Presidenti i ri, Ilir Meta përveç akuzave që i lëshoi mbrëmjen e sotme, nuk ka kursyer as ironitë në drejtim të kryeministrit Edi Rama si dhe liderit të PD-së, Lulzim Basha.
Në emisionin të ‘Pa Ekspozuarit’ në ‘News24’ Meta theksoi se Rama dhe Basha erdhën me lugë në brez, ku kryeministri erdhi nga emigrimi dhe u bë ministër, ndërsa lideri i demokratëve u bë zëdhënës i Berishës.
“Të dy me lugë në brez, njëri erdhi ministër nga emigracioni, tjetrin e mori një muaj zëdhënës Doktori, e bëri ministër gjithë kohën. I dha edhe partinë. Këta mendojnë se njerëzit duhet të votojnë për ta edhe kur nuk i takojnë, kur nuk i dëgjojnë, edhe kur i gënjejnë, edhe kur i mashtrojnë, sepse mendojnë që janë parti të mëdha. Mendojnë se partitë e mëdha lindin të tilla dhe ashtu do të jenë përgjithmonë. Ata harrojnë se kanë marrë dy dhurata, të cilat nuk mbahen dot me pahir dhe nuk mundet t’u imponosh shqiptarëve me dhunë, me presion, me “do të heqim, do të bëjmë…”. Më 25 qershor do t’i shkarkojmë këta të dy. Nuk ka nevojë Shqipëria për rilindje, që pjellin vetëm zhgënjim, vetëm mashtrim, që e çojnë atë 27 vjet mbrapa. Në qoftë se do të ketë dy parti në Shqipëri, njëra nga këto do të jetë edhe LSI-ja, si partia më e madhe. Kjo është e padiskutueshme!”, pohoi Meta.