Nga Jakin Marena
Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Kosovë një ditë përpara mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, vetë zhvillimi i mbledhjes me 19 marrëveshjet e nëshkruara dhe më pas pjesëmarrja në promovimin e librit të ish shefit të diplomacisë kosovare, kanë ngërthyer në vetëvete një tur që prodhoi mesazhe të forta politike. Por të artikuluara brenda “formatit” të kërkesave të aleatëve tanë të mëdhenj, SHBA dhe BE.
Ata që njohin politikën dhe “lexojnë” mesazhet e koduara, pasi u njoh me lajmin e vizitës së Ramës në familjen e Hashim Thaçit, njeriut që udhëhoqi luftën e UÇK për çlirimin e Kosovës e paqen pas saj, por që tashmë ështe mbyllur në qelitë e Hagës nën akuzën për “krime lufte”, e kishte të qartë se kryeministri shqiptar dot’i jepte përparësi mbrojtjes së kauzës së çlirimtarëve.
Dhe për të treguar se ish komandantët nuk janë vetëm përballë akuzave të tilla të sajuara, ku tribunali i ngrit për hetimin e raportit të Dick Marty ku flitej për trafik organesh deri tek e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” nga komandantët e UÇK e që degjeneroi në akuza të tjera jashtë këtij formati, Rama paralajmëroi një politikë tepër agresive të shtetit shqiptar për të sqaruar të pavërtetat rreth këtyre akuzave, në të cilat sipas tij kishte dorë Rusia.
Ishte një mesazh se do veprohej me akte, jo me fjalë nga ana e kreut të qeverisë Edi Rama në emër të shtetit shqiptar, duke deklaruar paraqitjen e një rezolute në Bruksel pikërisht për këtë arsye. Një “silurë” kjo e Ramës jo vetëm ndaj klasës politike të Kosovës, por dhe ndaj asaj të Tiranës, që vetëm me fjalë janë shprehur tek tuk për mbështetje ndaj UÇK, ndërsa tani që ish komandantët janë në Hagë dhe po vihet në dyshim gjithë kjo luftë, kanë mbyllur gojën.
“Do të shkoj personalisht në Strasburg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator për t’iu drejtuar Këshillit të Europës për një fakt që bëhet gjithnjë e më shqetësues. Është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Martit dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një ‘Shtëpie të Verdhë’ e trafikut të organeve.
Duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera nga ana e propagandës ruse. Duke pasur parasysh dhe në Këshillin e Sigurimit Rusia ka goditur sërish me një fjalim të ambasadorit të saj duke u kthyer tek trafiku i organeve.
Nuk ka asnjë fakt të lidhur me Dick Marty e raporti i tij që ishte shkaku pse u mor rruga drejt Gjykatës Speciale, për këtë dikush të hapë veshët në mos të përgjigjet të paktën duhet të dëgjojë. Bota duhet ta dëgjojë.
Sponsorat e atij tribunali duhet ta dëgjojnë. Ai tribunal është projektuar për t’u dhënë përgjigjeve akuzave të Dick Marty. Nuk ka asnjë gjë në atë akuzë. Zero. Kemi të drejtën të besojmë se këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën e shqiptarët që e kanë nxitur këtë raport”, deklaroi Rama në mënyrë të papritur një ditë më parë në Kosovë. Teksa i quajti këto akuza përralla ndërsa u bëri thirrje amerikaneve dhe europianëve që të shohin në sy të vërtetën.
Një lëvizje që la pa “tekst” të gjithë “patriotët” këtej dhe andej kufirit, që nga politika e deri te rrjetet sociale, të cilët ishin përgatitur seriozisht që në përballjen e zakonshme pas mbledhjes së dy qeverive, të godisnin Ramën si “vëllau i Vuçiç”. Por që duke përdorur auto-ironinë, kreu i qeverisë shqiptare pasi garantoi kryeministrin Albin Kurti se është i motivuar për të hapur një terminal në Vlorë për furnizimin me gaz dhe energji të Kosovës dhe Rajonit, si dhe një port për Prishtinën në Durrës dhe hekurudhën Durrës-Prishtinë, evidentoi dhe faktin se është në sinkron me ata që mbështesin “Open Balkan” si një domosdoshmëri për të mbajtur një rajon të qetë dhe larg luftës. Sidomos në këtë situatë të vështirë të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe ku Ballkani shihet si një vatër ideale e nxehtë për ta përhapur këtë luftë dhe hequr vëmendjen nga krimet e Putin në vendin fqinj të tij, 25 përqind të territorit të të cilit e mban të pushtuar.
Një përgjigje që nuk la asnjë shteg për “patriotët” e vonë, të përgatitur për ta goditur pikërisht si “vëlla të Vuçiçit”, por që në fund të herës vetë Rama e përmendi këtë emërtesë që i kanë taksur, ndërsa tha se do t’u duhet dhe si vëllai i Albinit, madje do habiten që do jetë vëlla i këtij të fundit.
Por në këtë pikë, Rama nuk qëndroi në deklaratat e mëhershme, por qëndrimi i tij precipitoi pikërisht në “sinorin” që e mendojnë dhe e thonë me njëri tjetrin të gjithë shqiptarët: që në rast rreziku të një lufte në rajon, shqiptarët janë një, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë. Pavarësisht se përpjekjet e Edi Ramës, e evidentoi dhe njeriu që ka bërë dy luftra në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, kreu i BDI Ali Ahmeti, kanë qënë dhe janë për të shmangur përplasjet në rajon, i cili nuk quhet pa arsye “fuqi baroti” që prodhon histori më shumë se sa ka fuqinë në vetvete. Deklarata këto të Ramës që nuk tejkalojnë “sinorët” e përcaktuar nga aleatët tanë si vend i NATO-s për kontributin ndaj paqes dhe stabilitetit në këtë rajon të trazuar të Ballkanit.
“Kush pret nga ajo(Serbia) të hidhet në flakë për Perëndimin nuk e kupton çfarë vijnë nga kjo. Nuk mund të hidhet se nuk ka mundësi ta bëjë duke qenë e përbërë nga një popull me shumicë që mendon se Putini ka të drejtë. Por besoj se është e qartë që Serbia mund të qendrojë në një distancë nga Rusia që flaka e luftës të mos vijë këtu.
Në këtë pikë mund të bëjmë tonën. Ky është edhe thelbi i tradhëtisë time për të cilën nuk jam pishman. Mendoj që ne kemi vuajtur boll, e kam fjalën jo unë se në radhë të parë në Kosovë kanë vuajtur mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë më të shkojë atje veç nëse e detyrojnë, e nëse detyrojnë Kosovën, na detyrojë edhe në Shqipërinë, sepse ne jemi një”, deklaroi Rama.
I mbështetur sërish nga Ahmeti i cili ishte akoma më konkret, teksa bëri thirrje për dialog dhe marrëveshje të Kosovës me Serbinë, ndryshe do ta kenë fjalën armët dhe lufta është në prag. Por kur flet një ish komandant i dy luftrave fituese, askush nuk e diskuton atë që kërkon një njeri si Ali Ahmeti, duke ia “kursyer” epitetet “tradhëtar” që kërkon të shesë Kosovën. Por që s’kursyen ish komandantin çlirimtar të Kosovës Thaçin, të cilin e akuzuan se po i jep tokë Serbisë, po ndan Kosovën dhe që politikanët aktualë që qeverisin ia panë ”hajrin” arrestimit dhe burgosjes së tij në Hagë, pasi po bëjnë “prokopi” në politikë dhe në qeverisje. Ndërsa Ramën e “hanë” të gjallë!
Dhe si për të përmbyllur mesazhet në Kosovë, kreu i qeverisë shqiptare propozoi duke gjetur dhe miratimin e homologut të tij Kurti, për një Kuvend përbashkues mes dy Parlamenteve më 11 nëntor, një ditë para se të nisin festimet e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
I përmendëm në mënyrë të përmbledhur të gjitha mesazhet e forta të kryeministrit të Shqipërisë, për të thënë se Edi Rama me katër lëvizje, në dy ditë vizita dhe mbledhje të përbashkët qeverie në Kosovë, u dha “shah mat” të gjithë “patriotëve” në të dy anët e kufirit, duke i lënë pa “kauzë” e mundësi goditjeje siçka ndodhur në të gjitha rastet pas deklaratave tëtij për Kosovën e rajonin.
Aq “ngushtë” mbetën ata që ishin mësuar të mbaheshin me muaj të tërë nëpër panele televizive dhe politikë me deklaratat e “tradhëtisë” së Ramës, sa një natë më parë “stonatura” në të gjitha kanalet televizive ishte e dukshme dhe e qartë e për herë të parë zhurma e stisur pas vizitave dhe lëvizjeve të Ramës për Kosovën, ishte shumë herë më e vogël se sa vetë impakti që krijuan deklaratat e kreut të qeverisë shqiptare.
Kjo u vu re dhe në kampin opozitar, ku Ilir Meta zgjodhi të heshtë, duke e shoqëruar këtë heshtje me një kthim ligji pa dekretuar në Kuvend. Ndërsa Sali Berisha i shpallur “non grata” nga SHBA familjarisht dhe që “fushë” të tij kryesore ka nacionalizmin, gjeti vetëm një hapësirë për të kërkuar të mbetet deri në fund “patriot”: Atë të dhënies së dyshtetësisë për të gjithë shqiptarët e Kosovës. Duke premtuar se vendimi i parë kur të vijë në qeverisje, ndoshta s’ia premton as mosha fizike për ta arritur dhe parë një ditë të tillë për partinë që drejton tashmë, do të ishte miratimi i dhënies së dyshtetësisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Dhe këtë e kërkon pikërisht Sali Berisha, nuk po ia përmendim në mënyrë të detajuar se ka qënë tërë jetën një vegël e Serbisë duke e furnizuar me naftë në kulmin e embargos së OKB por dhe duke e ndihmuar me destabilizim të Shqipërisë sa herë ia ka lypur nevoja Beogradit, i cili tani përgjërohet më shumë për pavarësinë e Kosovës, njohjen e saj si shtet por dhe paraqitet si një “atlet” i luftës kundër zbrazjes së hapësirës mbarëshqiptare nga të rinjtë dhe mosha vitale e popullisë që po lëviz jashtë vendit.
Dhënia e dyshtetësisë në mënyrë masive dhe me ligj do të zhbënte Kosovën në radhë të parë në nocionin e saj si shtet, dhe në radhë të dytë dhe fizikisht, me largimin e banorëve drejt vendeve të BE. Pasi, në kushtet kur regjimi i vizave me Kosovën s’është hequr, do të shfrytëzohej pasaporta shqiptare për të lëvizur lirisht brenda hapësirës së vendeve të BE. Por dhe krijon probleme me vendet e rajonit, e mbi të gjitha nuk konvergon me strategjinë e aleatëve tanë të mëdhenj, SHBA dhe BE, pa mbështetjen e të cilëve shqiptarët në tërë hapësirën e Ballkanit, nuk do të ishin në këtë gjendje të mirë që janë sot: Tre kryeministra në tre shtete, dhe të fiksuar në Kushtetutë edhe në shtetin tjetër pas dekretimit të zgjedhje!
Lënia pa “kauzë” nga Rama e opozitës, ka sjellë vërtetë një “destabilizim” të mëtejshëm në këtë hapësirë të politikës shqiptare por dhe tek “patriotët” e rrjeteve, duke shkaktuar një “fakturë” të fortë te “dinozaurët” e politikës Berisha e Meta, të cilët u janë “dorëzuar” veprimeve e “kauzave” tërësisht jashtë kontrollit që nuk sjellin asnjë dobi. Përkundrazi sjellin më shumë dëme.