Pas 30 vitesh, 11 mijë hektarëve tokë bujqësore në fshatrat e Lezhës dhe Vaut të Dejës në Shkodër ju rikthehet kullimi. Dhera, ferra dhe inerte e kishin nxjerrë plotësisht jashtë funksionit kanalin kullues në segmentin Gjadër-Mjedë. Edhe reshje shiu jo të forta mund të përmbytnin tokat bujqësore të fshatrave Zojs, Gramsh, Mabe, Kukel, Barbullush, Bushat, Mjede etj., duke u shkaktuar dëme serioze fermerëve.
Në fshatin Kukel, Kryeministri Rama inspektoi punimet për rehabilitimin e sistemit të kullimit në këtë segment, i financuar nga programi për rehabilitimin e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese në fshat.
“Janë zgjidhur problemet përfundimtare të 11 000 hektarëve tokë bujqësore, sa i përket problemit të kullimit, por ajo që është më kryesorja është që shmang dhe rrezikun e përmbytjes, duke pasur parasysh dhe situatën e viteve të fundit me reshjet. Ky segment është 22 kilometër i gjatë dhe përshkon në gjithë segmentin, duke filluar nga Zojsi, Kukeli, Barbullushi dhe del deri në kufi të bashkisë së Vaut të Dejës,” – tha kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës Zef Hilaj.
“Është e mbuluar me gjithë atë bimësi që prej 30 vitesh, pemët janë bërë të mëdha, plus që është e bllokuar totalisht. Lëvizja e ujit është e pamundur. Dhe në kohë shirash këtu, uji kalon në sipërfaqe dhe hapja e këtij kanali ka vlerat që dhe kullon ujërat, por dhe mban një sasi të jashtëzakonshme ujërash në kohë shirash,” – theksoi kryetari i Bordit Rajonal të Kullimit.
Rikthimi i sistemit të ujitjes dhe kullimit, i cili është shtrirë në të gjithë vendin, është ndër projektet më madhore për bujqësinë dhe fshatin. Ai garanton nxjerrjen e mijërave hektarë tokë bujqësore nga harta e përmbytjeve, si dhe vendosjen e mijëra hektarëve të tjerë nën ujë.
“Impakti që po krijon gjithë ky program i pastrimit të kanaleve është i ndjeshëm. Por kudo është e njëjta histori, që po futen në ujë, po hapen hapësira për punë në bujqësi, me mijëra hektarë vetëm nga uji dhe ndërkohë mbrohen sepse janë të kanalizuar. Por unë jam i bindur që deri për sezonin e ardhshëm, ne do ta mbyllim gjithë këtë skemë e do t’i kemi gjithë parcelat nën ujë. Dhe këtë fazën tjetër të projektit do ta garantojmë patjetër, sepse ky është një aks që nuk është vetëm thjesht puna për të vaditur një pjesë tokash, por dhe për të garantuar përfundimisht që mos ketë përmbytje dhe histori të tilla, që kanë ardhur nga bllokimi i këtij aksi,” – nënvizoi Kryeministri Rama.
* * *
Lufi është një njësi e vogël administrative në hyrje të qytetit të Pukës. Për shkak të kushteve tejet të vështira dhe mungesës totale së kujdesit, ndërtesat ishin kthyer në gërmadha, pa çati, ku uji futej nga të gjitha anët. Prej kohësh, banorët e kishin braktisnin qytezën. Sot, një pas një, asaj po i rikthehen banoret. Kjo falë frymëmarrjes që po i jep qytezës Programi i Rilindjes Urbane. Me një fond prej 20 milionë lekësh është bërë meremetimi i banesave, përfshirë termoizolimin. Projekti do të vazhdojë në fazën e dytë me asfaltimin e rrugëve, ndriçimin dhe hapësirat e gjelbra.
* * *
Puka, qyteti që të mahnit me pyjet dhe natyrën e saj, vuan të njëjtën problematikë që ka shoqëruar qytetet shqiptare gjatë 25 viteve të fundit. Indiferencë dhe braktisje nga qeveria qendrore, duke e lënë të rrënohej çdo ditë; Hapësira publike inekzistente dhe ndërtesa në pjesën dërrmuese të rrënuara në mungesë të ndërhyrjeve prej mbi 4 dekada. Ky është imazhi i qytetit në nisje të projektit të Rilindjes Urbane.
Me një investim rreth 115 milionë lekë, fillon transformimi rrënjësor i qytetit, sipas një projekti krejt të veçantë për ta lidhur në të ardhmen qendrën me liqenin.
Qendra tërësisht e rikonceptuar, fasada të rinovuara, hapësira të gjelbra që krijohen rishtas, sistem i ri ndriçimi do të jetë pamja e re e qytetit në përfundim të projektit, që nis javën tjetër. “Projekti tjetër fillon javën tjetër. Është një projekt shumë i madh, rreth 1 miliardë e 150 milionë lekë, ku përmban gjithë elementët, trotuare lulishte, çatia, fasada dhe gjithçka”- detajoi projektin kryetari i bashkisë Gjon Gjonaj.
Ndërhyrjet urbane përfshijnë edhe rehabilitimin e bllokut të banimit pas Pallatit të Kulturës, ku po bëhet sistemimi i rrugëve dhe sheshit mes banesave. “Ky projekt që na ka akorduar Fondi i Zhvillimit të Rajoneve bën sistemimin e kësaj lagjeje, me gjithë elementët përbërës të saj, duke filluar me asfaltim, me lulishte, fasadat e pallateve, gjë e cila i sjell një risi qytetarit pukjan. Këtu nuk është ndërhyrë për një periudhë jo më pak se 40 vjet. Ka qenë për t’u mbaruar mbas 6 muajsh, por dhe për një muaj e gjysmë mbaron gjithçka” – shpjegoi kryetari i bashkisë.
Përveçse e lënë në harresa nga pikëpamja urbane, Puka është edhe ndër zonat me zhvillim ekonomik të munguar. Ndonëse ka natyrë të mrekullueshme, ajo nuk është kthyer në pasuri për njerëzit e saj. Rilindja Urbane synon të kthehet në një motor të transformimit të Pukës nga një zonë e harruar, në një prej destinacioneve turistike të veriut të Shqipërisë.
“Puka në një hark prej 5 vitesh do jetë një qytet vërtet cilësor turistik. Një destinacion turistik, sepse nuk është një qytet ku ti kalon për të shkuar diku, por është një qytet ku ti duhet të vish enkas. E që të vish enkas në Pukë ka qenë diçka krejtësisht e paimagjinueshme, sepse infrastruktura shumë e keqe, qyteti i braktisur, ndërkohë që me këto ndërhyrje që po bëhen dhe me shfrytëzimin e potencialeve natyrore që janë të jashtëzakonshme, jam i bindur që do të ndërtojmë një zonë të mirëfilltë turistike të Shqipërisë. Ashtu siç po ndodh me Malësinë e Madhe, do ndodhi dhe me Pukën, ku do të ketë nxitje të punësimit familjar nëpërmjet turizmit dhe një rritje të prodhimit bujqësor në funksion të turizmit në këtë zonë,” – u shpreh Kryeministri Rama.
shqiptarja.com/d.i.