Nga Lorenc Vangjeli
Të hënën në mbrëmje kryeministri Edi Rama nuk mundi të bindë Lulzim Bashën për të bashkuar votat dhe për të votuar në Parlament aktin e pothuaj rithemelimit të një pushteti: reformën në drejtësi.
Të premten në mesditë Ilir Meta ftoi Lulzim Bashën në një tryezë të dytë pikërisht për reformën në drejtësi. Duke insistuar se për shkak të krizës së kohës, një gjë e tillë duhet të ndodhë brenda ditës së hënë të javës tjetër.
Nga njëra e hënë në tjetrën ka rrjedhur shumë ujë i trazuar nën urat politike të Tiranës.
Edi Rama ka theksuar fort se ai ka bërë të pamundurën për ta bindur opozitën për të dhënë votat për refomën, por ai ka qenë mision i pamundur sepse opozita nuk e ka dashur atë asnjëherë.
Të enjten e Doktorit, por pa Doktorin në Parlament, Rama është përplasur sërish fort me opozitën duke e paralajmëruar se me të apo pa të, reforma do të kalojë në votim. Se ajo do t’u jepet shqiptarëve si një produkt i ardhur kryesisht nga faktori ndërkombëtar, ekspertiza më e mirë profesionale e tyre dhe Komisioni i Venecias, si dhe si një investim politik euroamerikan në dobi të vendit.
Lulzim Basha dhe të vetët luajtën të njëjtën muzikë, me të njëjtin ritëm, me të njëjtat instrumenta, por me një kah të ndryshëm segmenti. Ai tha se opozita është e gatshme të votojë për reformën, por Edi Rama ka sabotuar përpjekjet e tyre dhe se kërkon që ta shndërrojë atë në një mjet vetjak dhe një mekanizëm në dobi të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nga tryeza ku u shtrënguan duart për hir të protokollit, u krijua distanca distanca më e madhe mes tyre sipas traditës së ngulitur të politikëbërjes në Tiranë.
Zyrtarisht, edhe SHBA nga Tirana, por dhe nga Uashingtoni, edhe BE nga Brukseli, por dhe nga Tirana, drejtuan gishtin nga opozita. Opozita u konsiderua fajtore për situatën, kurse qeverisë i njohën parametrin e fleksibilitetit në negociata me opozitën.
Të enjten e Doktorit, por pa Doktorin në Parlament, kryeministri Rama e shprehu hapur dhe pa asnjë rezervë për ta fshehur momentin e tij të forcës përballë dobësisë së opozitës. Deri të enjten kishte një konsensus të çuditshëm edhe mes miqve të opozitës, edhe mes kundërshtarëve të saj, se opozita ishte në ditën më të rëndë dhe pikën më të ulët të kuotave politike. Opozita e pa veten në një rrethim të shumëfishtë: nga një maxhorancë shumë më superiore në shifra; nga ndrojtja e rrjedhjes së votave në favor të reformës edhe kundër vullnetit të saj politik; nga perspektiva e thellimit të krizës politike që do ta çonte deri në tërheqjen në mënyrë të njëanshme nga Parlamenti duke vetëdjegur mandatet e saj; nga izolimi ndërkombëtar që po e konsideronte haptazi dhe në mënyrë direkte, si shkaktare të dështimit të një investimi tipik të saj në vende si Shqipëria: eksportit të një segmenti domethënës të demokracisë.
Të premten, i sapokthyer nga Uashingtoni, Ilir Meta bëri një lëvizje të papritur. Ftesa e kryetarit të Kuvendit kërkoi zgjidhjen e krizës sipas një logjike politike që kërkon më së pari produktin dhe shtyn për një moment të dytë autorët e tij, që tregon fillimisht finishin dhe kërkon të shmangë dafinat e fitores për njërën palë në dëm të tjetrës. Ftesa ishte një akt politik që shmang rrugën e shkurtër dhe të lehtë; ajo kërkon jo gjetjen e autorëve të disfatës së mundshme, por ndarjen e suksesit të mundshëm në të gjithë aktorët politikë në vend. Sipas parimit se suksesi është i vetmi akt njerëzor që shumëfishohet kur ndahet. Sipas leksionit të madh të realpolitikës të shpikur nga latinët e lashtë: “Edhe armikun tënd më të egër kurrë mos e rretho nga të katër anët! Të paktën lere një shteg të lirë që të ikë! Nesër, ai do ta bëjë të njëjtën gjë me ty”!
Deri të hënën, shtegu i krijuar nga maxhoranca për opozitën është mjaftueshëm i gjerë që ajo të ecë në të dhe të jetë pjesë e një procesi që kulmon me reformën në drejtësi. Si një mjet dhe mekanizëm që do të tentonte të zvogëlonte partinë më të madhe të qytetarëve në Shqipëri: 90 për qindshit që nuk ka besim tek sistemi i drejtësisë. Deri të hënën nga dhe një mënyrë më shumë dhe një shpresë më tepër që të shmanget kriza dhe të shumëfishohet suksesi, pa nxituar të gjenden autorë e aktorë të dështimit. Sepse emrat e tyre do t’i hynin në punë vetëm kuriozitetit që vret edhe macet e pafajshme. Nuk do t’i interesonte kujt tjetër edhe nëse mbi autorët dhe aktorët e dështimit të reformës do të derdhej gjithë fatura e përçmimit të publikut. Etiketimi si amatorë i tyre në një lojë të vjetër sa bota që quhet politikë nuk do të ishte politikë dhe nuk do t’i vlente askujt. Dhe nuk do të ishte hera e fundit në këtë hark që përshkruan këtë javë tiranase nga një e hënë në tjetrën.
Qenka merzitur Lenci (lexo Meta) nga renia e aksioneve ne popull te Partise Demokratike. Analiza, si gjithnje nje llustrim e lepirje e ethshme per padronin Meta. Po te te vije puna, me te njejtin zell do justifikosh e ngresh lart edhe Bashen neser po shterroi burimi i Metes. Njesoj sic beje dikur me Ramen.