Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot në 8 prill Spitalin Rajonal të Lezhës, e shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Evis Sala.
Rama bisesoi me bluzat e bardha mbi kushtet e spitalit dhe ambiciet e qeverisë, që synon rritjen edhe të mëtejshme të pagave. Kreu i qeverisë deklaroi se rritja e pagave ka qenë domethënëse, sepse është rritur ekonomia.
“Ne po përpiqemi që mjekët të kenë një pagë dinjitoze. Rritja e pagave ka qenë domethënëse, sepse rritja e ekonomisë ka qenë domethënëse. Plus është edhe indeksimi i rrogave dhe marrja parasysh e vjetërësisë së punës. Tani ekonomia po na ndihmon, që të rrisim pagat për mjekët, mësuesit, ushtarakët etj. Spitali tashmë është modern. Mbaj mend se kur kam qenë herën e fundit, ka pasur probleme në infrastrukturë. Për Spitalin e Lezhës nuk kam konstatuar ankesa. Besoj se e keni krijuar një respekt, tek ata që shërbehen. Krijimi i shërbimit të kimioterapisë është diçka fantastike se do lehtësojë njerëzit. Ne kemi mjekë e infermierë shumë të mirë, por duhet bërë më shumë për menaxhimin”, tha Rama.
Më tej, tha se do të plotësohen kushtet, që mjekët ta ndjejnë veten bashkëpronarë të spitalit.
“Problem është se investojmë dhe nuk kemi parasysh sa kushton mirëmbajtja. Kur mjekët e ndjejnë veten bashkëpronarë të spitalit, mirëmbajtja është më e mirë. Kjo bisedë e këndshme ishte sepse edhe ambienti është i mirë. Mjekët shqiptarë që kanë punuar në kushte të tjera, janë heronj, kjo nuk diskutohet. Por procesi i modernizimit të godinave, ne e kemi nisur e nuk do e ndalim”, deklaroi Rama.











