Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të fortë në lidhje me fenomenin e nepotizmit, duke e cilësuar atë si një nga problemet më të mprehta që dëmton integritetin e administratës publike dhe besimin e qytetarëve.
Në një deklaratë nga Asambleja e Ps-së, Rama theksoi se ndarja e qartë mes punëve të shtetit dhe interesave personale apo familjare duhet të jetë e pakompromis.
“Ndarjen me thikë të punëve të tyre me punët e shtetit, se kur vjen puna për vendimmarrjet tona, familjarët e farefisi nuk mund të kërkojnë avantazhe nga pushteti ynë. Jo vetëm në raport me anëtarët e familjes tonë politike, nuk janë krushqit, kushërinjtë… duhen vlerësuar sipas meritës dhe jo mbiemrit, jo sipas tarafeve të njërit apo tjetrit, jo sipas interesit privat apo publik. Jo për deputetët që bëjnë qoka për të sistemuar njërin apo tjetrin pa menduar çfarë pasojash ka punësimi i të paaftëve apo dallkaukëve. Janë thika pas shpine ndaj gjyshërve e gjysheve që çohen me mëngjes të votojnë për PS. Unë e di shumë mirë që të përpiqesh të zbusësh efektet e nepotizmit, është sikur t’i hysh një rrjete të shpifur, më të shpifur se sa të merimangës. Për hir të atyre që thashë dhe bijve e bijave të tyre, që na e dhanë votën pa na njohur nga afër por duke na parë në televizion, ama duke shpresuar që ne do t’i trajtojmë fëmijët e tyre të barabartë me tanët. Kërkojnë thjesht të vlerësohen sipas meritës. Kush jemi ne që t’i privojmë ata nga kjo kërkesë legjitime në këmbim të mbështetjes që na kanë dhënë? E di që është e vështirë, por mund t’ia dalim.”, tha Rama.
Ai paralajmëroi se askush në grupin parlamentar nuk do të tolerohet nëse shfaqet si personazh “nepotik i pakorrigjueshëm”.
“Nuk do të jetë më i mirëpritur në grupin tonë parlamentar nëse shfaqet si personazh nepotik i pakorrigjueshëm dhe Komisioni i Etikës do të bëjë këtë: të vendosë kufijtë. Të lërë mandatin dhe t’u lërë mundësinë familjarëve të tyre të tregojnë aftësitë e tyre në punët e shtetit si drejtues.
I vetmi privilegj është që ne të bëjmë çfarë mundemi për ata që na kanë dhënë besimin dhe, kur të shkojmë te Shën Pjetri, kur nuk pranohen as cash-i e as kartat e kreditit, të kemi si mundësi të mos na trajtojnë si legena. Ndërkohë, fuqizimi i administratës publike, krijimi i një sistemi testimesh me gojë dhe me shkrim, rritja e kapacitetit të kapitalit njerëzor të administratës. Të mos bëhet askush pengesë e këtij procesi për Reformën e Administratës. E preka që në fillim, programi ynë qeverisës s’ka qenë kurrë më i qartë se këtë radhë.”, tha Rama.

