Nga Blendi Kajsiu
Marrëveshja mes kryeministrit Rama dhe kryeministres italiane Meloni për ngritjen e kampeve për refugjatë për nga absurditeti dhe pamundësia e zbatimit i ngjan shumë marrëveshjes Rama-Vuçië që synonte krijimin e Ballkanit të Hapur. Marrëveshja në fjalë nuk ka një llogjikë të qartë politike, ekonomike, diplomatike, morale dhe aq më pak juridike. Për këtë arësye ka krijuar kaq shumë hutim tek opinioni publik.
Idea se marrëveshja me Melonin i shërben Ramës për të legjitimuar apo forcuar pushtetin e tij politik në vend është shumë e vështirë të argumentohet. Politikisht Rama e ka të gjithë mbështetjen ndërkombëtare që i duhet nga SHBA deri tek BE-ja. Sidomos përballë një opozite që është vite dritë larg pushtetit dhe në konflikt të hapur me faktorin ndërkombëtar dhe vetveten. Në këto kushte mbështetja e Italisë nuk i ofron ndonjë avantazh të brendëshëm politik Ramës.
Përkundrazi, ajo e nxjerr Ramën si gënjeshtar sepse vetëm dy vite më parë deklaroi se Shqipëria nuk do përdoret për kampe refugjatësh. Gjithashtu fakti që marrëveshja nuk nënkupton para në shkëmbim të kampeve, kombinuar me racizmin latent të shqiptarëve ndaj Afrikanëve, nënkupton një kosto politike përballë elektoratit vendas.
Përkundrazi ajo bie ndesh me strategjinë e turizmit të vetë qeverisë Rama që promovon një imazh të ri të Shqipërisë si destinación turistik dhe jo burim refugjatësh. Kampet e refugjatëve janë burgje që më shumë se kampeve të pushimit i përngjajnë kampeve të përqendrimit ku gëlon dëshpërimi, vuajtja dhe abuzimi. Ndaj prej tyre nuk dalin kurrë lajme të mira që do ta bënin Shqipërinë tërheqëse në sytë e turistëve perëndimor.
Marrja e refugjatëve afgan, që e kishin të qartë që vinin në Shqipëri, dhe pritja e tyre brenda legjislacionit shqiptar në mënyrë shumë njerëzore ishte një akt humanitar që përmirësoi imazhin e Shqipërisë në botë. Nuk është ky rasti me kampet e refugjatëve, që do krijojnë imazhin e Shqipërisë, si një vend ku depozitohen problemet e Evropës.
Ndaj kjo marrëveshje nuk ndihmon refugjatët dhe as Italinë, por Melonin dhe koalicionin e saj të ekstremit të djathtë që si në shumë vende evropiane përdor refugjatët për të injoruar problemet reale të Italisë që nga kriza e sistemit bankar, kriza ekonomike dhe deri tek kriza demografike. Këto probleme Meloni nuk i zgjidh dot ndaj bën marrëveshje për emigrantët me Ramën.
Ironikisht as kjo marrëveshje nuk ia zgjidh dot hallin Melonit, dhe aq më pak Italisë. Marrëveshje të tilla kanë dështuar në vende të tjera sepse janë në thelb anti-kushtetuese (shiko rastin e marrëveshjes mes Britanisë dhe Ruandës). Përvec problemve juridike që paraqit në Itali, marrëveshja shumë lehtë mund të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri, pasi ajo nënkupton cedimin e sovranitetit dhe territorit shqiptar për të zgjidhur hallin e një vendi fqinj.
Natyrisht që ka raste të jashtëzkonëshme kur territori dhe sovraniteti mund të lëshohen, në funksion të sigurisë kombëtare apo në funksion të arësyeve madhore shtetërore. Në rastin konkret marrëveshja nënkupton dhurimin e territorit dhe hapësirës shqiptare Italisë sepse ajo ka një hall. Dhe më bukura është se halli nuk është ekzistencial për Italinë, por për Melonin. Broçkullat e kryeministrit për qokat që Shqipëria i ka borxh Italisë nuk janë argumente juridike dhe aq më pak kushtetuese.
Në mungesë të argumenteve ekonomike, politike, diplomatike, juridike dhe morale e vetmja mënyrë për të shpjeguar marrëveshjen Meloni-Rama është dëshira e kryeministrit tonë për protagonizëm ndërkombëtar. Pra kemi të bëjmë me një marrëveshje që buron thjesht nga kapriço e kryeminsitrit Rama, dhe jo nga kalkulime politike, ekonomike apo diplomatike, qofshin këto edhe personale.
E vetmja gjë që arrin marrëveshja në fjalë është vendosja e Ramës në qendër të debatit politik si në Itali edhe në Evropë. Mjafton të shikosh zellin dhe kënaqësinë me të cilën Rama jep intervista në mediat Italiane për ta kuptuar këtë. Aq më tepër teksa injoron tërësisht mediat dhe opinion publik shqiptar, i cili tashmë është tejet i vogël për staturën e tij ndërkombëtare.
Të kuptohemi dëshira për protagonizëm në arenën ndërkombëtare nuk është mëkat. Përkundrazi ky protagonizëm i Ramës shpesh i ka shërbyer imazhit dhe interesit të Shqipërisë. E tillë ishte performanca tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ajo e rriti dhe e përmirësoi staturën e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
Problemi është që protagonizmi personal i kryeministrit duhet të jetë në funksion të interesave të vendit dhe jo anasjelltas. Marrëveshja me Melonin vendos interesat e Shqipërisë në funksion të kapriços personale për protagonizëm ndërkombëtar të Ramës. Nga pikëpamja e interesit tonë kombëtar ngritja e kampeve të refugjatëve nuk ka asnjë llogjikë ekonomike apo diplomatike.
Nuk është hera e parë që egoja kryeministrore për protagonizëm ndërkombëtar i mbivendoset dhe dëmton interesin tonë kombëtar. Rasti më flagrant ishte Ballkani i Hapur që shërbeu thjesht për rehabilitimin e Vuçiç si një politikan i moderuar dhe portretizimin e Kosovës dhe qeverisë së saj si ekstremiste dhe nacionaliste.
Idea se Serbia do bëhej motor i integrimit dhe stabilizimit rajonal nëpërmjet Ballkanit të Hapur ishte një tjetër absurditet që kryeministri Rama propogandonte para një viti. Ndërkohë që strategjia e Serbisë nën udhëheqjen e Vuçiç ishte dhe mbetet destabilizimi i fqinjëve, që nga Bosnja dhe Mali i Zi dhe deri te Kosova. E megjithatë kryeminisntri Rama deklaronte me krenari se Vucicin e kish mik dhe nga kjo miqësi absurde do buronte paqja ne Ballkan.
Ajo që prodhoi Ballkani i Hapur, përveç përcarjes Shqipëri-Kosovë dhe rehabilitimit ndërkombëtar të Vuçiç, ishte protagonizmi i Ramës në mediat ndërkombëtare. Financial Times dhe media të tjera prestigjoze filluan të shkruanin mbi erën e re që po lindte në Ballkan. Nuk munguan lavdet mbi lidershipin vizionar të Ramës që po tejkalonte inatet e lashta ballkanike.
Sot ndodhemi përballë një tjetër fiaskoje diplomatike siç ishte Ballkani i Hapur dje. Ashtu si ky i fundit edhe marrëveshja Rama-Meloni me shumë gjasa nuk do zbatohet. Produkti kryesor i marrëveshjes është lajmi ndërkombëtar i nënshkrimit të saj. Ajo nuk zgjidh as problemin e emigrantëve në Itali dhe as nuk i shërben interesave politike dhe ekonomike, të Shqipërisë. Është thjesht një lajm që i mundëson Ramës protagonizëm ndërkombëtar.