dhe ku shumë ndër këta braktisën detyrën. Ai zgjodhi Policinë e Shtetit që në vitet më të errëta, për të treguar se ishte i vendosur në rrugën e tij. Largimi nga jeta e Simonit është një humbje e madhe. Shoqëria jonë ka kaq shumë nevojë për modelin e njeriut në detyrë, që ishte Simon Gjeta. Pa asnjë dyshim, gjaku i tij do të shërbejë për të plazmuar shpirtin, zemrën dhe mendjen e një policie të rilindur e cila me mbështetjen e palëkundur të qeverisë, do ta thyejë fuqinë që krimi akumuloi në dekada të tranzicionit dhe po e shohim të dobësohet dita-ditës. Po ashtu Policia e Shtetit, e cila po rritet çdo ditë, falë edhe këtyre sakrificave të jashtëzakonshme. Do të rritet dhe do të këpusë të gjitha fijet e krimit, e mbi të gjitha gjyqësore që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë ta ushqejnë krimin. Më lejoni ta mbyll me një fjalë të gjeneralit Xhorxh Paton: Është gabim i madh të mbash zi për njerëzit që vrite në krye të detyrës, në vend të zisë për ta do të falenderojmë Zotin që njerëz të tillë jetuan me ne edhe për ne.” tha në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama









