“Agro100 (sera)” është programi më i ri qeveritar për trefishimin e sipërfaqes me sera deri në fund të vitit 2017 dhe përdorimin e teknologjive inovative. Kjo paketë e re financiare, sëbashku me përftimet nga programi i Fondit Kombëtar të Garancisë në bujqësi synon mbështetjen e eksporteve të produkteve shqiptare, që prej dy vitesh janë në rritje. Për të promovuar këtë mbështetje të re me prodhuesit dhe agropërpunuesit, Kryeministri Edi Rama vizitoi sot, serat e “Agrocon” në Krutje të Lushnjes, ku po vazhdon investimi për ngritjen e serave më të mëdha e moderne në vend.
Përmes programit “Agro100”, qeveria do të ofrojë mbështetje direkte financiare për ata investitorë që do të ndërtojnë sera nga 10 deri në 100 hektarë. Gjatë këtyre dy viteve, qeveria ka mbështetur me incentiva të ndryshme rritjen e sipërfaqes me sera, e cila, krahasuar me vitin 2013, është dyfishuar. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e eksporteve bujqësore në vitin 2015.
“Në dy vjet e kemi dyfishuar sipërfaqen e serave dhe kjo ka sjellë një impakt të menjëhershëm në eksport. Viti 2015 ka pasur një bum të eksporteve dhe një zhvillim shumë pozitiv edhe për tregun e brendshëm. Por tani duam të çojmë më përpara procesin e mbështetjes direkte. Për 10 ha sera, ne do të japim 100 mijë dollarë në 5 vjet. Për 100 ha fermë, do të japim 1 milionë dollarë në 5 vjet, mbështetje direkte,” – u shpreh Kryeministri Rama, që shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i Bujqësisë Edmond Panariti.
“Agrocon” me një investim në fazën e parë prej 5 milionë euro po ngre serat më të mëdha në vend me shtrirje deri në 10 hektarë dhe vlerë totale investimi 25 milionë euro në përfundim të projektit. Aktiviteti i kompanisë përfshin një numër zinxhir procesesh, që nga investimi në prodhimin e produkteve bujqësore në ndërtimi e një qendre të madhe të grumbullimit dhe procesimit të tyre si selektimi dhe ambalazhimi, me qëllim eksportin, kryesisht në tregjet e Europës Perëndimore. “Jemi në fazën e ndërtimit dhe në total do të shkoj në 10 hektarë sera. Serat janë të teknologjisë së lartë. Për produktin shqiptar ka një kërkesë jashtëzakonisht të madhe të eksportit. E rëndësishme është të plotësohet standardi dhe sasia,” – tha Florian Lama, përfaqësues i kompanisë.
Po ashtu, Fondi Kombëtar i Garancisë në bujqësi prej 300 milionë euro do të ofrojë mbështetje për kreditim nga bankat, me fokus edhe investimet për shtimin e sipërfaqes së mbjellë në sera dhe teknologjive inovative.
“Tani të gjithë kanë në dispozicion Fondin e Garancisë shtetërore për të marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë, me interesa shumë më të ulëta sesa ato të zakonshme dhe e gjitha kjo i dedikohet bujqësisë. Janë 300 milion euro potencialisht që mund të shfrytëzohen nga të gjithë prodhuesit, agropërpunuesit, apo të gjithë ata që duan të hyjnë në këtë sektor. Nuk do të jetë fermeri apo prodhuesi që do të shkojë tek banka, por do të jetë AZHBR që do të aplikojë për t’ia lehtësuar plotësisht fermerit,” – theksoi Kryeministri.
Dy programet e reja financiare, që i shtrijnë efektet në disa vite, do të sigurojnë mbështetjen më të madhe që i është dhënë zhvillimit të prodhimit bujqësor, eksporteve dhe punësimit.
“Është një hop i madh cilësor në marrëdhënien mes shtetit dhe fshatit. Jemi të bindur që do të sjellim shumë më tepër punësim, shumë më tepër prodhim, shumë më tepër eksport dhe sigurisht, edhe shumë më tepër larmi në tregun e brendshëm, sepse, faktikisht, edhe nga shifrat e fundit, impakti në tregun brendshëm ka qenë goxha i rëndësishëm,” – u shpreh Kryeministri.