Kryeministri Edi Rama do të takohet këtë të mërkurë në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Takimi do të mbahet në mëngjes në selinë e NATO-s. Sipas axhendës të botuar në faqen zyrtare të Aleancës Euroatlantike, në orën 09:00 do të mbahet fjala e Rutte dhe Ramës.
Kryeministri udhëtoi të hënën për në Bruksel në kuadër të Koferencës së 6 Ndërqeveritare që u mbajt një ditë më parë, ku u hapën edhe 4 kapituj të tjerë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.
Takimi i kryeministrit me shefin e aleancës vjen pasi vendet anëtare ranë dakord me kërkesën e Donald Trump për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5%, vendim që u mor në qershor. Vjen gjithashtu në një kohë kur presidenti amerikan ka kërkuar nga vendet e NATO-s sanksione ndaj Rusisë dhe ndalimin e blerjes së naftës ruse, si një mënyrë për të detyruar Moskën të ndalë luftën në Ukrainë.
Rutte ishte në Tiranë më 16 maj, ku mori pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku mblodhi liderët e Evropës.












