Nga Denis Dyrnjaja
Sot jemi ekzaktësisht 4 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme politike që do të zhvillohen më 11 maj. Çfarë kemi praktikisht në menunë politike. Dy partitë tradicionale prej të cilave, njëra është në përmbyllje të mandatit të tretë qeverisës dhe kërkon të marrë mandatin e katërt. Kjo është PS e drejtuar nga Edi Rama, e cila që nga viti 2017 qeveris vendin e vetme.
Partia tjetër tradicionale është ajo më e madhja në opozitë e cila që nga 2013 ka njohur vetëm dështime elektorale dhe për më tepër është ekspozuar ndaj një beteje të brendshme për kontrollin e drejtimit të saj politik, pas shpalljes nom grata të liderit të saj historik Sali Berisha. Ky i fundit është mësuar nga eksperienca e së shkarës që pasi prek fundin, të synojë majën, pra pushtetin.
Berisha ka qenë dy herë President dhe përfundoi në 1997-ën i izoluar ndërkombëtarisht dhe politikisht brenda vendit, por arriti të rikuperojë imazhin dhe të vijë në pushtet në vitin 2005 duke larguar qeverinë e Fatos Nanos. Pas 8 vitesh si kryeministër, Berisha prek sërish fundin politik pas asaj disfate zgjedhore në vitin 2013. Imazhi i qeverisjes së tij ishte rrënuar pas një serie skandalesh e ngjarjesh të rënda me bazë korrupsionin klanor e familjar.
Fillimisht tragjedia e Gërdecit me 26 të vrarë e më pas skandali i Bllokut korruptiv të Ilir Metës, që prodhoi krimin shtetëror të 21 janarit 2011, ku pas protestës së opozitës së kohës 4 qytetarë të pafajshëm u vranë përballë selisë së qeverisë nga garda e republikës. Berisha nuk shprehu kurrë pendesë për krimin shtetëror, madje në mënyrë figurative sfidoi opinionin publik e politik, duke thënë se nëse ngjarja përsëritej do të merrte dhe vetë një sniper per të shënjestruar dhe ekzekutuar liderin e opozitës në atë kohë, Edi Rama.
Në puçin e shtetit sikurse e quante Berisha 21 Janarin që solli fundin e pushtetit të tij pas dy vitesh pra në 2013-ën ai implikoi edhe Presidentin e Republikës Bamir Topi e Kryeprokuroren Ina Rama si dhe një grup gazetarësh prej të cilëve disa janë sot krah tij. Rrëpira politike e Berishës dhe PD kishte nisur pa kthim dhe ajo u ndal vetëm kur 1 milionë vota të shqiptarëve iu përplasën në fytyrë si shenjë revolte dhe neverie ndaj degradimit dhe arrogancës së pushtetit të kohës. Sot pas 12 vjetësh në opozitë, Berisha kërkon rikthimin e tretë, në të 80 e moshës së tij biologjike, me shpresën se kur mrekullia ndodhi pas 97, mund të ndodhë edhe pas 1 milionë shuplakave elektorale të 2013-ës. Por përballë doktorit plak, i fiksuar pas pushtetit ka një “reaktor bërthamor” në kontekstin e energjisë politike, sikurse është Edi Rama si politikan, por ka edhe një forcë politike si PS, e organizuar në mënyrë kapilare dhe perfekte jo vetëm në territorin e Shqipërisë por edhe në diasporë.
Berisha mendon se skandalet e shtriva gjatë një qeverisjeje 12 vjeçare të socialistëve e kanë rrënuar popullaritetin e Ramës, por sondazhet tregojnë krejt të kundërtën. Dhe e kundërta thotë se shqiptarët nuk janë gati t’i besojnë sërish atij pushtetin kur përqark vetes ka personazhe të pavotuar, të konsumuar dhe që nuk prodhojnë besueshmëri në publik.
Gjithsesi përtej sondazheve dita e zgjedhjeve do të jetë ajo që do të tregojë realitetin dhe pse Berisha ka shpallur sloganin ‘Është radha jonë,’, a thua se pushteti është çështje radhe një burrë një grua dhe jo çështje bindjesh dhe besimi që votuesit delegojnë. Por kjo është zgjedhje e tij dhe suksesi apo dështimi është po meritë e tij. Ndërkaq në mëkaton politike, janë shfaqur edhe lëvizje të tjera politike që deri tani janë kryesisht më shumë realitete mediatike sesa faktike. Dhe pse kanë gati 10 vjet ekzistencë, këto parti me kryetar të vetemëruar, nuk dimë nëse bëjnë zgjedhje brenda tyre, kanë struktura apo organe drejtuese, si kryesi apo këshilla kombëtare dhe nëse kanë kur mblidhen çfarë vendimarrjeje kanë bërë . Dhe këto parti të reja që pretendojnë të bëjnë ndryshimin l, ende nuk kanë dhënë prova të funksionimit të demokracisë brenda tyre.
Pra janë parti personazhesh, jo parti klasike ndaj prova e tyre në zgjedhje bëhet edhe më e vështirë edhe pse perceptimi që ato kanë për veten, ka rritur pritshmëritë e një rezultati befasues në zgjedhjet e 11 majit.
Ndërkohë në sprovë të madhe është edhe Partia e Lirisë një forcë politike mbi 20 vjeçare që tani i duhet të sfidojë ekzistencën e saj pas këtyre zgjedhjeve me një drejtuesin e saj Ilir Meta që ndodhet në burg i akuzuar për disa çështje që e implikojnë në disa vepra penale. E thënë ky realitet me të cilin duhet të përballet Ilir Meta, një faktor tjetër që duket se mund të bëjë të paparashikueshme zhvillimet dhe rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, është edhe veprimi i drejtësisë, e cila ka në proces disa nga personazhet kryesor të jetës politike kryesisht të dy partive tradicionale.
Duke llogaritur që mes dy garuesve kryesorë në zgjedhje Ramës dhe Berishës, probleme me drejtësinë ka ky i dyti duket se avantazhi elektoral shkon për mazhorancën aktuale e cila përtej gjithë kostove të krijuara nga individë brenda saj të kapur nga rrjeta e drejtësisë, favorizohet nga intuita pragmatiste që elektorati ka në raport me ofertat politike. Ndaj duket se si do që të vijnë rrethanat dhe çfarë do efektesh të prodhojë drejtësia, beteja duket se e gjithë beteja zgjedhore do të luhet për vendin e dytë, të paktën edhe për këtë mandat qeverisës.